Tekstet universitare diskriminojnë dhe paragjykojnë hapur komunitetin LGBT në Shqipëri!

AMBASADA PINK kërkon heqjen nga tregu të të gjitha teksteve me përmbajtje diskriminuese ndaj komunitetit LGBT në vend dhe përditësimin e të gjitha teksteve akademike ku flitet për marrëdhënien në gjini të njejtë!

Drejtuar: Znj. Irma Baraku
Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Z. Igli Totozani
Avokat i Popullit

Z. Myqerem Tafaj
Ministër i Arsimit dhe Shkencës

Z. Gudar Beqiraj (Akademik)
Kryetar i Akademisë së Shkencave

Dr. Altin Shegani
Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

Prof. Bajram Hysa
Dekan, Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri, një ndër organizatat kryesore në vend që punon për mbrojtjen e te drejtave të personave LGBT, përmes kësaj deklarate kërkon të bëjë publike shqetësimin e saj për përdorimin e teksteve diskriminuese nga Fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, me referencë homoseksualitetin.

Studentët e Fakulteteve të Drejtësisë dhe të Mjekësisë në Shqipëri, në tekstet akademike të miratuara nga Katedrat përkatëse mësojnë ndër të tjera se “Homoseksualiteti është perversion seksual”. Konkretisht në botimin e Mjekësisë Ligjore me autorë Prof. Dr. Sokrat Meksi dhe Prof. Dr. Bardhyl Çipi (2003) jepet kategorizimi i perversioneve seksuale ku ndër të tjera përfshihet edhe homoseksualizmi.

Vetë termi “homoseksual” është një term diskriminues për komunitetin LGBT, pasi përbën një përshkrim të gabuar mjeksor të sjelljes seksuale.

Ambasada/LGBT Pro Shqipëri deklaron se përcaktimi në tekstet e sipër-permendura është i gabuar, diskriminues dhe jo shkencor, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe komuniteti i gjerë i studiuesve dhe shkencëtarëve anembanë Botës, prej dekadash e kanë përjashtuar “homosekualitetin” nga grupi i patologjive dhe perversioneve seksuale.

Ambasada/LGBT Pro Shqipëri është e bindur se kjo “neglizhencë” po shkakton probleme të mëdha jo vetëm në formimin e mjekëve dhe juristëve të ardhshëm, por për më tepër, ajo mund të sjellë edhe interpretime gjyqësore të këtyre sjelljeve. Nga ana tjetër janë këto lloj qendrimesh dhe përkufizimesh që mund të justifikojnë krimet dhe dhunën që mund të ushtohet ndaj individëve LGBT në Shqipëri.

Ky rast, tregon se tekstet akademike, të cilat botohen në vendin tonë shpesh janë të vjetra, të papërditësuara, të pa konsultuara dhe pranuara nga komuniteti i gjerë shkencor.

Përmes kësaj Deklarate Publike, Aambasada PINK kërkon me forcë nga:

  1. Heqjen nga tregu të tekstit të Mjekësisë Ligjore me autorë Prof. Dr. Sokrat Meksi dhe Prof. Dr. Bardhyl Çipi (2003), ose gjetjen e mundësisë së modifikimit të këtyre teksteve dhe heqjen e referencave mbi “homoseksualitetin”.
  2. Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të nis një hetim të gjerë jo vetëm për tekstin në fjalë, por për të gjitha tekstet mësimore dhe akademike ku flitet për homoseksualitetin, dhe të marr vendimet përkatëse sipas përcaktimeve të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskrimimini.
  3. Akademia e Shkencave dhe Fakuktetet e Mjekësisë dhe Juridike të të gjitha Universiteteve në Shqipëri, të marrin masa për të ndaluar përdorimin e këtyre teksteve diskriminuese. Masa duhen marrë edhe për përditësimin e teksteve bazuar tek literatura bashkëkohore, jodiskrminuese dhe të bazuar në burime shkencore të pranuara gjerësisht nga komuniteti i shkencëtareve.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri beson se e drejta e informimit është ndër të drejtat themelore të njeriut në një vend demokratik, prandaj institucionet duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar informimin e përshtatshëm, të drejtë dhe korrekt të studentëve dhe të çdo qytetari.

Mbështetësit Dhe Partnerët