PINK/LGBT Pro Shqipëri zhvillon leksion pranë Fakultetit të Shkencave Sociale mbi çështjet LGBT

17 Pril 2012

Ditën e Martë, dt. 17 Prill 2012, përfaqësues të Ambasadës PINK/LGBT Pro në bashkëpunim me Prof. Merita Poni, zhvilluan një leksion me studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, dega Sociologji, viti II-të. Ky leksion shërbeu për të informuar studentët mbi lëvizjen LGBT në Shqipëri, avancimin e këtyre të drejtave, situatën në të cilën ndodht komuniteti në aspektin social, juridik, politik dhe ekonomik si dhe ndau me ta fakte dhe paragjykime, duke arritur kështu të ndërtojnë një diskutim interesant dhe konstruktiv. 

Avancimi i diskutimit me studentët, i dedikohej në mënyrë të veçantë edhe debatit të zhvilluar së fundmi mbi mundësinë e një parade gay, apo një eventi publik ku të manifestohet për të drejtat e komunitetit LGBT. Studentët ishin të mendimit se kjo paradë nuk është e nevojshme, për aq kohë sa edhe personat heteroseksualë nuk dalin në rrugë për të manifestuar për seksualitetin e tyre. Ambasada PINK, iu përgjigj këtij konstatimi duke vënë në dukje se të jesh minoritet, me një të shkuar shtypëse dhe në kushtet e padukshmërisë, është e rëndësishme që ky komunitet të afirmojë praninë e tij dhe të kërkojë të drejta të barabarta.

Debati vijoi me komente shumë interesante si nga Prof. Merita Poni mbi historinë dhe çështje gjinore dhe të seksualitetit në Shqipëri si edhe me pyetje dhe komente shume të veçanta nga studentët. Fokusi u vendos tek diskriminimi gjinor i trashëguar ndër breza i cili ndikon në krijimin e perceptimeve të gabuara ndaj komunitetit LGBT bazuar qëllimisht në faktorë të tillë si sjellja, veshja, turpërimi etj.

Në fund të leksionit studentët u ftuan që të tregojnë mbështetjen e tyre dhe të bëhen përçues të mesazheve pozitive ndaj komunitetit LGBT, si një grup social i cili ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të madh në zhvillimin dhe avancimin e shoqërisë shqiptare.

Mbështetësit Dhe Partnerët