TË JESH LGBTI NË SHQIPËRI!

Fondacioni Erste, në kuadër të nismës së tyre “Kartolina nga Shqipëria”, bisedoi me Altin Hazizaj nga Ambasada PINK, një organizatë jofitimprurëse, që mbështet kauzën e komunitetit LGBT në Shqipëri, për ndryshimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit dhe pse 70% e mësuesve shqiptarë nuk besojnë në to!

Çështjet që shqetësojnë komunitetin LGBT (lezbike, gey, biseksual dhe transgjinor) ngjallin shpesh debate të nxehta në Europën Qëndrore. As jeta nuk është e lehtë për ta në Ballkan. Altin Hazizaj, jurist, aktivist dhe President i Ambasadës Pink, ka luftuar për të drejtat e komunitetit LGBT shqiptar prej shumë vitesh. Përveç shumë iniciativave, qëllimi parësor i organizatës është të ofrojë informacione dhe mbështetje për komunitetin LGBTI në Shqipëri.

Altin Hazizaj ka qenë i përfshirë me komunitetin LGBT për vite me rradhë dhe është krenar për të.

Photo: © Julia Putzger

Ambasada Pink është kryesisht e përfshirë në zbatimin e vendimeve dhe ligjeve që synojnë ta bëjnë jetën më të lehtë për komunitetin  LGBT në Shqipëri. A gjen sërish kohë për të biseduar me pjestarët e komunitetit personalisht?

Po, patjetër. Komuniteti LGBT në Shqipëri është shumë i vogël, dhe për këtë arsye ka nevojë për shumë mbështetje. Këtu në Tiranë situata është pak ndryshe, por sapo del jashtë kryeqytetit, vëren se komuniteti nuk është i organizuar. Një nga shqetësimet tona është se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për punën tonë dhe për punën e organizatave të tjera që përfaqsojnë interesat e komunitetit. Kjo e bën edhe më të vështirë ndërtimin e diçkaje.

Ju keni nisur në vitin 2006 dhe Ambasada Pink ka qenë një organizatë e pavarur që prej vitit 2010. Marshimi i 1-rë i Krenarisë (Pride) u zhvillua në vitin 2013. Si reagoi shoqëria shqiptare kur lëvizja LGBT befas u bë e dukshme?

Parada e parë që organizuam ishte modeste dhe e kufizuar në qendër të qytetit. Parada e dytë u përhap në të gjithë qytetin, duke mos u kufizuar vetëm në bulevardin kryesor ‘’Dëshmorët e Kombit’’, por shkoi deri në një prej lagjeve të njohura të Tiranës, Bllokun. Gjithmonë ka shumë të rinj e të reja në ambientet e kësaj  lagjeje. Në mesin e të gjithë atyre njerëzve, nuk ishte një person i vetëm që të na fyente. Kjo tregon se, të paktën në Tiranë, ka një nivel të caktuar të pranueshmërisë. Pa dyshim, ne nuk mbanim rroba me shkëlqim që për shembull personat transgjinorë mbajnë zakonisht. Ne ishim si persona të zakonshëm, siç vishemi kur shkojmë në zyrë apo kur dalim jashtë. Unë jam i sigurt se do të kishim telashe po të ndodhte ndryshe. Nëse do të kishim parada si ato që bëhen në Berlin, me siguri do të ishte një provokim për njerëzit këtu. Ne nuk jemi ende atje.

"Njerëzit e komunitetit LGBT nuk do t'ju kafshojnë, dhe të qenit LGBT nuk është  sëmundje ngjitëse. Të gjithë ne duam që të jemi krenarë për veten tonë si gjithë të tjerët. "

A mendoni se kjo do të jetë e mundur një ditë?

Unë mendoj se ndërgjegjësimi dhe pranueshmëria për çështjet LGBT po rritet sepse ne ju japim njerëzve informacion. Ato shikojnë eventet që ne organizojmë, mësojnë rreth tyre në shkollë ose i shohin në TV. Ata janë të ekspozuar ndaj punës tonë, për ta thënë kështu. Megjithatë, ngjarjet siç është parada e Berlinit do të ishin shumë ekstreme. Kjo nuk ka të bëjë aspak me komunitetin LGBT por me faktin që Shqipëria është një vend tradicional. Kur vjen puna te seksualiteti, njerëzit janë më të rezervuar. Ne duhet ta respektojmë atë dhe të gjejmë një kornizë të përbashkët që nuk kufizon as të drejtat tona dhe as të drejtat e të tjerëve. Ne nuk kemi dashur asnjëherë të provokojmë askënd, ne duam thjesht që qytetarët  të kuptojnë që kjo ka të bëjë me të drejtat e çdo individi. Personat e komunitetit LGBT nuk kafshojnë dhe të qënit LGBT nuk është një sëmundje ngjitëse. Të gjithë duam që të jemi krenarë për veten tonë si gjithë të tjerët. Ky qytet do të jetë më i bukur nëse ka më tepër diversitet dhe respekt.

A e ka realizuar puna juaj ndryshimin?

Absolutisht! Në përgjithësi, mund të thuash se komuniteti LGBT është më i pranuar dhe shihet në një dritë më pozitive. Kur filluam në 2010, vështirë se mund të gjeje më tepër se 5 persona në një dhomë për të diskutuar për të drejtat LGBTI. Sot, ka zyrtarë të Qeverisë që kuptojnë se kanë përgjegjësi përkundrejt komunitetit, të dëgjojnë dhe të jenë pro-aktivë. Nëse i tregoje dikujt në 2010 që ishe gay ose lezbike, njerëzit do të të trajtonin shumë keq sepse ishin të keqinformuar. Për shembull, shumë besonin se gay-t ishin pedofilë. Informacioni që kemi ofruar ka një ndikim shumë të madh tani. Gjithashtu marrëdhëniet tona me policinë janë përmirësuar. Në të kaluarën, personat e komunitetit LGBT, shpesh, akuzoheshin rastësisht për të gjitha llojet e keqbërjeve dhe arrestoheshin. Sot ne bashkëpunojmë edhe me akademinë e policisë. Ne trajnojmë oficerët të respektojnë të drejtat LGBTI dhe të mbrojnë njerëzit tanë. Urrejtja që lidhet me orientimin seksual është një vepër penale dhe duhet të dënohet.

A e hasni shpesh urrejtjen dhe dhunën?

E rëndësishme është se Parada e Krenarisë nuk është sulmuar asnjëherë dhe nuk ka ndodhur asnjë incident. Ka patur vetëm një të vogël gjatë paradës së biçiletave në vitin 2013, një ndër dy paradat e Krenarisë  në Tiranë. Dikush hodhi një shashkë tymuese tek pjesëmarrësit që ishin ulur në një kafene pas paradës. Megjithatë, nuk pati asnjë hetim të plotë nëse ngjarja kishte lidhje me marshimin apo jo. Por, ka shumë urrejtje në rrjetet sociale. Shumë politikanë janë kundër këtyre zhvillimeve. Ata gjithashtu e dinë se mediat tërhiqen nga kjo temë dhe në këtë mënyrë përfitojnë nga ky fakt për të shmangur vëmendjen nga çështje të tjera. Ata dëshirojnë të na bëjnë përgjegjës për gjërat që shkojnë keq dhe fillojnë diskutime që as nuk i kemi kërkuar. Ne përpiqemi ta parandalojmë këtë duke trajtuar tema të ndjeshme dhe duke sjellë në arenën e diskutimit mendime që tregojnë mungesën e argumenteve të politikanëve. Unë besoj se kjo është një nga strategjitë më të mira në punën tonë.

Aktivistët e LGBT shqiptarë gjatë Paradës Gay në Tiranë për të shënuar ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT) në bulevardin kryesor të Tiranës më 13 Maj,2018.

Ekspozimi si gay apo lezbike nuk është kurrë i lehtë. Adoleshentët dhe të rinjtë shqiptarë rrallë mund të presin një reagim pozitiv, veçanërisht nga anëtarët e familjes?

Të jesh i pranuar nga familja me të vërtetë është një problem serioz. Dhe do të duhet një kohë e gjatë para se gjërat të ndryshojnë në këtë drejtim. Kohët e fundit kemi përfunduar një studim për të mësuar rreth qëndrimeve të mësuesve ndaj nxënësve LGBT. Një pyetje që i drejtuam ishte: "Nëse fëmija juaj do të ishte gay, lezbike, biseksual apo transgjinor, a do ta pranonit dhe a do ta përkrahni fëmijën tuaj?" 70% e të anketuarve u përgjigjën JO. Eshtë shumë! 70% me të vërtetë besojnë se diçka është e gabuar me fëmijën e tyre, që një fëmijë gay, lezbike apo transeksual nuk ka dinjitet njerëzor. Ne duhet të mendojmë se si mund t'i informojmë prindërit dhe të ndryshojmë qëndrimet e tyre. Është shumë e vështirë për të kuptuar pse? Në politikë kemi ligje, mund të bëjmë dikë përgjegjës e kështu me radhë. Kur vjen puna te prindërit, askush nuk ka të drejtë të shkojë në shtëpinë e tyre dhe të përfshihet në diskutimet që zhvillon familja. Pra, në këtë kuadër janë TV, radio dhe mjetet e informimit që mund të thyejnë këto barriera.

“Shtatëdhjetë për qind  me të vërtetë besojnë se diçka është e gabuar me fëmijën e tyre, që një fëmijë gay, lezbike apo transeksual nuk ka dinjitet  njerëzor’’

Për këtë arsye ekziston Streha në Tiranë, - një vend strehimi për të rinjtë që kanë probleme serioze me prindërit e tyre për shkak të orientimit seksual. A mbështeten shumë në shërbim?

Për fat të mirë, shumë pak të rinj kanë nevojë ta përdorin këtë mundësi. Kur adoleshentët ose të rinjtë dalin hapur në familjet e tyre, në shumicën e rasteve problemet zgjasin dy deri katër javë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo është zgjidhur. Shumica e familjeve kalojnë nëpër disa kriza, veçanërisht gjatë javës së parë. Për këtë arsye ne kemi ngritur një linjë ndihme në rastet e krizave që kushdo mund të telefonojë 24/7. Të dy  palët si adoleshentët dhe prindërit e tyre mund të telefonojnë  dhe të bëjnë çfarëdo  pyetje që mund të kenë. Për më tepër, ne gjithashtu sigurojmë një sasi të madhe informacioni mbi faqen e internetit të Ambasadës Pink, dhe  kemi dy udhëzues praktik për këtë çështje. Por, ndoshta duhet të mendojmë edhe më shumë në mënyrë strategjike për të arritur që  prindërit të mbështesin fëmijët e tyre dhe të shmangim një situatë të ngjashme me atë që na tregojnë të dhënat e studimit të qëndrimeve të mësuesve ndaj adoleshentëve LGBTI.

Cili është problemi më i madh për prindërit?

Ekziston një film i bukur shqiptar që nuk ka të bëjë me LGBT, por me martesën jashtë dëshirës. Në film, një çift vendos të ndahet nga njëri-tjetrin. Megjithatë, problemi që kanë të dy është se si t'i tregojnë Botës, miqve e njerëzve që i rrethojnë. Shumë prindër kanë ekzaktësisht të njëjtin problem. Nuk është se ata janë tepër të shqetësuar për seksualitetin e fëmijëve të tyre, por më tepër për atë që shoqëria do t'u bëjë fëmijëve të tyre. Frika më e madhe është se djali ose vajza e tyre do të ngacmohet nga fëmijët e tjerë ose nga mësuesit e tyre. Pra, është më shumë një shqetësim për lumturinë, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen nga dhuna. Ky është një shqetësim legjitim që të gjithë prindërit e kanë.

Çfarë mund të bëni për të parandaluar që kjo të ndodhë?

Ne përpiqemi të zgjidhim problemin në disa fronte: Ne informojmë dhe trajnojmë mësuesit, u sigurojmë atyre informacion në mënyrë që ata të ndryshojnë qëndrimin e tyre, ta ndajnë atë dhe të respektojnë të drejtat e LGBT. Për më tepër, ne mendojmë se si mund të bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit për t'i bërë shkollat një vend të sigurt ku fëmijët nuk dhunohen, lëndohen apo diskriminohen. Nga ana tjetër, ne përpiqemi, siç thashë, që të bashkëpunojmë më ngushtë me policinë dhe të ndërtojmë ndërgjegjësimin për këtë çështje. Patjetër që do të duhen studime të mëtejshme për të parë më afër problemet e familjeve, sepse studimi aktual fokusohet vetëm te mësuesit. Atëherë ne mund të zhvillojmë strategji dhe plane të tjera.

Gjatë gjithë këtyre viteve që keni mbështetur komunitetin LGBT, a ka ndonjë moment që ju kujtohet veçanërisht mirë?

Në vitin 2010 organizuam festivalin tonë të parë të diversitetit. Kjo ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë që një aktivitet LGBT u zhvillua në zemër të qytetit. Kishte shumë frikë - nga ana e të gjithë të tjerëve, natyrisht, jo ne. Çfarë do të bëjnë këta persona të komunitetit LGBT? A do të tregojnë ata gjoksin dhe vithet e tyre apo kushedi çfarë? Me të vërtetë, ato ishin shqetësimet e tyre. Ne kishim njoftuar se do ta dorëzonim flamurin “Rainbow” te kryeministri, dhe mediat mendonin se do të ishte një paradë e madhe. Sidoqoftë, nuk kishim folur kurrë për ndonjë paradë. Të gjitha aktivitetet u zhvilluan në bulevardin kryesor, dhe në fillim të festimeve u zhvillua një konferencë shtypi, te Hotel ‘’Rogner’’ 150 metra larg selisë qeveritare. Ajo që ndodhi, ishte se: Ne të gjithë kishim  flamuj dhe çadra me ngjyrat e ylberit, dhe pas konferencës për shtyp nxituam nga Hotel ‘’Rogner’’ drejt Kryeministrisë.

Çdo gjë ishte aq e gjallë dhe shumëngjyrëshe!

Më vonë, një mik më tha, 'Altin, ne patëm një paradë “gjithëngjyrëshe” pas të gjithave!' Por kjo nuk ishte planifikuar kurrë në këtë mënyrë; kjo vetëm ndodhi.

Mbështetësit Dhe Partnerët