PINK mer pjesë në seminarin e dytë “Seksualiteti dhe Aftësitë për Jetën”

21-22 Maj 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro mori pjesë në seminarin/trajnimin dy-ditor me temë “Seksualiteti dhe Aftësitë për Jetën” i zhvilluar me mësuese të shkollës 9-vjeçarë të Babrrusë në rrethin e Tiranës. Ky aktivitet zhvillohej nga Qendra Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (ACPD) dhe Qendra Rinore PO. Në të morën pjesë 20 mësuese të lëndëve të biologjisë, edukatës qytetare, edukimit fizik, gjuhëve të huaja etj.

Qëllimi i trajnimit ishte testimi i metodave që mësuesit mund të përdorin me nxënësit në zhvillimin e kros-kurrikulës “seksualiteti dhe aftësitë për jetën” si një mjet burimor për të zhvilluar një program të unifikuar mbi gjininë, seksualitetin, HIV/AIDS, orientimin seksual dhe identitetin gjinor, të drejtat seksuale dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Qëllimi final i kurrikuës është tu mundësojë të rinjve të gëzojnë dinjitet, barazi dhe jetë seksuale të kënaqshme, të shëndetshme dhe të përgjegjshme.

Trajnimi u nda në dy module kryesore të cilat fokusoheshin tek objektivat e kross-kurrikulës dhe metodat që mund të përdoren për zhvillimin e secilës temë me nxënësit. Metodologjia e përdorur në këtë kurs trainimi konsistoi në ndërthurjen e materialit teorik me diskutimet në grup, metodologji e cila u vlerësua maksimalisht nga pjesmarrëset.

Pavarësisht rezistencës, ndrojtjes apo paragjykimeve të ndeshura mes mësueseve në diskutimin e temave ato e vlerësuan trainimin si interesant dhe të vlefshëm jo vetëm për punën e tyre por edhe në nivelin individual për të zgjeruar këndvështrimin dhe pranueshmërinë e diversitetit.

Ato sugjeruan që Kross-Kurrikula të përfshihet në një lëndë të veçantë e cila të jepet nga një mësuese e specializuar për këtë fushë së bashku me një psikologe.

PINK falenderon ACPD dhe Qendrën Rinore PO për përfshirjen e organizatës tonë në këtë aktivitet si dhe ofrimin e më shumë informacioni mbi çështjet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor tek mësuesit. 

Mbështetësit Dhe Partnerët