PUBLIKOHEN TË DHËNAT PARAPRAKE TË STUDIMIT MBI PERCEPTIMET E ZYRTARËVE VENDORE PËRKUNDREJT PERSONAVE LGBT!

8.5% e zyrtarëve vendore mendojnë se personat LGBT duhet të marrin shërbime veçmas të tjerëve ose të destinuara vetëm për ta; 36 % e zyrtarëve publikë pranuan se njihnin një person LGBT. 42% e zyrtarëve publikë janë pro martesës në gjini të njëjtë, 34% mendojë se kanë të drejtë të krijojnë familje dhe 68% mendojnë se janë qytetarë si gjithë të tjerët.

Studimi i Ambasadës PINK në 6 Bashkitë kryesore të vendit paraqet të dhëna të detajuara sesi ndikohen shërbimet publike vendore nga mungesa e informacionit, njohuritë e ulëta mbi tematikën LGBT dhe mungesa e praktikave antidiskriminuese.

Tiranë, 17 Mars 2016 - Ambasada PINK prezantoi sot gjetjet paraprake të studimit “Perceptimet e punonjësve vendorë mbi shërbimet miqësore ndaj personave LGBT”. Ky studim, i pari i llojit të tij në vend, hedh dritë mbi situatën aktuale të perceptimeve të zyrtarëve vendorë mbi çështjet LGBT, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, praktikat aktuale anti-diskriminim dhe trajtimin e barabartë në 6 qytete të vendit.

Sipas të dhënave paraprake të studimit, 225 zyrtarë publikë pranuan të plotësonin anketën, ndërsa 185 prej të anketuarve ishin specialistë të shërbimit publik vendor, ndërsa 39 ishin nivel drejtues. 36 % e zyrtarëve publikë pranuan se njihnin një person LGBT dhe 42.3 % pohuan se i kishin njohur në punë. Bazuar në të dhënat e studimit rezulton se 12.9% nuk kanë informacion mbi personat LGBT dhe vetëm 15.2% kishin marrë informacion prej trajnimeve dhe seminareve. 75.1 % deklarojnë se nuk janë trajnuar asnjëherë mbi ketë temë dhe mbi 60% do të donin.

Nga të dhënat mbi mjedisin mikpritës që Bashkitë ofrojnë ndaj personave LGBT, 11 % u shprehën se kjo ndodh ndonjëherë, ndërsa 24 % aspak dhe nuk kishin informacion. E dhëna se 67.9 % e personave LGBT që nuk kishin kërkuar asnjë shërbim nga Bashkia e tyre, është domethënëse për nevojën e administratës vendore për informacionit më të zgjeruar mbi komunitetin LGBT dhe shërbimet miqësore ndaj tyre. 2.2 % mendojnë se personat LGBT duhet të marrin shërbime të veçuara, dhe 20.5 % e tyre shprehen se kjo është në të mirë të tyre.

68 % mendojnë se janë qytetarë si gjithë të tjerët, por 50.5 % nuk kanë informacion nëse janë më inferiorë se të tjerët. 25 % e zyrtarëve mendojnë se nuk kanë të drejtë të krijojnë familje, ndërsa 21% mendojnë se nuk kanë të drejtë të martohen.

Gjetjet kryesore të studimit tregojnë se:

  • Bashkitë e përfshira në studim kanë qëndrime pozitive ndaj të drejtave LGBT dhe të drejtës së personave LGBT për të aksesuar në mënyrë të barabartë shërbimet e pushtetit vendor;
  • Zyrtarët publike shprehin qëndrime jo pozitive ndaj të drejtave themelore të njeriut si ajo e martesen, për të krijuar një familje, etj;
  • Besimi fetar ka ndikim të ulët në ofrimin e shërbimeve miqësore ndaj komuniteit LGBT;
  • Roli i administratës vendore është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve LGBT;
  • Zyrtarët publikë kanë informacion të pakët mbi çështjen LGBT dhe nevoja të theksuara trajnimi dhe rritje kapacitetesh mbi këtë teme.

Ky studim u mbështet nga Bashkimi Europian në kuadër të iniciativës ’Përmirësimi i jetës së komunitetit LGBT në nivel lokal në Shqipëri’ dhe u realizua në bashkëpunim me institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatin e Popullit dhe me mbështetjen e Bashkive të Vlorës, Elbasanit, Tiranës, Korçës, Shkodrës dhe Durrësit.

Për më tepër informacion kontaktoni në adresën pinkembassy@crca.al ose në numrin e telefonit: 0035542265741

Mbështetësit Dhe Partnerët