THIRRJE E HAPUR - Drejtuar: Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

Tiranë, 18 Maj 2018 - Ambasada PINK, me anë të kësaj thirrje të hapur publike, drejtuar sot Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë deputetëve të saj, kërkon të sjellë në vëmendjen tuaj se Shqipëria vazhdon ende të shkelë të drejtat e njeriut të komunitetit LGBTI, pasi ende nuk lejon dhe nuk garanton barazinë në martesë për çdo qytetar të saj. Diskriminimi dhe përjashtimi social i komunitetit LGBTI shtrihet edhe në aspektin që është më e rëndësishme për çdo njeri, dashurinë dhe familjen.

Sot asnjë person LGBTI nuk gëzon të drejtën ligjore që të bashkëjetojë apo të martohet dhe të krijojë familje. Këtë të drejtë, në shkelje të hapur të Nenit 53 të Kushtetutës së Shqipërisë, Kodi i Familjes e përkufizon si lidhjen ndërmjet një burri dhe një gruaje, duke diskriminuar haptazi dhe pa asnjë argument ligjor, shkencor apo social, personat lezbike, gay, biseksualë dhe transgjinorë. Paragjykimet, frika, padituria dhe presioni fetar në Shqipëri, duket se janë faktorët që për një kohë kaq të gjatë kanë ndikuar në konstituimin e diskriminimit në martesë dhe bashkëjetesë!

Sot në Evropë 26 Shtete njohin barazinë në martesë dhe bashkëjetesë: 14 shtete zyrtarisht njohin barazinë në martesën civile në seks të njëjtë dhe 12 të tjera njohin bashkëjetesën civile. Eksperienca në këto shtete ka treguar se martesa dhe krijimi i familjeve LGBT, përkundër paragjykimeve, i ka forcuar shoqëritë duke i bërë ato më tolerante dhe më demokratike.

Barazia në martesë, edhe pse në dukje nuk është kërkesa më emergjente e komunitetit LGBTI në vend, është gjithsesi një ndër kërkesat kryesore në vend dhe në botë në emër të garantimit të barazisë në të drejta themelore të njeriut, ku përfshihet edhe ajo për të krijuar një familje dhe për të përmbushur të gjithë detyrimet që rrjedhin prej saj, pavarësisht orientimit seksual apo gjinisë së partnerit me të cilin/cilën ai/ajo dëshiron të lidhë jetën. Kjo e drejtë civile në asnjë aspekt të saj nuk cënon të drejtat dhe besimin e individëve të tjerë.

Ne duam t’i kujtojmë opinionit publik dhe Kuvendit të Shqipërisë, se Ambasada PINK ka kërkuar publikisht barazinë në martesë që prej vitit 2010. Në këtë kuadër, ne duam t’ju informojmë se gjatë ditëve në vijim, Ambasada PINK me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile nga e gjithë Shqipëria, do të paraqesë pranë Komisionit të Ligjeve kërkesat dhe rekomandimet tona ligjore, për ndryshimin e Kodit të Familjes në Shqipëri dhe eliminimin e çdo barriere në ligj që mban gjallë diskriminimin, përjashtimin dhe dhunën shtetërore ndaj individëve LGBTI.

Shqipëria nuk është një vend që i ngre ligjet e saj mbi bazën e diskriminimit të qytarëve të saj LGBTI. Ne ju ftojmë që të bëheni pjesë e kësaj lëvizjeje për barazi dhe dinjitet! BARAZI NË MARTESË PËR TË GJITHË!

Kjo thirrje e hapur mbështetet nga këto organizata dhe Rrjete kombëtare:

  1. Ambasada PINK
  2. Rrjeti Kombëtar për të Drejtat LGBTI
  3. Shtëpia e të Drejtave të Njeriut
  4. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  5. Open Mind Spectrum Shqipëri
  6. Partnerë për Fëmijët
  7. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri
  8. Qendra VATRA
  9. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
  10. Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë

Mbështetësit Dhe Partnerët