VOTO Diversitetin- Ambasada PINK i kërkon forcave politike në Shqipëri të përfshijnë tematikën LGBT në programet e tyre politike dhe elektorale

Data 17 Maj është Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë (IDAHO) që feston vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të vitit 1990 për heqjen e homoseksualitetit nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve. Prej disa vitesh, aktivistë dhe organizata LGBT në Shqipëri punojnë që në këtë datë dhe ditët përreth saj të rrisin ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi homofobinë, bifobinë dhe transfobinë të cilat shkaktohen nga mungesa e informacionit dhe paragjykimeve të trashëguara mbi këtë subjekt.

Çdo vit, Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri e shfrytëzon këtë datë për të vendosur theksin në një problematikë të caktuar që lidhet me trajtimin e çështjës LGBT dhe aspekte të homofobisë dhe transfobisë. Për këtë 17 Maj 2013, duke pasur parasysh që jemi në vit zgjedhor dhe se angazhimi politik për avancimin e këtyre të drejtave është shumë i rëndësishëm Ambasada PINK lançon posterin me titull “VOTO Diversitetin”.

Ky poster i cili paraqet spektrin e gjerë të partive politike të lulëzuara në Shqipëri pas rrëzimit të rregjimit komunist monopartiak, synon ti kujtojë partive politike shqiptare se përfshirja e çështjes LGBT në axhendën e tyre të punës duhet të jetë një proçes i natyrshëm në kuadër të luftës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut në vend dhe mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi të grupeve më të margjinalizuara dhe të veçuara të shoqërisë. Ky proçes duhet të konsiderohet i natyrshëm edhe për faktin se pluralizmi dhe diversiteti që spektri politik shqiptar synon të promovojë në vend është një motiv i qartë për integrimin e të gjitha grupeve shoqërore që vuajnë paragjykimin dhe përjashtimin.

Gjithashtu ky poster synon të sjellë në vëmendje të opinionit publik në përgjithësi dhe të votuesve në veçanti, të përzgjedhin duke pasur parasysh predispozitën e partive politike shqiptare për të promovuar dhe avancuar të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe duke u njohur paraprakisht me programet e tyre elektorale në këtë fushë. Ky poster synon të ndërgjegjësojë në të njëjtën mënyrë edhe komunitetin LGBT shqiptar të cilët për shkak të diskriminimit të kahershëm e kanë të vështirë të imagjinojnë se politika shqiptare duhet të impenjohet seriozisht në mbrojte të të drejtave të tyre ashtu si të çdo grupi tjetër të diskriminuar në shoqëri.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri nuk është organizatë partiake dhe punon ekskluzivisht për avancimin e të drejtave të njeriut në vend, me focus të veçantë të drejtat e personave LGBT dhe si e tillë ajo nuk synon të diskriminojë apo bëjë dallime mes partive politike në vend, por të ndërgjegjësojë forcat politike në vend dhe të kërkojë prej tyre një angazhim të qartë, serioz dhe të përkushtuar në të mirë të zhvillimit dhe avancimit të vendit.

www.pinkembassy.alhttp://pinkembassy.blogspot.com 
info@pinkembassy.al & communitypink@gmail.com

Mbështetësit Dhe Partnerët