Shqipëria do mirëpresë takimin e Rrjetit Mesdhetar LGBT ne 2013

Zhvillohet në Stamboll takimi i rradhës me Rrjetin Mesdhetar 

Në datat 14-17 Qershor 2012, ILGA-Europe organizoi takimin vjetor për të drejtat LGBT. I mbajtur në Stamboll të Turqisë, rrjeti mirëpriti organizata nga Malta (Malta Gay Rights Movement dhe Aditus), Italia (Certi Diritt), Greqia (Good as You(th) dhe OLKE), Qipro (Accept LGBT Cyprus dhe Queer Cyprus), Turqia (Morel Eskisehir LGBT Organization, PINK Life, LISTAG, LambdaIstanbul, Black Pink Triangle Izmir Association, SPOD dhe Kaos GL) dhe Shqipëria e cila u përfaqësua me Ambasadën PINK/LGBT Pro Shqipëri.

Anëtarët e organizatave LGBT morrën trajnim për ndërtimin e një strategjie advokimi për të drejtat LGBT duke marrë shembuj konkretë nga vendet përkatëse. Trajnimi u zhvillua në formë interaktive, ku kishte shumë ushtrime të marra nga eksperienca e organizatave pjesëmarrëse. Ditën e fundit pati një konferencë për shtyp ku ishin të pranishëm edhe anëtarë të tjerë të lëvizjeve LGBT në Turqi. Një tjetër trajnim u zhvillua mbi dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të komunitetit si dhe të dokumentimit të krimeve të urrejtjes. Në këtë seancë u zhvilluan edhe ushtrime dhe hapësirë për përfaqësuesit e organizatave që të shkëmbenin eksperienca.

Rrjeti Mesdhetar krijoi mundësi shumë të mira për njohjen e përfaqësuesve të organizatave, punën e tyre dhe shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira. Gjithashtu kjo ishte një mundësi e mirë për të kuptuar dinamikat e ngjashme kulturore mes vendeve mesdhetare si:

  • Homofobia dhe heteronormativiteti i integruar në kulturën popullore. 
  • Ndikimi fetar që punon kundër diversitetit. 
  • Lufta për mbijetesë e organizatave LGBT (fondet, punonjësit dhe komuniteti) 
  • Përkrahja e dobët nga qeveritë dhe politika. 
  • Përkrahja më e shumtë nga komuniteti ndërkombëtar. 
  • Vështirësitë për angazhimin dhe përfshirjen e komunitetit LGBT.

Përfaqësuesit e ILGA-Europe ndihmuan këtë rrjet duke ndarë eksperienca, materiale dhe mundësi nga vendet e tjera europiane.

Në fund, Rrjeti Mesdhetar zhvilloi një seancë pwrzgjedhjeje për organizimin e takimit vjetor vitin e ardhshëm dhe me shumicë votash, u zgjodh Shqipëria. Ambasada PINK falenderon ILGA-Europe për organizimin e kësaj iniciative si dhe komunitetin LGBT dhe organizatat turke për mikpritjen e tyre.

Rrjeti Mesdhetar është i domosdoshëm për identifikimin e të gjitha mundësive që ofron bashkëpunimi, solidariteti dhe ndarja e eksperiencave sidomos në një rajon ende të dominuar nga homofobia dhe transfobia.

Le të vazhdojmë punën tonë për shoqëri mesdhetare më tolerante ku secili grup gëzon liritë dhe të drejtat e veta.

Ju mirëpresim në Tiranë, në vitin 2013.

Mbështetësit Dhe Partnerët