Shqipëri: Fjalimet e urrejtjes mbeten problem

10 Qershor 2015 – Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), organ monitorues pranë Këshillit të Europës, vëren se pavarësisht zhvillimeve pozitive Shqipëria ka probleme serioze me fjalimet e urrejtjes dhe integrimin e dobët të komunitetit Rom. Komisioni publikoi së fundmi një raport mbi Shqipërinë, ku analizon zhvillimet e fundit dhe çështje kryesore, si dhe jep rekomandime për autoritetet shtetërore.

Kryetari i ECRI, Z. Christian Ahlund u shpreh se “Në popullatën shqiptare nuk ka probleme keqkuptimi mes grupimeve të ndryshme, por shumë çështje mbeten shqetësuese të tilla si fjalimet e urrejtes nga politikanët, mungesa e qëndrueshmërisë dhe rezultate të dobëta nga politikat integruese të komunitetit Rom”.

Raporti vëren gjithashtu disa zhvillime pozitive të tilla si amendimi i Kodit Penal për të rritur mbrojtjen e personave LGBT, përpjekjet dhe puna e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të luftuar fjalimet e urrejtjes dhe miratimin e Kodit të Etikës nga Qeveria e Shqipërisë e cila ka dispozita për mosdiskriminimin. Gjithashtu, progres është bërë me rregjistrimin pranë gjendjeve civile dhe ndjekjen e shkollës nga komuniteti Rom.

Në anën tjetër aksesi në sistemin e drejtësisë mbetet i vështirë për viktimat e diskriminimit dhe mungojnë të dhënat e besueshme për krimet e urrejtjes. Mungojnë të dhënat e besueshme për të vlerësuar programet integruese për romët; rezultatet akademike të romëve dhe egjiptjanëve mbeten të dobëta dhe ndikojnë negativisht në aksesin e tyre në tregun e punës; dhe rreziku i dëbimit nga banesat ose vendet e qëndrimit pa strehim alternative mbetet i madh. Më tej, pavarësisht disa propozimeve ligjore, nuk ka asnjë ligj që të rregullojë jetën private të personave LGBT, të tilla si unionet civile.

ECRI ka bërë disa rekomandime për autoritetet shqiptare në raportin e tij. Dy të mëposhtmet kërkojnë zbatim të menjëhershëm dhe do të analizohen nga ECRI brenda dy viteve të ardhshme:

  • Të sigurohet akses në drejtësi i viktimave të diskriminimit përmes një sistemi funksional dhe të mirëfinancuar të ndihmës ligjore;
  • Të sigurohet që dëbimi i romëve dhe personave të tjerë të mos bëhet pa garantuar një strehim të përshtatshëm alternativ.

Raporti është përgatitur pas vizitës së ECRI-t në Shqipëri në Shtator 2014. ECRI është një organ i Këshillit të Europës dhe përbëhet nga ekspertë të pavarur që monitoron problemet e racizmit, ksenofobisë, anti-semitizmit, intolerancës dhe diskriminimit dhe përgatit raporte të posaçme për vendet anëtare. 

Mbështetësit Dhe Partnerët