Përfaqësues të Ambasadës PINK takohen me Komisionerin Nils Muiznieks

6 Shtator 2012- Ditën e Martë, 4 Shtator përfaqësues të Ambasadës PINK/LGBT Pro Shqipëri zhvilluan në Tiranë një takim konsultues me Komisionerin për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, Z. Nils Muiznieks.

I zgjedhur në këtë post në Prill të këtij viti, Z. Muiznieks është duke kryer një vizitë pune në Shqipëri ku ndër të tjera do të takohet edhe me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, institucioneve të ndryshme dhe të organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar më nga afër Raportin Special të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut, i publikuar me 22 Shkurt 2011.

Në këtë kuadër, gjatë takimit me PINK/LGBT Pro Shqipëri, Komisioneri u interesua për performancën e zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen kundër Diskriminimit, Avokatit të Popullit dhe për performancën e qeverisë dhe institucioneve shqiptare ndaj komunitetit LGBT si edhe për të mësuar më tepër për problemet, shqetësimet dhe temat kryesore që kanë të bëjnë me këtë komunitet në vend.

Në komentet e tyre, përfaqësuesit e Ambasadës PINK/LGBT Pro Shqipëri evidentuan ato që mund të quhen hapa pozitivë drejt rritjes së ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të opinionit publik dhe institucioneve ndaj çështjeve që shqetësojnë komunitetin LGBT, performancën e përmirësuar të shumë institucioneve që punojnë edhe për këtë kauzë ashtu siç vunë theksin te disa nga problemet më kryesore të cilat Komisioneri kishte interes ti njihte. Ndër to, u evidentua fenomeni shqetësues i fjalimeve të urrjejtjes dhe komenteve të pakontrolluara homofobike nga përfaqësues të lartë të shtetit tek ato të blogosferës. Po ashtu u vu theksi tek mungesa e materialeve kërkimore dhe punës që duhet bërë në këtë kuadër nga institucionet për të njohur problemet dhe nevojat e komunitetit LGBT në çdo mjedis, shkolla, punë, etj dhe për të ofruar zgjidhje konkrete për përmirësimin e gjendjes së tyre e për të vijuar me efektivitetin e ligjit anti-diskriminim, për njohjen e tij nga komuniteti dhe për vënien në jetë të sanksioneve që parashikohen prej tij.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dëshiron ti urojë suksese Komisionerit Muiznieks dhe uron për një bashkëpunim sa më të frutshëm për avancimin e të drejtave LGBT në Shqipëri.

Mbështetësit Dhe Partnerët