Zhvillohet debati historik për të drejtat LGBT në Kombet e Bashkuara

9 Mars 2012

Nis rruga e gjatë e ndryshimit

Në datën 7 Mars është mbajtur në Gjenevë të Zvicrës debati i parë ndër-qeveritar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara mbi diskriminimin e bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Ky moment historik, tregon se shtetet anëtare duhet të ndërmarin hapa seriozë për të adresuar abuzimet e kryera ndaj personave lezbike, gei, biseksuale dhe transgjinore në të gjithë botën.

Në nisje të diskutimit, Shtetet Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) dolën nga salla në mënyrë demonstrative. Përpara largimit të grupit, Pakistani bëri publike një deklaratë të organizatës duke dënuar diskutimin dhe duke deklaruar se “homoseksualiteti mund të hapë rrugën për pedofilinë dhe inçestin”. Gjatë diskutimit, deklarata e Pakistanit miratohej në zë edhe nga shtete të ndryshme të Afrikës, grupit të vendeve arabe dhe Federata Ruse.

“Shtetet mund të vendosin të dalin nga kjo dhomë, por ata kurrë nuk mund të largohen nga përgjegjësia për të mbrojtur qytetarët e tyre nga diskriminimi dhe dhuna” tha Linda Bauman nga ILGA në një deklaratë zyrtare të mbështetur nga mbi 90 vende dhe 284 organizata jo-qeveritare, duke përfshirë edhe Ambasadën PINK.

Fatmirësisht, ky moment i vështirë i krijuar nga Organizata Islamike nuk e dëmtoi debatin i cili vazhdoi me sukses dhe dërgoi mesazhin e fortë se të drejtat e personave LGBT nuk janë të drejta speciale por të drejta bazë dhe universale të cilat i takojnë çdo qënieje njerëzore.

Ekspertët ndërkombëtarë nga Pakistani, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si edhe Irina Karla Baçi, zv. presidente e Këshilit Kombëtar për personat LGBT në Brazil mundën të prezantojnë gjetjet e tyre përmes shembujve të shumtë dhe të demonstrojnë dhunën dhe diskriminimin e vuajtur nga personat LGBT në të gjithë botën.

Diskutimi i djeshëm ishte një themel i fortë për rritjen e angazhimit të personave LGBT dhe mbrojtjen e tyre kudo në botë. Gjatë këtij dialogu, Komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, deklaroi se studimi i kryer nga zyra e saj mbi mbrojtjen e të drejtave të personave LGBT mbështetet në 2 dekada jurisprudence dhe materialesh të të drejtave të njeriut të cillat tregojnë për tendencën mbarëbotërore të dhunës ndaj personave LGBT në të gjithë botën. Kjo dhunë përfshin vrasje, sulme dhe dhunë seksuale. Ajo kërkoi nga shtetet e të gjithë botës, të përmirësojnë përgjigjen e tyre ndaj dhunës homofobike si dhe të ndryshojnë legjislacionet që penalizojnë homoseksualitetin. Aktualisht, 76 shtete i ndalojnë me ligj marrëdhëniet seksuale mes personave të të njëjtës gjini. Raporti thekson gjithashtu problemet në pa-aftësinë e shteteve për t’u ofruar njerëzve azil për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor.

Ka mbërritur momenti që Shtetet Anëtare të ndjekin hapat e Afrikës së Jugut dhe Brazilit, të cilat mundësuan financiarisht organizimin e këtij paneli, dhe të implementojnë rekomandimet e Komisionerit të Lartë. Ky panel ishte paraprirë nga raporti i parë mbi ligjet diskriminuese dhe aktet e dhunës të kryera ndaj njerëzve bazuar në orientimin e tyre seksual dhe identitetin gjinor i bërë publik nga Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në Dhjetor 2011.

Ky raport, i cili iu dorëzua Këshillit të të Drejtave të Njeriut pas rezolutës 17/19 dhe i adoptuar në 17 Qershor 2011 është i një rëndësie të jashtëzakonshme duke qenë së është i pari dokument i Kombeve të Bashkuara që jep shembuj konkretë mbi dhunën dhe diskriminimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Mbështetësit Dhe Partnerët