Tekstet diskriminuese të ndryshohen ose hiqen nga qarkullimi

24 Dhjetor 2012 - Zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka njoftuar ditën e sotme Ambasadën PINK/LGBT Pro Shqipëri, për vendimin e marrë në lidhje me tekstet universitare që diskriminojnë hapur komunitetin e personave lesbike, gei, biseksualë dhe transgjinorë në Shqipëri.

Në datën 7 Nëntor, Ambasada PINK përmes një deklarate për shtyp dhe dërgimit të ankesës së posaçme tek zyrat e KMD, kërkoi heqjen nga tregu të të gjitha teksteve me përmbajtje diskriminuese ndaj komunitetit LGBT në vend dhe përditësimin e të gjitha teksteve akademike ku flitet për marrëdhëniet e gjinisë së njëjtë duke përmendur këtu në veçanti dy tekste të mjekësisë ligjore.

Në përgjigjen e sotme, zyra e KMD konstatoi se në tekstin mësimor “Mjekësia Ligjore”, Tiranë 2007, në faqen 140, homoseksualizmi rreshtohet përkrah “perversioneve seksuale që hasen më shpesh në praktikë” si fetishizmi, eksibicionizmi, sadismi dhe mazokizmi, skoptofilia, zoofilia dhe nekrofilia. Po ashtu në tekstin “Mjekësia Ligjore” të shtëpisë botuese “Arbëria” në faqen 141 shkruhet ndër të tjera se “perversionet seksuale janë shmangie nga norma e instiktit seksual… Disa nga perversionet seksuale që hasen më shpesh janë: a) Homoseksualizmi është prirja për epsh seksual me persona të të njëjtit seks…” Në një dokument të mëparshëm të dorëzuar nga një prej autorëve të këtij teksti Prof. Dr. S. Meksi, Fakultetit të Drejtësisë, pranohet “që teksti i sipërcituar në faqet 140-141 përmban koncepte aktualisht jo të pranueshme nga Organizata Botëore e Shëndetësisë mbi përdorimin e termit perversion seksual”.

Duke marrë parasysh sa më sipër KMD ka sqaruar se “përcaktime të tilla që e përfshijnë homoseksualizmin në grupin e perversioneve seksuale përbën një përcaktim të gabuar, jo shkencor dhe diskriminues për shkak të orientimit seksual dhe identietit gjinor. Dhënia e këtyre koncepteve studentëve në auditore krijon perceptime të gabuara për këtë kategori duke ndikuar në formimin e këtyre studentëve si mjekë dhe juristë të ardhshëm”.

Për këto arsye Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka vendosur; se përmbajtja e tekstit “Mjekësia Ligjore” është disrkiminues; autorët të cilët kanë konsumuar sjelljen diskriminuese duhet që brenda 60 ditëve të bëjnë modifikimin ose në rastin kur nuk është i mundur heqjen nga tregu dhe bibliotekat e institucioneve të këtij libri; më tej, duhet që autorët Prof. Dr. S. Meksi dhe Prof. Dr. B. Cipi brenda 30 ditëve të njoftojnë Komisioneren lidhur me veprimet e ndërmara për zbatimin e këtij vendimi duke depozituar një kopje të librit me ndryshimet e bëra; në rast moszbatimi të këtij vendimi sjell ndëshkimin me gjobë sipas paragjikimeve ligjore.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dëshiron të falenderojë zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për marrjen në shqyrtim sa më herët të këtij rasti dhe për marrjen e një vendimi të drejtë që kërkon ndryshimin e përmbajtjes së këtyre teksteve ose në pamundësi për heqjen e tyre nga qarkullimi.

Gjithashtu PINK dëshiron ti kujtojmë opinionit publik se homoseksualiteti është hequr nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Statistikave të Sëmundjeve dhe Problemeve lidhur me shëndetin i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që prej vitit 1990.

Mbështetësit Dhe Partnerët