Raport i Aktiviteteve: Qershor 2013 – Dhjetor 2014

Dy vitet e fundit kanë qenë një periudhë tejet intensive për Ambasadën PINK dhe për lëvizjën LGBTI në Shqipëri. Brenda një kohe të shkurtër u realizuan të parat aktivitete publike në mjedise të hapura të tilla si Festivali i Diversitetit apo Parada e Krenarisë, e cila u zhvillua për herë të parë në 17 Maj 2014. Nën-komisioni për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin e Shqipërisë mbajti të parën seancë dëgjimore mbi tematikën dhe komunitetin LGBTI.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përmbylli të parën iniciativë për mbrojtjen e personave LGBTI nga diskriminimi dhe aktualisht është duke punuar për një plan të ri masash. Ndërkohë e njëjta Ministri ka përfshirë gjerësisht komunitetin LGBT në Planin Strategjik për Përfshirjen Sociale të viteve 2015-2020. Gjashtë Bashki të vendit, të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Shkodrës dhe Vlorës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me organizatën tonë për luftimin e diskriminimit në nivel lokal.

Institucione të shumta kombëtare, organizata vendase e të huaja, miq e partnerë të kauzës LGBTI janë përfshirë në aktivitete të shumta që kanë synuar integrimin e kësaj tematike në nivel institucional, njohjen e problemeve dhe nevojave të komunitetit dhe adresimin e duhur të tyre. Avokati i Popullit publikoi një raport të veçantë për cilësinë e shërbimeve mjekësore ndaj personave LGBTI ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit publikoi një raport të veçantë mbi këtë komunitet.

Ministria e Arsimit ka pranuar të vlerësojë situatën me diskriminimin dhe bulizmin homofobik në shkolla dhe ta trajtojë atë si çështje. Së fundmi në Tiranë është hapur një qendër emergjence / strehëz për komunitetin LGBTI. Gjithashtu, Tirana ka tashmë të parin club nate që funksionon mirëfilli për komunitetin LGBT, duke i dhënë ngjyrat, argëtimin dhe hapësirën e sigurtë kaq të munguar dhjetra të rinjve dhe të rejave LGBT nga i gjithë vendi.

Por pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, problemet me diskriminimin, krimet dhe fjalimet homofobike e transfobike mbeten të mëdha. Të rinj LGBTI vazhdojnë të kontaktojnë organizatën tonë për të raportuar sulme homofobike, probleme në familje si dhe shpesh kërkojnë ndihmë apo asistencë për tu larguar nga vendi. Fjalimet homofobike dhe urrejtja ndaj komunitetit vazhdon të mbetet një problem i madh. Pas aktiviteteve ndërgjegjësuese të 17 Majit 2014, deklaratat, sulmet në media sociale dhe fjalimet e urrejtjes ishin të shumta. Më e veçanta dhe shqetësuesja ndër to ishte një i ashtu-quajtur peticion i 57 intelektualëve me titullin “Familje e shëndoshe, atdhe i shëndoshë”.  Sipas deklaratave të disa prej personave të përfshirë në këtë peticion, ata nuk kishin firmosur asnjë peticion të tillë dhe se emri i tyre ishte vendosur aty pa konfirmimin e tyre. Ambasada PINK ka dorëzuar një ankesë pranë Prokurorisë së Tiranës duke kërkuar hetimin e këtij rasti. Problemet me raportimin jo-etik të tematikës LGBT në mediat shqiptare mbeten shumë të medha dhe mjaft të vështira për tu adresuar. Gjuha e përdorur në media nga personazhe publikë, keq-informimi, skandalizimi i tematikës LGBTI mbetetn çështje kryesore. Personat LGBT vuajnë nga shërbime të dobëta mjekësore dhe psikologjike, duke qenë se sistemi mjekësor shqiptar është shumë i papërgatitur për adresimin e nevojave dhe problemeve të këtij komuniteti.

Si përfundim, dy vitet e fundit kanë qenë inkurajuese për kauzën LGBT në Shqipëri pavarësisht se sfidat dhe puna për arritjen e barazisë së plotë të këtij komuniteti janë të shumta e të vështira. Siç thotë edhe shprehja e famshme e astronautit Neil Armstrong, “një hap i vogël për një njeri, një hap gjigand për njerëzimin”, ne besojmë se hapat e vegjël individualë të marrë nga të gjithë ne në të mirë të kësaj kauze, do arrijnë të reflektohen në një shoqëri me të hapur, tolerante e respektuese për brezat në vazhdim.

Për të lexuar raportin klikoni këtu.

Punë të mbarë dhe faleminderit për mbeshtetjen!

Amarildo Fecanji
Drejtor Programesh