THIRRJE PËR APLIKIME - GRUPI RINOR “MIQTE E DIVERSITETIT”

Afati i fundit për aplikime: 31 Janar 2017

Të dashur miq dhe kolegë,

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri është një organizatë jo-fitimprurëse e cila punon për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë, interseks dhe queer në Shqipëri. Zanafilla e punës sonë janë mesi i viteve 2000 me grupin e aktivistëve LGBT Pro pranë CRCA Shqipëri të cilët lobuan për avancimet e para ligjore dhe krijuan idenë e Ambasadës PINK. Programi i parë nisi me “Pink Embassy” falë mbështetjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në bashkëpunim me COC Hollandë, një nga organizatat më të vjetra LGBT në vend.

Me përpjekjet e saj dhe me mbështetjen e partnerëve kombëtarë e ndërkombëtarë, në 17 Maj 2012 Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri realizoi “Festivalin e Diversitetit”, i pari aktivitet publik i realizuar në vend në një mjedis të hapur. Ky ishte një nga momentet më vendimtarë për njohjen e gjerë të kauzës LGBT në vend.

Prej muajit korrik 2016, mbështetur nga Programi i Granteve të Vogla të Ambasadës Amerikane, PINK është duke zbatuar iniciativën “Bulizmi dhe ngacmimet me bazë homofobinë në ambjentet shkollore”, i cili ka për qëllim adresimin e fenomenit dhe ndërgjegjësimin e adoleshentëve dhe shoqërisë mbi pasojat e rënda që bulizmi dhe ngacmimet homofobike sjellin në shoqëri. Përmes kësaj thirrje ne ftojmë të gjithë partnerët tanë të shoqërisë civile, akademinë, të rinj dhe aktivistë të nominojnë të rinj të motivuar dhe mirë-informuar mbi çështje që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut të cilët vullnetarisht kanë dëshirë të angazhohen në sferën sociale.

Ambasada Pink është duke kërkuar të rinj të motivuar për tu bërë pjesë e Grupit Rinor “Miqtë e Diversitetit”. Ky grup dëshiron të jetë një organ i cili do të synojë të lobojë dhe avokojë për çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut, dhe veçanërisht të të drejtave të personave LGBTI në nivel qëndror dhe lokal.

Profili i kandidatit/kandidates:

Kandidati/kandidatja i cili vullnetarisht kërkon të japë kontributin e tij/saj pranë PINK Embassy, duhet të përmbushë këto kritere:

  • Të jetë 16 deri në 25 vjeç;
  • Të ketë njohuri mbi të drejtat e njeriut;
  • Të tregojë angazhim për të kontribuar në suksesin dhe mirëqënien e brezit të tij/saj;
  • Të ketë mundësi për të invesuar të paktën 8 orë në muaj në këtë pozicion (takime, vizitë studimore, etj).
  • Të ketë njohuri mbi Komunitetin LGBTI dhe mbi legjislacionin vendas mbi anti-diskriminimin;

Procedurat e aplikimit

Aplikimet duhet të dorëzohen me email në adresën [email protected] dhe duhet të bashkangjiten:

  • Një CV
  • Një ese të shkurtër duke ju përgjigjur pyetjeve:
    • Si e përshkruan veten?
    • Çfarë të motivon?
    • Çfarë ndryshimi dëshiron të shohësh në shoqëri?

Afati i fundit për dërgimin e aplikimeve është data 31 janar 2017. 

Mbështetësit Dhe Partnerët