STUDIMI I AMBASADËS PINK: ADOLESHENTËT LGBT VIKTIMA TË DHUNËS BASHKËMOSHATARE/BULIZMIT

18 maj 2016, Tiranë – 1 në 4 adoleshentë deklarojnë se nuk i pranojnë bashkëmoshatarët e tyre LGBT dhe 64 % deklarojnë se nuk i pranojnë apo respektojnë. Adoleshentët janë dëshmitarë të diskriminimit në ambjentet shkollore dhe bashkëmoshatarët e tyre janë dhunuesit më të shpeshtë. Janë këto disa nga gjetjet paraprake të studimit “Eksperiencat e disktiminimit të adoleshentëve në shkolla” prezantuar sot nga Ambasada Pink pranë Hotel Tirana International. Studimi hedh dritë mbi perceptimet aktuale mbi çështjet LGBT, diskriminimin dhe trajtimin e barabartë, të mësuesve, nxënësve dhe psikologëve të 18 shkollave të mesme në 6 qytete të vendit.

Studimi i prezantuar sot në konferencën e organizuar nga Ambasada Pink në bashkëpunim me Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në kuadër të programit “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal” të mbështetur nga Bashkimi Europian, është i pari studimi me një kampion kaq të madh adoleshentësh prej 1438 nxënësish dhe 248 mësuesish në 6 qytete të vendit. Studimi kampionoi vitin e parë, të dytë dhe të tretë të 18 shkollave të mesme në 6 qytetet më të mëdha të vendit ku 62% ishin vajza dhe 37% djem.

Të dhënat paraprake hodhën dritë mbi format më të shpeshta të diskriminimit ndërmjet adoleshentëve, shpështësisë e ndodhjes dhe trajtimit të tyre nga punonjësit dhe drejtuesit arsimore, si dhe viktimizimin e adoleshentëve nga të gjitha format e diskriminimit të përcaktuara në Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe në Ligjin për Sistemin Arsimor Parauniversitar. 82.3% të të rinjve pohuan se kishin dijeni për Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe se interneti ishte burimi kryesor i dijes së tyre.

Adoleshentët kanë perceptime të vakëta mbi personat që mbron Ligji, veçanërisht për grupet vulnerabël si komunitetin rom (vetëm 9%  mendon se ai i mbron), fëmijët (33%), LGBT (5.3% mendojnë se Ligji mbron komunitetin LGBT). Adoleshentët raportojnë se 50.3% kanë qënë dëshmitarë të diskriminimit dhe 17.3% prej tyre raportojnë se kjo ka qënë prej orientimit seksual. 1 në 3 të rinj raporton se një bashkëmoshatar ka qënë dhunuesi, ndërsa 18.3% raporton nga një i panjohur, pasuar me 15% raporton nga mësuesi.

5% e adoleshentëve në vitin e parë të shkollës së mesme raporton se janë ndier të diskriminuar për shkak të identitetit gjinor dhe 17 % e tyre shpreh se vijon të jetë i diskriminuar duke treguar një incidencë në vitet e shkollës të këtij fenomeni. Në lidhje me perceptimet e adoleshentëve ndaj bashkëmoshatrëve LGBT, 24% shprehet se nuk i pranon dot ndërsa kemi të dhëna të larta mbi bulizmin homofobik.

Për çdo informacion, ju lutem kontaktoni Ambasadën Pink në: [email protected]; Tel: 04 2265741 

Mbështetësit Dhe Partnerët