Parada e dytë e krenarisë do të mbahet më 11 qershor 2015

26 Janar 2015 - Ambasada PINK / LGBT Pro, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Open Mind Spectrum Albania, grupi organizator i Tirana Pride, vendosën sot që Marshimi i 2-të i Krenarisë do të zhvillohet në datën 11 qershor.

Ndërkohë është vendosur, që në datën 17 Maj 2015, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë të zhvillohen aktivitetet e ndryshme ndërgjegjësuese të tilla si “Panairi i Diversitetit”, leksione të hapura, ekspozita, tryeza pune etj.  

Tirana Pride 2015, do të jetë një ditë solidarizimi me komunitetin e personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilët për shkak të diskriminimit historik hasin vështirësi të shumta në jetët e tyre. Ndërkohë që gjatë viteve të fundit vendi ynë ka bërë progres të madh ligjor dhe social drejt pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor, kulturalisht dhe normativisht vizibiliteti i ulët i komunitetit LGBT mbetet një pengesë në njohjen dhe pranimin e tyre në shoqërinë shqiptare.  

Ne mendojmë, se rritja e vizibilitetit të çështjes LGBTI sjell fuqizim të demokracisë, respekt për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut dhe një emancipim të mirëfilltë i shoqërisë. Ne besojmë se liria e shprehjes dhe mbledhjes është një e drejtë legjitime e çdo qytetari dhe se efektet negative të liberalizmit apo demokracisë nuk duhet të shërbejnë si motivim për të sulmuar një minoritet në emër të një norme kolektive e cila nuk reflekton realitetin shoqëror.

Marshimi i krenarisë nuk është thjesht çështje krenarie. Marshimi ka të bëjë me të drejtën për të jetuar të lirë, duke mposhtur ndjenjën e turpit dhe fajit dhe perceptimin e gabuar të shumë personave LGBT, se duke qenë të tillë ata nuk janë të denjë për familjen, shoqërinë dhe vetë jetën.

Grupi organizues i Tirana Pride 2015 fton të gjitha institucionet, organizatat dhe qytetarët shqiptarë të bashkohen në këtë aktivitet për ti thënë jo diskriminimit, përjashtimit dhe urrejtjes, për ti thënë po dashurisë, respektit dhe dinjitetit.

Mbështetësit Dhe Partnerët