Tirana i thotë PO BARAZISË!

Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për diskriminimin e personave LGBTI në aspekte jetësore, ndërsa 94 % e personave LGBTI fshehin orientimin e tyre seksual

Tiranë, 10 Maj 2019 – Tirana, i bashkohet kryeqyteteve të Europës, duke organizuar Festivalin e 10-të Diversitetit, Marshimin e 4-t të Krenarisë (Tirana Pride 2019), duke hapur kështu edhe javën e eventeve ndërgjegjësuese në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë (17 Maj).

Ky është viti i 10-të radhazi që Ambasada PINK Shqipëri, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri (HRH) dhe CRCA Shqipëri, falë mbështetjes së partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtare, organizojnë Festivalin e Diversitetit, një ndër nismat më të rëndësishme për ndërgjegjësimin e shoqerisë dhe ndarjen e informacionit në mbështetje të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë. “Tirana Pride 2019”, është një ditë solidarizimi me komunitetin e personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilët për shkak të diskriminimit historik hasin vështirësi të shumta në jetët e tyre.

Pjesë e Festivalit , si çdo vit, është edhe Panairi i Diversitetit, ku organizatat dhe institucionet promovojnë punën e tyre për të drejtat e njeriut. 

Në emër të organizatorëve, Altin Hazizaj, tha: “Jo pa keqardhje, ende sot, në vitin 2019, Shqipëria renditet në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor përsa i përket diskriminimit të personave LGBTI për aspekte të ndryshme të jetës dhe punës së tyre. Rreth 94% e personave LGBTI e fshehin orientimin e tyre seksual për shkak të opinionit.  Mbrojtja e të drejtave të personave LGBTI sjell fuqizim të demokracisë, respekt për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, emancipim të Shoqërisë sonë.

Shifrat e studimeve për komunitetin LGBTI në Shqipëri, sjellin një tablo jo pozitive për realitetin e të drejtave të njeriut. Sipas Raportit të Bankës Botërore të vitit 2018 mbi personat LGBTI në Ballkanin Perëndimor, Kroaci dhe Slloveni, Shqipëria renditet ndër vendet e para të rajonit për shkeljen e të drejtave të komunitetit LGBTI1. Diskriminimi është ende i pranishëm në jetën e komunitetin LGBTI përsa i përket aksesit në shërbimet shëndetësore, në marrëdhëniet e punës, shkollës, dhe vendit ku jetojnë. Në Shqipëri rreth 94% e personave LGBTI e fshehin orientimin e tyre seksual për shkak të paragjykimit të fortë që ende mban vendi ynë ndaj personave LGBTI.

Raporti më i fundit i Ambasadës PINK “Qëndrimet e Mësuesve për adoleshentët LGBTI në arsimin e mesëm publik”, rezultoi se rreth 66% e mësuesve shqiptarë heshtin përballë bulizmit në shkolla me bazë homofobinë dhe transfobinë, dhe 4% e tyre shprehen se orientimi seksual dhe identiteti gjinor i adoleshentëve duhet të ndalohen me ligj. Të pyetur nëse do ta përkrahin fëmijën e tyre po të ishte person LGBTI, rreth 70 % e mësuesve shqiptarë deklarojnë se nuk do ta pranonin, ndërsa 9.3% e tyre shprehen se nuk i pranojnë dot adoleshentët LGBTI në klasë apo shkollë.”

Raporti i PNUD, "Të jesh LGBTI në Evropën Lindore - Shqipëria" tregoi se qëndrimet publike ndaj personave LGBTI ende janë më së shumti jo tolerantë. Në Shqipëri 92 % e të anketuarve deklaruan se nuk do të bashkëveprojnë me njerëzit LGBTI, 48% e të anketuarve besojnë se homoseksualiteti është sëmundje dhe gjysma e të anketuarve besojnë se homoseksualiteti është imponuar nga Perëndimi.”

Edhe pse gjatë viteve të fundit vendi ynë ka bërë progres të madh ligjor dhe social drejt pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor, kulturalisht dhe normativisht vizibiliteti i komunitetit LGBTI mbetet ende në nivele të ulëta duke u kthyer kështu në një pengesë për njohjen dhe pranimin e tyre në shoqërinë shqiptare.  

Ambasada PINK, 8 vjet më parë kërkoi për herë të parë publikisht barazinë në martesë, një kërkesë kjo e drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, paragjykimet, diskriminimi, dhe presioni fetar në Shqipëri, kanë ndikuar në mbajtjen në ligj të diskriminimit në martesë dhe bashkëjetesë! Ndërkohë vetëm një vit më parë Ambasada PINK, i drejtoi një thirrje të hapur Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë deputetëve të saj, për të ndryshuar Kodin e Familjes, për të eliminuar çdo barrierë ekszistuese në ligj, të cilat mbajnë në këmbë diskriminimin ndaj komunitetit LGBTI në martesë. Kërkesa publike u mbështetet nga 10 organizata dhe rrjete kombëtare që operojnë në vend në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ambasada PINK dhe të gjithë mbështetësit e komunitetit LGBT në Shqipëri, me marshimet e përvitshme të krenarisë dhe valëvitjen e flamurit shumëngjyrësh në qendër të kryeqytetit, kanë nisur të krijojnë një traditë të përvitshme për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e personave lesbike, gej, biseksuale, transgjinore dhe interseks (LGBTI).

Për barazinë dhe të drejtat e çdo qytetari, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor. 

PO BARAZISË!

Për më tepër informacion, ju lutem kontaktoni në adresën : [email protected]

Mbështetësit Dhe Partnerët