Vota LGBT Vlen!

Organizohet në tiranë marshimi i 2-të i krenarisë i komunitetit LGBT dhe mbështetësve të tij

Tiranë, 11 Qershor 2015 – Komuniteti LGBTI në Shqipëri dhe mbështetësit e tyre marshuan sot në Paradën e 2-të të Krenarisë në qendër të Tiranës, të organizuar nga Ambasada PINK, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut dhe OMSA Shqipëri. Marshimi është ndër aktivitetet më të rëndësishme ndërgjegjësuese për të drejtat e personave LGBTI që zhvillohet në Tiranë, për të dytin vit radhazi. Marshimi u parapri nga Panairi i Diversitetit ku mbi 20 organizata të të drejtave të njeriut ekspozuan materiale informuese dhe edukuese për publikun.

Ambasadori amerikan Donald Lu, ambasadorja hollandeze Dewi van de Weerd, ambasadorja e Delegacionit Europian në Shqipëri Romana Vlahutin, Ambasadori suedez Patrik Svensson, Avokati i Popullit Igli Totozani, Komisionerja për mbrojtjen nga diskriminimi Irma Baraku, përfaqësues të ambasadës Angleze, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit ndërkombëtar etj ju bashkuan Marshit të Krenarisë për të mbështetur mbrojtjen dhe avancimin e mëtejshëm të të drejtave të personave LGBTI. Të gjithë bashkë marshuan me flamurin LGBT në qendër të Tiranës, për të treguar se të drejtat LGBT janë të drejta të njeriut dhe garantimi i tyre kërkon mbështetjen e të gjithë aktorëve.                                                               

Mesazhi i Tirana Pride 2015 për politikën shqiptare si dhe për votuesit LGBTI shqiptarë është Vota LGBT Vlen, duke u kërkuar këtyre të fundit që të njihen me opinionet dhe këndvështrimet e kandidatëve në lidhje me çështjen LGBTI ishte “VOTA E ÇDO PERSONI LGBT VLEN - Çdo votues LGBT ka mundësinë që me votën e tij të zgjedhë ato parti dhe ata kandidatë që mbështesin barazinë dhe jetën me dinjitet për çdo person LGBT”.

Studimet dhe statistikat ndërkombëtare tregojnë se rreth 5% e popullsisë janë lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT). Pavarësisht se shumica e personave LGBT në Shqipëri janë ende të padukshëm për shoqërinë dhe institucionet, ata janë pjesë integrale e shoqërisë dhe kanë të drejtë që përmes votës së tyre të bëjnë të mundur që në krye të institucioneve të vijnë drejtues që i mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e tyre dhe luftën për barazi dhe dinjitet.

‘Duke nisur nga viti 2014, 6 Bashkitë më kryesore të vendit, Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, dhe Shkodra i janë bashkuar iniciativës së Ambasadës PINK për Përmirësimin e jetës së personave LGBT në nivel lokal. Edhe pse ky është një fillim i mbarë, kjo do të thotë se 55 Bashki të tjera të vendit nuk kanë asnjë praktikë, program apo plan pune që të mbështesin komunitetin LGBT dhe të drejtat e tyre’, u shprehën përfaqësuesit e Ambasadës PINK.

Ndonëse Shqipëria ka bërë progres të vazhdueshëm në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe politikat anti-diskriminim, duke përmendur këtu edhe rezolutën e Parlamentit të Shqipërisë të datës 7 Maj 2015 për mbrojtjen e të drejtave të personave LGBT, ende mbetet shumë për të bërë në fushën e mbrojtjes ligjore nga diskriminimi; luftën kundër fjalimeve të urrejtjes, sidomos nga politikanë dhe figura publike; njohjen ligjore të gjinisë; njohjen e ligjit të bashkëjetesës; luftën kundër bulizmit homofobik dhe transfobik në shkolla; sulmet dhe fjalimet kërcënuese dhe denigruese në mediat sociale etj.

Mbështetësit Dhe Partnerët