• Shqip
  • English

Video chat

Webcam chat by Camamba

Akuzoj Tritan Shehun si politikanin e parë homofob!

Në ditën ndërkombëtare kundër HIV/AIDS, nënkryetari i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, z.Tritan Shehu u shpreh para anëtarëve të komisionit dhe medias se “homoseksualiteti duhet trajtuar si nga ana mjekësore për çështje hormonale, ashtu edhe nga ana psikologjike”. Për këtë deklaratë, e cila mbeti pothuajse në hije ditën kur u tha, unë akuzoj z. Tritan Shehu se përmes deklaratave të tilla dekurajon dhe keqinformon një popull të tërë dhe për këtë duhet të japë sqarime e llogari. Si një aktivist për të drejtat e njeriut, të çdo njeriu, - qoftë homoseksual, apo transgjinor, apo lesbike, apo biseksual, apo heteroseksual, - ndihem i turpëruar që më duhet të akuzoj jo një qytetar të zakonshëm, të painformuar, por një mjek në profesion, një politikan të vjetër e një përfaqësues të popullit në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndihem i turpëruar, sepse nuk do di si t’ua shpjegoj të gjithë qytetarëve të informuar e të kulturuar faktin se si ka mundësi që një person me atribute të tilla publike e politike, si z.Tritan Shehu, ende nuk e di që të detyrosh homoseksualët të trajtohen me ilaçe hormonale është një krim i mirëfilltë. Kështu kanë bërë fatkeqësisht shumë prindër shqiptarë me fëmijët e tyre, duke paguar shuma të majme në doktorë pa emër, pa etikë e pa dinjitet!

Në vitet ’50-të e ’60-të, në SHBA u vranë dhe u sakatuan mijëra homoseksualë përmes ndërhyrjeve kirurgjikale direkt në tru!
Lobotomia quhej ajo praktikë vrastare, në bazë të së cilës kirurgu i fuste në tru një tryelë elektrike “pacientit”, duke menduar se në atë mënyrë po e “shëronte”. Praktika në fjalë u konsiderua si e përbindshme dhe detyrimisht, edhe e paligjshme nga organizatat mjekësore dhe nga shteti amerikan pak më vonë, pasi në fakt, përmes asaj praktike njerëzit e mjerë sakatoheshin për gjithë jetën dhe shumë prej tyre nuk dilnin dot të gjallë nga salla e operacionit. Mbi të njëjtat mendime të gabuara zhvillohej atëherë edhe teoria e “mjekimit të homoseksualizmit” përmes injektimeve hormonale, që në fakt nuk bënin asgjë veçse tronditnin shëndetin fizik, mendor dhe psikologjik të homoseksualëve.

Kjo praktikë ndikoi më së tepërmi që homoseksualizmi të shpallej fillimisht në SHBA si diçka që nuk mund të quhet sëmundje. E që pas SHBA-së, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ta hiqte në mënyrë zyrtare nga lista e sëmundjeve fizike apo psikologjike homoseksualizmin.

E akuzoj z.Shehu publikisht si një person homofob e t’i kujtoj se homofobia është në vetvete një shqetësim që duhet kuruar përmes informacionit e pse jo, në disa raste, edhe përmes konsultave psikologjike!

E akuzoj gjithashtu z.Tritan Shehu se në kundërshtim me direktivat e grupit parlamentar të cilit i përket, në muajin shkurt të këtij viti e gjymtoi në komisionin që drejtonte vetë atëherë, Ligjin Kundër Diskriminimit. E sakatoi madje dhe bëri të pamundurën që të kalonte në një formë të tillë, që të ishte i pazbatueshëm. Isha i pranishëm vetë në mbledhjen e komisionit, kur z. Shehu kërkoi që ligji të kalonte e të miratohej pa miratuar bashkë me të krijimin e institucionit të pavarur të Komisionerit Kundër Diskriminimit (në mënyrë që ligji të bëhej nul).

Mirëpo po atë ditë, më 14 shkurt 2010, kryeministri Berisha, shumë më i informuar dhe më i ndërgjegjësuar se z. Shehu, e riktheu në seancë plenare ligjin në fjalë (në atë kohë ishte ende projektligj) në atë formë që është edhe sot.

E akuzoj z.Tritan Shehu publikisht sot se ka shkelur Ligjin Kundër Diskriminimit me anën e deklaratës homofobe dhe të papërgjegjshme që ka bërë. Në bazë të këtij ligji, qytetari Tritan Shehu do të duhet t’i përgjigjet pyetjes se pse ka diskriminuar në Kuvend një popullatë që i përket një orientimi të ndryshëm seksual nga ai i shumicës.

Z.Tritan Shehu mund të ketë një opinion të vetin në lidhje me homoseksualët, por askush nuk mund t’i japë atij tagrin për të vendosur nëse homoseksualizmi duhet trajtuar me ilaçe apo me terapi psikologjike. Këtë tagër ligji ia ndalon, madje, madje, për këtë arsye, pikërisht ligji e “kriminalizon”.

E akuzoj publikisht z. Tritan Shehu se veç kësaj, ka keqinformuar dhe demoralizuar qindra dhe mijëra prindër të homoseksualëve, të cilët presin të jetojnë të qetë dhe të sigurt se askush në këtë shoqëri nuk kriminalizon më fëmijët e tyre. Nëse një përfaqësues i popullit, një mjek i nderuar e një politikan i vjetër si z. Shehu bën një thirrje indirekte për të mbyllur homoseksualët nëpër spitale, çfarë do të duhet të bënte një qytetar tjetër i zakonshëm, shumë më pak i informuar se z.Shehu?!

Së fundmi, e akuzoj publikisht zotin Tritan Shehu se përmes deklaratave të tilla që bën në media ndikon direkt në keqvajtjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Ligji Kundër Diskriminimit, që deputeti në fjalë tentoi ta sabotonte, për fat të mirë, është një ndër të paktat ligje në korpusin legjislativ të këtij vendi që barrën e provës ia hedh mbi supe të akuzuarit dhe jo atij që akuzon. Prandaj, z.Tritan Shehu, nga dita e hënë do t’ju duhet të provoni përpara Komisioneres Kundër Diskriminimit se ju nuk keni diskriminuar askënd me ato deklarata. Përndryshe, do ju duhet të përballeni me një gjobë që çfarëdo vlere të ketë, do të shkojë për të informuar nënat dhe baballarët e terrorizuar të homoseksualëve dhe bashkë me ta, të gjithë popullin se, homoseksualizmi nuk është sëmundje!

Nga: Kristi Pinderi *Drejtor i LGBT PRO Albania dhe Ambasador i PINK Embassy



© 2010 Pink Embassy | All right reserved