PINK mer pjesë në seminarin "Seksualiteti dhe aftësitë për jetën"

15-16 Prill – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri mori pjesë në trajnimin dy-ditor “Seksualiteti dhe aftësimi për jetën” i zhvilluar pranë shkollës 9 vjeçarë të fshatit Bërzhitë, nga Qendra Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (ACPD) dhe Qendra Rinore PO.

Trajnimi u drejtohej 17 mësuesve të lëndëve të edukatës qytetare, biologjisë etj pranë shkollës së Bërzhitës me qëllim testimin e temave dhe metodologjive që mësuesit mund të përsorin me zhvillimin e kros-kurrikulës “seksualiteti dhe aftësitë për jetën” si një mjet burimor për zhvillimin e një programi të unifikuar mbi gjininë, HIV/AIDS, orientimin seksual dhe identitetin gjinor, të drejtat seksuale dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Kjo kurrikulë u mundëson mësuesve të adresojnë jo vetëm faktorët individualë të shëndetit seksual dhe riprodhues të nxënësve e të rinjve por edhe faktorët socialë të shëndetit dhe mirëqenies së tyre.

Qëllimi final i kurrikulës është tu mësojë të rinjve të gëzojnë dinjitet, barazi dhe jetë seksuale të shëndetshme dhe të përgjegjshme.

Trajnimi shërbeu për të rritur njohuritë mbi çështjet e sipërpërmendura dhe u dizenjua në mënyrë që tu përgjigjej nevojave të mësuesve mbi këto tema dhe metodat që duhen përdorur për ti bërë temat sa më të kuptueshme për nxënësit.

Ambasada PINK falenderon ACPD dhe Qendrën Rinore PO për përfshirjen e tematikës së orientimit seksual dhe identitetit gjinor në këtë trajnim dhe uron që trajnime të tilla të zhvillohen sa më shumë edhe në të ardhmen. 

Mbështetësit Dhe Partnerët