PINK zhvillon trajnim me institucionet qendrore mbi të drejtat LGBTI

14 Prill 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri zhvilloi trajnimin një-ditor me përfaqësues të institucioneve të qeverisjes qëndrore në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i performancës së administratës publike në mbrojtjen e të drejtave LGBTI”. Aktiviteti u ndoq nga ekspertë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR), Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, Avokatit të Popullit, Shërbimit Social Shtetëror, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile.

Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në kuadër të punës përgatitore të kësaj të fundit për planin e ardhshëm të masave për mosdiskriminimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor 2015-2020. Sugjerimi i Ambasadës PINK / LGBT Pro ishte që krahas konsultimit me organizatat LGBT në vend mbi fushat ku duhet të përqëndrohet ky plan i ri duhet të konsultohen edhe institucionet e qeverisjes qëndrore dhe ato të administratës për të dhënë sugjerimet dhe rekomandimet e tyre mbi fushat ku duhet punuar për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave LGBTI.

Kështu, falë këtij trajnimi u bë i mundur jo vetëm thellimi në konceptet LGBTI, ato të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, por edhe mbledhja e rekomandimeve për disa nga fushat ku duhet të përqëndrohet plani i ardhshëm i veprimit.

Ky trajnim do të pasohet nga një i dytë me institucione të qeverisjes lokale në Tiranë si dhe po zhvillohet paralel me një tjetër iniciativë të Ambasadës PINK për rritjen e kapaciteteve të qeverive lokale të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Korçë. Ndërkohë në datën 23 Prill, Ambasada PINK në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të zhvillojnë në datën 23 Prill një workshop me institucionet e qeverisjes vendore me qëllim vlerësimin e punës së deritanishme në kuadër të luftës kundër diskriminimit dhe mbledhjen e rekomandimeve të ekspertëve të qeverisjes qëndrore mbi fushat ku duhet të përqëndrohet plani i ardhshëm i veprimit 2015-2020.

Ambasada PINK falenderoj MMSR për bashkëpunimin në zhvillimin e këtij trajnimi dhe Fondin Kanadez për Iniciativat Lokale për mbështetjen.

Mbështetësit Dhe Partnerët