Zhvillohet me sukses Shkolla Verore PINK

14 Shtator 2012- Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri zhvilloi për herë të parë këtë vit, shkollën verore PINK, si një program edukues dhe argëtues me qëllim rritjen e dijeve të aktivistëve dhe mbështetësve të kauzës LGBT si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe solidaritetit mes tyre.

Për katër ditë rrjesht, në datat 9-12 Shtator, grupi prej trembëdhjetë aktivistësh u vendosën në kampin veror Jalë, në rivierën e jugut. Në këtë mjedis veror u gërshetuan orët e leksioneve me aktivitetet sportive, plazhin dhe shëtitjet në kërkim të vendeve më të bukura të zonës.

Leksionet dhe orët e trajnimit u realizuan falë mbështetjes të një grupi ekspertësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë të cilët jo vetëm ndanë dijet dhe ekspertizën e tyre por mbuluan edhe kostot personale duke e lehtësuar sadopak peshën e grupit tonë. Më konkretisht, Amarda Çoku, Eksperte Ligjore pranë Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi zhvilloi një leksion për ligjin kundër diskriminimit. Susanne te Braak nga COC Hollandë ndau me aktivistët eksperiencën e punës së saj me të rinjtë LGBT në shkollat e vendit të saj. Jay Porter, Atashe Politik pranë Ambasadës së SHBA-ve, ofroi një trajnim mbi aktivizmin dhe mobilizimin e komunitetit për çështje sociale si edhe prezantoi një historik shumë të veçantë të lëvizjes LGBT në vendin e tij. Altin Hazizaj, Ambasador i Parë i PINK LGBT Pro Shqipëri zhvilloi një trajnim mbi konceptet LGBT dhe paragjykimet që shoqërojnë këtë grup social. Në fund, Emira Shkurti, Menaxhere Projektesh dhe eksperte e çështjeve gjinore pranë UNDP në Shqipëri ofroi një trajnim në lidhje me ngjashmëritë midis lëvizjes feministe dhe lëvijzes LGBT.

Një nga karakteristikat e grupit të aktivistëve ishte shummëllojshmëria e profileve, eksperiencave dhe këndvështrimeve. Ndër të tjerë, në grup kishtë një aktivist nga Prishtina si edhe një aktiviste nga komuniteti i personave transgjinorë në Shqipëri. Perspektiva e tyre në debat si edhe opinionet e aktivistëve dhe vullnetarëve të tjerë pasuruan diskursin dhe e bënë atë më interesant. Ndërkohë, leksionet dhe trajnimet nuk zhvilloheshin thjesht si një dhënie informacioni por ndërthureshin me pyetje dhe komente si edhe me përfshirje në grupe pune dhe angazhim individual.

Një tjetër element shumë interesant i shkollës ishte bashkë-organizimi i aktivitetit me një grup të rinjsh të angazhuar në shoqërinë civile dhe parti të ndryshme politike. Disa nga trajnimet dhe një pjesë e mirë e aktiviteteve sociale u zhvilluan bashkarisht. Kjo në fakt rezultoi të ishte një eksperiencë shumë interesante për të dyja grupimet. Një nga stereotipet kryesore të shoqërisë sonë lidhet me “padukshmërinë” ose mosnjohjen e personave LGBT. Për arsye që janë të kuptueshme, shumë shpesh personat LGBT e kanë të vështirë të pranojnë orientimin e tyre seksual pranë rretheve të tyre shoqërore. Por në kontekstin e shkollës, kjo rezultoi në një këmbim të vyer eksperiencash dhe mendimesh. Shumë shpesh gjatë kohës së lirë pjesëmarrës nga të dy grupet përfshiheshin në diskutime interesante ku arrinin edhe të ndanin përshtypjet e tyre mbi orientimin seksual apo të mësonin më shumë prej dëshmive të aktivistëve LGBT. Kjo ishte shumë inkurajuese edhe për grupin e PINK, duke qenë se një nga qëllimet tona kryesore ka qenë dhe mbetet informimi i shoqërisë për realitetin LGBT dhe për rritjen e mirëkuptimit dhe tolerancës.

Si eksperiencë e parë, kjo shkollë verore na mësoi se dijet teorike, puna në grup dhe zhvillimi i profileve personale janë më të suksesshme kur kombinohen me dëshmi reale, me aktivitete të thjeshta dhe çlodhëse njerëzore, ku të gjithë kemi mundësi të jemi pak më shumë vetvetja dhe më të çliruar nga komplekset e jetës së përditshme apo aktivizmit shpesh të ashpër social dhe politik.

Në fund të trajnimit aktivistët u pajisën më çertifikata.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri falenderon të gjithë ekspertët që ofruan mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme dhe të gjithë aktivistët dhe vullnetarët LGBT për këtë eksperiencë të paharrueshme.

Mbështetësit Dhe Partnerët