PINK zhvillon leksion të hapur pranë Universitetit të Vlorës

Ambasada PINK / LGBT Pro në bashkëpunim me Universitetin e Vlorës zhvilloi pranë mjediseve të universitetit një leksion të hapur me afërsisht 100 studentë të degëve psikologji, juridik, gjuhe-letërsi etj. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Festivalit të Diversitetit i cili për herë të parë këtë vit po udhëton me leksione, ekspozita, shfaqje filmash etj nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Leksioni u fokusua tek dhënia e informacionit sa më të bollshëm dhe qartësues për studentët. Pjesëmarrësit mundën të mësojnë më shumë mbi konceptet LGBTI, orientimin seksual, identitetin gjinor, personat trans dhe interseks etj. Më tej ata mundën të diskutojnë mbi sfidat që hasin shoqëri të ndryshme përfshi edhe ajo e Shqipërisë në rritjen e tolerancës, respektit dhe pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor në shoqëri.

Pyetjet e pjesëmarrësve u përqëndruan në çështje të tilla si prindërimi, krijimi dhe ofrimi i modeleve të reja shoqërore që do të mundësonin integrimin e këtij komuniteti, problematikat me diskriminimin etj.

Ambasada PINK falenderon Universitetin e Vlorës për bashkëpunimin në zhvillimin e këtij aktiviteti dhe shpreson në zhvillimin e tyre edhe në të ardhmen me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për konceptet LGBTI dhe të drejtat e njeriut.

Mbështetësit Dhe Partnerët