PINK zhvillon leksion të hapur pranë Universitetit të Tiranës

Në datën 9 Maj 2015 në kuadër  të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri zhvilloi leksion ndërgjegësues pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.  

Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Fakultetin dhe  u ndoq nga studentë të degës Punë Sociale.

Në trajnim studentët mundën të njihen gjerësisht me konceptet LGBTI, orientimin seksual, identitetin gjinor, heteronormativitetin, heteroseksizmin dhe pasojat e tij të tilla si diskriminimin, homofobinë, transfobinë etj.

Në fund të këtij trajnimi nxënësit dhe trajnuesit e PINK ranë dakord që shumë shpejt të zhvillojnë një trajnim të dytë i cili të shërbejë për të vlerësuar nevojat e komunitetit LGBTI.

Tema e sivjetshme e Ditës Ndërkombëtare janë të Rinjtë LGBTI dhe problemet e shumta me të cilat pëballen ato në jetën e tyre të përditshne . Këtu përfshihen dëbimi nga mjedisi familjar, përjashtimi nga rrethi shoqëror, heqja e shanseve dhe mundësive të ndryshme profesionale dhe sociale të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e të rinjve, bulizmi dhe ngacmimet e papërshtatshme në shkolla, përndjekja dhe abuzimi psikologjik në mediat sociale, mesazhet e urrejtjes, sulmet fizike dhe verbale nga të panjohur, abuzimi me drogërat dhe probleme psiko-emocionale etj. Në këto 7 vjet lëvizje të rinjtë LGBTI edhe pse shpesh me hezitim kanë ndarë jo pak informacion me organizatat LGBTI në vend. Në këto raste ata kanë folur hapur për problemet e tyre në familje, shkolla, mjediset e punës etj.

Ambasada PINK falenderon përzemërsisht Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës për mundësimin e këtij aktiviteti.

Ky akvititet zhvillohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel lokal” dhe mbështetet nga Bashkimi Europian.

Mbështetësit Dhe Partnerët