Të rinjtë shqiptarë janë homofobë - Shkaqet kryesore: mungesa e informacionit dhe kontakteve

Tiranë, 18 Janar 2013 - Të rinjtë shqiptarë kanë një nivel shumë të lartë paragjykimi dhe intolerance ndaj homoseksualëve, pra thënë ndryshe janë homofobë. Ky fakt, konfirmohet edhe nga një studim voluminor me temën “Rinia Shqiptare 2011: Mes besimit për të ardhmen dhe dyshimit për të tashmen”. Me mbështetjen e Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” studimi ka mbledhur të dhëna gjatë periudhës Shtator-Nëntor 2011 dhe për herë të parë në vendin tonë hedh dritë mbi perceptimet e të rinjve mbi një listë të gjatë fushash, temash dhe çështjesh. Studimi është i ndarë në katër kapituj me temat: “Të rinjtë dhe komuniteti: Besimi dhe Vlerat”, “Familja dhe Lidhjet Shoqërore”. “Arsimi dhe Punësimi” dhe “Shqetësimet dhe aspiratat”.

Në kapitullin e parë shihen edhe perceptimet e të rinjve mbi grupe të ndryshme sociale përfshi këtu çiftet homoseksuale. I parë në kuadër të besimit ndaj anëtarëve të tjerë të shoqërisë, përfshirjes sociale, vullnetarizmit dhe diskriminimit, kjo pjesë e studimit tregon fillimisht se të rinjtë shqiptarë, mbase për shkaqe të tilla si tranzicioni i stërzgjatur dhe ndryshimet demografike kanë besim të ulët tek njëri-tjetri, tek fqinjët dhe tek vullnetarizmi. Kjo ulje e rëndë e besimit shoqërohet me një tolerance të ulët të të rinjve shqiptarë dhe diskriminim ndaj kategorive të ndryshme qofshin ato gjinore, etnike apo ekonomike duke cituar si shkaqe kryesore patriarkalizmin, racizmin etj.

Por reagimet më negative dhe tendenca më të forta diskriminimi duhet se të rinjtë shqiptarë i shfaqin ndaj personave homoseksualë. Studimi tregon se edhe pse të rinjtë shqiptarë janë përgjithësisht të hapur ndaj grupeve të ndryshme shoqërore ata kanë një ndjenjë të theksuar paragjykimi ndaj homoseksualëve, pra janë homofobë.

Studimi tregon se tendenca e të rinjve shqiptarë është të kenë besim shumë të ulët tek fqinjët me një vlerë mesatare prej 3.35 nga 10 maksimale çka është vlera më e ulët se çdo kategori tjetër në listën e vlerave. Përkrah këtij mosbesimi të lartë, studimi tregon se të rinjtë shfaqin paragjykime apo edhe elementë diskriminimi mbi grupe apo individë të caktuar. Të pyetur në një formë eksperimentale, të anketuarit u pyetën se si do të reagonin në rast se një familje apo një çift me karakteristika të caktuara do të vinte afër tyre.

Falë këtij eksperimenti u kuptua se të rinjtë shqiptarë kanë paragjykime të forta për personat me orientim seksual të ndryshëm. Pesëdhjetë (50) përqind e të rinjve shqiptarë nuk do ta mirëprisnin fqinjësinë me një çift homoseksual dhe do të ndiheshin keq ose shumë keq nga një gjë e tillë. Meshkujt kanë përqindje më të lartë paragjykimi me mbi 67% krahasuar me 46% të femrave ndërkohë që homofobia është e shtrirë në çdo kategori. Të rinjtë në fshatra janë më paragjykues se sa të rinjtë në qytet, ndërsa femrat rezultojnë të jenë më tolerante ose indiferente nga fqinjësia me një çift homoseksualësh.

Këto shifra alarmante ndërkohë lidhen ngushtë me nivelin e njohurive dhe kontaktit që të rinjtë kanë me grupet e ndryshme sociale. Kështu duket se qëndrimet tolerante apo diskriminuese janë të lidhura në mënyrë të drejtë me nivelin e njohurive dhe familiarizimin me një komunitet të caktuar si dhe me presionin shoqëror apo atë të opinionit publik ndaj grupeve të ndryshme sociale.

Ky studim ashtu si edhe sondazhe dhe vëshgime të tjera tregojnë se homofobia e të rinjve shqiptarë më shumë se sa nga eksperienca të këqia apo kontakte të drejtpërdrejta lidhet me mungesën e dijeve mbi çështjet LGBT dhe të seksualitetit ashtu si edhe nga mungesa e kontakteve me këtë grup social. Kjo kushtëzohet së shumti nga paragjykimet e forta që ekzistojnë ndaj këtij komuniteti çka rezulton në një izolim dhe frikë të personave LGBT për të pranuar orientimin e tyre seksual apo për ta bërë atë të ditur tek grupet e tyre shoqërore.

Gjithashtu, ky studim është një dokument i rëndësishëm rezultatet e të cilit duhet të alarmojnë qeverinë dhe opinionin publik shqiptar duke bërë të domosdoshme rritjen e punës dhe përpjekjeve për më shumë tolerancë, besim dhe pranim ndaj grupeve të ndryshme sociale nga të rinjtë shqiptarë.

Disa nga rekomandimet kryesore të studimit në lidhje me këtë pjesë lidhen pikërisht me punën që duhet bërë në luftën kundër diskriminimit. Më konkretisht rekomandimet janë:

  • Në ambjentet e shkollave dhe vendeve të punës duhet të jetë përparësi lufta ndaj diskriminimit në përgjithësi dhe homofobisë në veçanti duke përdorur forma të edukimit, socializimit dhe ndërgjegjësimit. Qëllimi i këtyre veprimeve duhet të synojë vendosjen e një norme: Tolerancë zero për diskriminimin!
  • Media duhet të tregojë kujdes të veçantë dhe përgjegjshmëri duke u lejuar hapësirë të majftueshme elementeve edukative dhe ndërgjegjësues, duke kapërcyer prirjen e trajtimit të homoseksualitetit si një temë me nota të lajmit skandaloz, ngjyra dhe elemente konfrontuese e skandalistike.
  • Donatorët duhet të rrisin mbështetjen dhe të inkurajojnë më tej shoqërinë civile dhe nismat e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në pëgjithësi dhe luftën ndaj diskriminimit në veçanti.

Edhe pse të dhënat e këtij studimi janë alarmante, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri shpreh besimin e plotë në mundësinë e ndryshimit të këtij realiteti duke patur parasysh eksperiencën tashmë disa vjeçare të bashkëpunimit me të rinjtë shqiptarë por edhe duke njohur faktin, tashmë edhe të mbështetur në studime seriozi si ky i sipërcituar, që pjesa më e madhe e paragjykimeve të të rinjve shqiptarë ndaj komunitetit LGBT vijnë për shkak të mungesës së informacionit dhe kontakteve njerëzore.

Gjithashtu Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrive dhe institucioneve të tjera ti bashkohen sa më herët punës së nisur nga organizatat e shoqërisë civile, Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit, Avokati i Popullit dhe Ministria e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që të përfshijnë sa më herët në planet e tyre të punës, projekte edukuese dhe informuese në dobi të rritjes së informacionit për komunitetin LGBT dhe të drejtat e tyre. Plani i Veprimit i miratuar së fundmi nga Ministria e Punës duhet të shërbejë si një burim referues për të nisur punën edukuese dhe ndërgjegjësuese në këtë kuadër.

Ashtu siç thuhet edhe në studim, e vetmja rrugë përpara është ajo e tolerancës zero ndaj diskriminimit. Të ndryshëm por të barabartë, të rinjtë shqiptarë mund të fitojnë besimin e humbur tek njëri-tjetri dhe të ndërtojnë një të ardhme më të bukur.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët