Thuaj Po Dashurisë

Java e Diversitetit 12-17 Maj 2014 - Tirana Pride 17 Maj 2014

Ambasada PINK, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Open Mind Spectrum Albania hapin sot Festivalin e 3-të të Diversitetit në Shqipëri duke ftuar të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë, mediat, organizatat e të drejtave të njeriut dhe qytetarët e thjeshtë, të të gjitha orientimeve, besimeve dhe bindjeve t’i bashkohen aktiviteteve që do të zhvillohen këtë javë, si dhe Marshimit të Krenarisë në datën 17 Maj.

Mesazhi kryesor i këtij Festivali është “Thuaj Po Dashurisë”. Dashuria, është në fakt promotori kryesor i jetës njerëzore, i aktivitetit njërëzor, i ekzistëncës sonë dhe në këtë terminologji të thjeshtë ne gjetëm frymëzimin për gjithçka do ndodhë këtë javë dhe materialet që i shoqërojnë ato.

Së pari ne duam të prezantojmë para jush sot, videon tonë ndërgjegjësuese me mesazhin “Thuaj Po Dashurisë”. Realizimi i kësaj video, e gjeti burimin tek mesazhet e urrejtjes, fyerjes dhe denigrimit që individë dhe grupe të caktuara në shoqëri kanë zgjedhur si mënyrë për të kundërshtuar mbrojtjen, avancimin dhe garantimin e të drejtave të personave LGBT.

Fjala e lirë, përbën një nga shtyllat e një shteti demokratik, ajo nuk duhet përdorur kurrsesi në një mënyrë që të fyejë, ofendojë dhe denigrojë dhe aq më keq të nxisë dhe promovojë dhunë apo akte negative. Nëse debati kundër të drejtave të personave LGBT bëhet duke përdorur të tilla qëndrime dhe opinione atëherë kjo tregon se ky është një debat i humbur dhe se argumentat e shëndoshë janë pak dhe jo të besueshëm.

Këtë javë, ne duam ta përdorim për të hedhur vështrimin mbi disa prej temave më interesante që lidhen me komunitetin LGBT dhe të drejtat e tyre. Përgjatë ditës së filmit do të njihemi me rrugëtimet e personave LGBT nga pjesë të ndryshme të botës. Ndërkohë që ndjenjat dhe dashuria që ata shprehin është e njëjtë, ajo çka ndryshon është mënyra se si shoqëria ndërvepron me ta. Sa më konstruktive dhe e shëndetshme të jetë përqasja e shoqërisë, aq më e madhe është edhe mirëqënia dhe dialogu që e shoqëron atë.

Më tej gjatë kësaj jave do të kemi kënaqësinë të hapim ekspozitën “Shija e Lirisë”, e cila eksploron lirinë e të shprehurit, përmes mjeteve dhe mënyrave demokratike, një e drejtë kaq e re dhe e brishtë.

Rruga drejt mbrojtjes dhe garantimit të plotë të të drejtave të komunitetit LGBT është ende e gjatë. Sot në hapje të Javës së Diversitetit, ne ftojmë publikun shqiptar, që nën frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe qytetarisë, ta shfrytëzojnë këtë javë për t’u njohur nga afër me nevojat, problematikat dhe shqetësimet e komunitetit LGBT.

Që të kuptojmë nevojat e një individi apo komuniteti, duhet të përpiqemi të shohim përmes syve dhe ndjenjave të tyre se çfarë shkon e nuk shkon në shoqërinë tonë. Një shoqëri e lirë është ajo shoqëri që lufton dhe përçmon shtypjen duke i mbrojtur dhe respektuar të gjithë qytetarët e saj.

Ambasada PINK, Shtëpia e të Drejtave të njeriut dhe Open Mind Spectrum Albania duan të falenderojnë veçanërisht Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri në vend për mbështetjen direkte në realizimin e aktiviteteve sensibilizuese të këtij Festivali të Tretë të Diversitetit.

Ne duam të falenderojmë përzemërsisht të gjitha institucionet, organizatat e të drejtave të njeriut, organizmat kombëtare dhe ndërkombëtare, bizneset dhe kompanitë, grupet dhe individëd, akademinë, gazetarët, komunitetin LGBT në vend dhe të gjithë personat kontributi dhe mbështetja e të cilëve po i jep jetë një jave shumë intensive.

Në përfundim ju ftojmë të ndiqni dhe të mbështesni Marshimin e Parë të Krenarisë në Shqipëri, në datën 17 Maj.

Ju faleminderit!

Mbështetësit Dhe Partnerët