• Shqip
  • English

Video chat

Webcam chat by Camamba

Letër ankese dërguar Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë

16 shkurt 2012

 

Letër ankese dërguar Ambasadës së Federatës Ruse në Tiran?

 

Dërguar: Sh.T Z. Leonid Grigorieviç Abramov

Për dijeni: Media elektronike dhe e shkruar shqiptare.

 

I/E nderuar Z. Ambasador

Me keqardhje kemi mësuar nga kolegët tanë në Rusi dhe mediat, se në datën 8 Shkurt 2012 Parlamenti i Shën Pjetërburgut ka miratuar në një séancë të dytë dëgjimore, me 31 vota pro dhe 6 kundër, projektligjin kundër propagandës gay, i cili u pasua nga disa arrestime të aktivistëve LGBT, të vendosur përballë parlamentit dhe që do të vijojë me një seancë të tretë dhe finale dëgjimore.

Akuzat e bëra nga parlamentarët kundër “opozitës liberale” dhe “perversiteteve seksuale” janë një fyerje që deputetët nuk i dërgojnë vetëm kolegëve të tyre dhe qytetarëve rusë, por të gjithë personave LGBT dhe mbështetësve të tyre kudo në botë.

Ky është një projektligj, i cili do të ndëshkojë, ndër të tjera, çdo person që promovon homoseksualitetin tek të miturit dhe që parashikon gjoba alarmante për qytetarët që e shkelin ligjin. Me këtë rast Ambasada PINK, një prej organizatave kryesore në Shqipëri për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, i bashkohet sot komunitetit ndërkombëtar në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund kësaj shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Për fat të keq ligjvënësit e Shën Pjetërburgut vazhdojnë të injorojnë kërkesat e parlamentarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut nga e gjithë Europa, obligimet ndërkombëtare të Rusisë dhe peticionet e panumërta që shprehin vullnetin e qytetarëve rusë dhe të huaj kundër këtij projektligji.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri, dhe i gjithë komuniteti që ajo përfaqëson i bashkohen zyrtarisht të gjithë qytetarëve, të cilët besojnë në një Rusi tolerante që respekton të drejtën e qytetarëve të saj për t’u shprehur dhe për të respektuar integritetin dhe dinjitetin e tyre.

Institucionet ndërkombëtare kanë shprehur prej kohësh faktin se miratimi i një projekt-ligji të tillë do të përbënte shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Rusisë për të ruajtur lirinë e qytetarëve dhe saj dhe për të luftuar diskriminimin.

Përveç kësaj, është shqetësues fakti që ligje të ngjashme janë miratuar në rajone dhe qytete të tjera të Rusisë, si Ryazan në vitin 2006, Arkhangelsk në 2011 dhe rajonin e Kostromës në vitin 2011. është po kaq shqetësues fakti që disa politikanë Rusë kanë sugjeruar aplikimin e këtij ligji në nivel federal, që tregon një nivel të lartë homofobie dhe mungese të respektit për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët rusë.

Ambasada PINK dëshiron t’i bëjë thirrje Qeverisë ruse, që të dalë mbi politikën dhe të mbrojë dhe garantojë në mënyrë aktive liritë dhe të drejtat e qytetarëve të saj, duke i lejuar ata të shprehin të lirë mendimin e tyre në lidhje me seksualitetin, identitetin gjinor dhe çdo gjë tjerët që shqetëson komunitetin LGBT në vendin tuaj dhe kudo në botë.

Shkelja e kësaj të drejte themelore të njeriut, në një epokë kur bota po intensifikon dialogun dhe po lufton për të sheshuar diferencimet raciale, etnike, seksuale etj, Rusia po tregon një vullnet të kundërt i cili minon integritetin e mijëra qytetarëve të saj, të cilët nën këtë ligj do humbasin të drejtën e tyre themelore për të shprehur identitetin seksual dhe për ta jetuar atë të lirë si çdo qytetar tjetër i atij vendi.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dhe komuniteti që ajo përfaqëson i bashkohen kërkesave të panumërta të institucioneve europiane, organizmave të të drejtave të njeriut, shteteve perëndimore dhe indinjatës së qindra mijëra qytetarëve nga e gjithë bota për të dënuar këtë akt kaq të turpshëm dhe kaq kontradiktor kundër lirisë së shprehjes në Rusi.

Ne besojmë dhe shpresojmë në një Rusi, e cila i mbron qytetarët e saj, pavarësisht orientimit të tyre seksual apo identitetit të tyre gjinor.

 

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri
www.pinkembassy.al
Tiranë/Shqipëri



© 2010 Pink Embassy | All right reserved