Të drejtat LGBT përballë reçesionit ILGA-Europe – Dublin 2012

nga Amarildo Fecanji

23 Tetor 2012 - Lëvizja LGBT në rang europian është shumë dimensionale sidomos krahasuar me rajonet apo vendet e ndryshme të kontinentit. Nëse marrim parasysh, prej fillimit, kontekstin shqiptar dhe e krahasojmë me atë europian në tërësi, vendi ynë është në hapat e parë të një integrimi të plotë të komunitetit LGBT në jetën politike, sociale dhe ekonomike, në pranimin e orientimeve të ndryshme seksuale dhe identiteve gjinore nga ana e shoqërisë dhe në implementimin e politikave sociale në të mirë të tij. Kjo u reflektua ndjeshëm edhe në konferencën e 16-të të ILGA Europe, i zhvilluar në datat 18-21 Tetor në Dublin të Irlandës, ku morri pjesë edhe Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri.

Tema e këtij viti, ishte “Avancimi i të drejtave LGBTI në kohë të vështira ekonomike” një subjekt shumë aktual dhe i ndjeshëm për të gjitha organizatat LGBT në Europë të cilat po vuajnë pasojat e reçesionit, shkurtimeve të buxheteve dhe ngadalësimit të reformave nga shtete të ndryshme. Sipas Z. Renato Sabbadini, zv. kryetar i ILGA-World ‘një nga problemet më aktuale të lëvizjes LGBT lidhet ngushtë me krizën financiare dhe reçesionin i cili ka prekur ndjeshëm buxhetet e shumë vendeve europiane dhe ka ndikuar në jetët e qytetarëve. Kjo ka bërë që komponentët më ekstremë të shoqërisë të shfrytëzojnë këtë gjendje për të sulmuar grupet më të dobëta të shoqërisë në emër të një bote nostalgjike të së shkuarës ku të huajt dhe emigrantët nuk ekzistonin, në emër të nacionalizmit apo të një bote rregullash strikte ku burri është burrë dhe gruaja është grua dhe rolet e tyre janë shumë të qarta. Pra në emër të të ashtuquajturave vlera tradicionale”.

Përkrah kësaj situate mbarë-europiane u vu në dukje një tjetër fenomen shqetësues; të ashtuquajturat ligje anti-gay të cilat janë miratuar në disa shtete ruse dhe po përpiqen të implementohen edhe në vende, ish pjesë të Bashkimit Sovietik. Në fjalimin e tij Nils Muiznieks, Komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, ndër fenomenet më negative të këtyre muajve të fundit janë “ligjet ndaluese si në Rusi apo Ukrainë, krimet e urrejtjes dhe përkufizimi i ngushtë i konceptit të familjes, i prezantuar rëndom nga figura të ndryshme politike të cilët tashmë kanë filluar të lobojnë edhe në politikën e Brukselit.

Duke pasur parasysh këto kushte, në panelet e ndryshme të konferencës u vu në dukje nevoja për miratimin dhe vënien në fuqi të ligjeve të forta anti-diskriminim. Kushtet e vështira ekonomike nuk duhet të jenë justifikim për evokimin e fantazmave ekstreme të së shkuarës, dhe për këtë qëllim grupet progresive në çdo shoqëri europiane duhet të jenë bashkë në këto përpjekje. Sipas një aktivisti irlandez, justifikimi se në kushte të vështira ekonomike nuk ka vend për politika sociale është i papranueshëm. Në fakt, jo çdo reformë, kërkon para dhe buxhete. Pjesa më e madhe e ndryshimeve që kërkohen në shoqëri janë të lidhura me mentalitetin dhe sjelljen e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Përshembull bulizmi në shkolla, deklaratat homofobike të politikanëve, sjellja e mjekëve apo oficerëve të policisë, kërkojnë shumë pak shpenzime dhe më shumë punë me informimin dhe ndryshimin e mentalitetit. Ndërkohë edhe çështje të tilla si partneritetet civile apo martesat, mund të sjellin vetëm benefite ekonomike dhe sociale për një shoqëri. Këto janë ndryshime të jashtëzakonshme të cilat më shumë se paratë kanë nevojë për një mendje të hapur nga qeveritë, politikanët dhe autoritetet.

Më tej, argumenti ekonomik, është shumë i dobët përballë avancimit të të drejtave LGBTI edhe për faktin se ky komunitet ka vuajtur historikisht diskriminimin dhe veçimin sa herë që çdo individ i këtij grupi ka pranuar hapur identitetin gjinor apo orientimin e tij/saj seksual. Në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera, të qënurit haptaz lezbike, gei, biseksual apo trasngjinor të ekspozon shpesh ndaj veçimit në rrethin shoqëror, dhunës dhe dëbimit nga familja, vështirësive për të gjetur punë dhe një diskriminimi dhe jo-tolerance të gjerë shoqërore.

Në mbyllje të konferencës, përpos problemeve dhe vështirësive të shumta me të cilat përballen personat LGBTI kudo në Europë, u përcollën edhe mesazhe pozitive e frymëzuese. Ministri i Punëve të Jashtme të Irlandës, Tanaiste Gilmore, kur foli përpara më shumë se 250 aktivistëve europianë tha: “Ka një gjeneratë irlandezësh të rinj, të cilët nuk do mund ta njihnin Irlandën e para 20-30 viteve. Ajo ishte një Irlandë ku divorci ishte i paligjshëm dhe i ndaluar nga Kushtetuta, ku kontraceptivët ishin të ndaluar dhe ku homoseksualiteti ishte krim. Fushatat e ndryshme për të ndryshuar ligjet irlandeze kanë qenë të vështira dhe shpesh përçarëse. Dikur, mijëra irlandezë LGBT shihnin emigrimin dhe largimin si të vetmet mundësi dhe ky realitet ka ndryshuar falë aktivistëve, organizatave të shoqërisë civile, politikanë dhe individë nga çdo fushë e jetës të cilët e mbajtën gjallë ëndrën e të drejtave të njeriut dhe vepruan me përgjegjshmëri për të ndryshuar vendin e tyre.”

Mbështetësit Dhe Partnerët