PINK raporton pranë BE mbi situatën e komunitetit LGBTI

Bruksel 16-17 Nëntor - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri raportoi javën e kaluar në Bruksel mbi situatën e komunitetit LGBTI në Shqipëri. Në një tur vizitash pranë institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Europian, të cilat punojnë drejtpërsëdrejti mbi zgjerimin, PINK parashtroi kërkesat e komunitetit LGBTI të Shqipërisë si dhe raportoi problemet e hasura në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi, avancimin e legjislacionit, hartimin  e politikave miqësore etj.

Aktiviteti u organizua nga organizata pan-europiane ILGA-Europe dhe u ndoq nga aktivistë LGBTI të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Turqisë, Kosovës dhe Serbisë. Aktivistët u takuan konkretisht me zyrtarë dhe përfaqësues të rëndësishëm të BE nga Parlamenti, Komisioni, Këshilli dhe agjenci të tilla të Komisionit si DG Near dhe EEAS.

Në këto takime përfaqësuesi i Ambasadës PINK, Z. Amarildo Fecanji vuri në dukje se pavarësisht disa zhvillimeve pozitive të tilla si Rezoluta Parlamentare e 7 Majit 2015, përgatitja e Planit Kombëtar të Veprimit nga MMSR dhe rritja e bashkëpunimit me institucionet publike, Shqipëria vazhdon të ketë sfida të mëdha për të cilat Qeveria e saj duhet të angazhohet shumë seriozisht. Këtu veçohen çështje si mungesa e vullnetit politik për të punuar aktivisht kundër diskriminimit dhe në ofrimin e një mbrojtje dhe avancimi efektiv të të drejtave LGBTI, mungesa e aksesit në shërbime lokale çka reflektohet nga raste të shumta të raportuara nga komunitetit LGBTI, mungesa e avancimit ligjor sidomos në lidhje me njohjen e së drejtës së bashkëjetesës, njohjen ligjore të identitetit gjinor, dhe njohjen e personave interseks, zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen nga dhuna si dhe rritja e ndjeshme të numrit të personave LGBTI që kërkojnë azil në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe Kanada.

Ambasada PINK vlerësoi se ndërkohë që Shqipëria po i përshtatet gjithmonë e më shumë standarteve ndërkombëtare në aspektin ligjor dhe normative, është e rëndësishme që këto arritje të mos ngelen vetëm në letër, por të ketë një angazhim serioz nga ana e institucioneve publike dhe e qeverisë sidomos në lidhje me miratimin dhe zbatimin efektiv të Planit të Veprimit, duke alokuar buxhet, burime njerëzore, duke promovuar bashkëpunim më të ngushtë midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike dhe duke ngritur një mekanizëm ndërdisiplinar monitorues dhe vlerësues që të shohe impaktin e vërtetë të masave të mara.

Ndër të tjera Ambasada PINK theksoi edhe rëndësinë e rritjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshi ato LGBTI, në marrjen parasysh të rekomandimeve të tyre ligjore dhe vendimeve të tjera dhe në rritjen e aksesueshmërisë së komunitetit LGBTI në këto organe ashtu si edhe në ato të drejtësisë dhe të qeverisjes qëndrore dhe lokale. 

Mbështetësit Dhe Partnerët