Qeveria të dëmshpërblejë të gjithë personat lgbt të dënuar gjatë rregjimit komunist

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri ka mësuar për amendimet e reja të propozuara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Ligjit për Dëmshpërblimin e ish të Dënurave Politikë, i cili shumë shpejt do ti dërgohet Parlamentit për miratim.

Ndërkohë që ky projektligj, është i lavdërueshëm pasi është konsultuar gjerësisht me vetë ish të përndjekurit politikë në Shqipëri dhe vendos të bëjë diskriminim pozitiv duke i dhënë prioritet dëmshpërblimit të grave dhe personave të tjerë që janë në katëgori prioritare, ai le jashtë ish të përndjekurit politikë që janë dënuar nga rregjimi komunist për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor.

Personat LGBT kanë vuajtur gjatë rregjimit komunist shtypjen, që ashtu si të dënuarve të tjerë politikë u rezervonte edhe trajtimin më të ashpër. Gjatë këtyre viteve aktivitet, Ambasada PINK / LGBT Pro është njohur me historitë e mjaft personave, sidomos meshkuj të orientimit homoseksual, që janë dënuar në mënyrë të padrejtë, sipas Kodit Penal të asaj kohe, thjesht dhe vetëm për shkak të orientimit të tyre seksual.

Historitë e personave LGBT të dënuar dhe shtypur nga rregjimi komunist meritojnë të dëgjohen, njihen dhe viktimat e saj duhet të respektohen, mbrohen dhe njihen nga shteti shqiptar. Sado i vogël apo i madh të jetë ky numër, trajtimi jo-njerëzor që kanë vuajtur shumë shqitarë në vitet 1945-1990 ka qenë edhe për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor. Këta njerëz ende sot presin të tregojnë historitë e tyre, dhe mbase nuk do kenë asnjëherë mundësinë nëse shoqëria e sotme nuk krijon kushtet dhe mundësitë e duhura për të bërë këtë gjë.

Ambasada PINK vlerëson se ky është një moment shumë i përshtatshëm që përkrah rivlerësimit të situatës dhe problemeve të paraqitura nga vetë ligji si dhe kërkesat legjitime dhe të drejta të 2754 personave që njihen si ish të përndjekur politikë, Ministria e Mirëqenies duhet të bëjë një hulmumtim për personat e dënuar nga rregjimi komunist për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Është mëse e qartë se pasojat e vuajtura prej këtij grupi social janë po aq dramatike dhe të rënda sa ato të grupeve të tjera prioritare dhe se rishikimi i projektligjit në këtë aspekt do të vendoste drejtësi për ata njerëz që paguan më rëndë se kush do tjetër të drejtën për të dashuruar një person të gjinisë së njëjtë.    

Mbështetësit Dhe Partnerët