Studentë të punës sociale njihen me nevojat e komunitetit LGBTI

6 Qershor 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës zhvilluan pranë këtij të fundit një workshop me mbi 30 studentë të degës Punë Sociale. Workshopi shërbeu si një ushtrim praktik për të vlerësuar konkretisht problemet dhe nevojat e personave LGBTI si dhe ndërhyrjet dhe ndihma që u duhet dhënë atyre nga punonjësit socialë.

Organizata ndahu me studentët katër raste konkrete diskriminimi, dhune, përjashtimi nga rrethi familjar dhe kërcenimesh të ndryshme. Këto raste janë rregjistruar dhe adresuar nga Ambasada PINK gjatë aktivitetit të saj këto vitet e fundit. Pas njohjes me rastin, studentët iu përgjigjën pyetjeve se çfarë proçedure do të ndiqnin për të vlerësuar situatën e personit, cilat do të ishin problemet dhe çështjet kryesore të individit dhe çfarë plani pune dhe mbështetje do të ngrinin ata pas njohjes dhe vlerësimit të rastit.

Studentët punuan në grup për të dhënë inputet e tyre dhe më pas prezantuan gjetjet. Workshopi shërbeu në mënyrë që ata të identifikojnë jo vetëm hapat e zakonshme që ndiqen për të asistuar një person që mund të jetë viktimë e diskriminimit, dhunës etj por të kuptojnë shumë më konkretisht disa nga sfidat specifike dhe të veçanta me të cilat përballen njerëzit e që vijnë nga diskriminimi për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor.

Në komentet e tyre studentët e vlerësuan shumë workshopin sepse ai u dha mundësi që të shohin shumë më konkretisht dhe realisht nevojat dhe sfidat me të cilat përballen personat LGBT dhe të bëjnë një lloj dallimi midis materialeve teorike dhe nevojës për tu përshtatur në praktikë me dinamika dhe probleme komplekse të individëve. Këtu përfshiheshin nevoja për tu njohur me ligjet, me praktikat dhe kompetencat e institucioneve, me domosdoshmërinë për të ruajtur anonimatin apo konfidencialitetin e personave LGBTI, vështirësia për të komunikuar me individë të pa-fuqizuar dhe që përballen me një sërë problematikash etj.

Ata gjithashtu vlerësuan faktin që kjo praktikë i bëri të ndihen shumë më pranë problemeve të personave LGBTI dhe të zhvillojnë atë element të empatisë apo ndjeshmërisë së domosdoshme ndaj personave LGBTI.

PINK falenderon Fakultetin e Shkencave Sociale për mbështetjen dhe bashkëpunimin në zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese me studentët e punës sociale dhe sociologjisë.

Disa javë më parë studentët që morën pjesë në workshop ndoqën një trajnim të PINK mbi të drejtat LGBTI, konceptet teorike dhe akademike dhe ofrimin e shërbimeve miqësore ndaj personave LGBTI.

PINK fton të gjitha institucionet akademike dhe të pavarura që shohin me rëndësi dhe interes zhvillimin e trajnimeve dhe leksioneve për tematikën LGBT të kontaktojnë në adresën [email protected]

Mbështetësit Dhe Partnerët