Zhvillohet në Durrës trajnimi një-ditor për të drejtat e personave LGBTI

31 Mars 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit zhvilloi pranë Sallës së Këshillit Bashkiak trajnimin një ditor “Konceptet LGBTI dhe Ofrimi i Shërbimeve Miqësore”.

Aktiviteti i cili zhvillohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal/komunitar” u ndoq nga një numër i madh punonjësish të Bashkisë, përfaqësues të institucioneve të tilla si Drejtoria Rajonale e Shëndetit, qendra komunitare të adminstruara nga Bashkia, organizata të shoqërisë civile të qytetit, psikologë, punonjës socialë, vullnetarë dhe studentë. Në trajnim ishin të pranishme edhe disa nga mediat lokale të qytetit të cilat ndoqën dhe pasqyruan aktivitetin.

Trajnimi u nda në dy pjesë dhe u fokusua në njohjen e detajuar të koncepteve LGBTI, orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Pjesa e dytë shërbeu për trajtimin e problemeve të ndryshme që burojnë nga diskriminimi, heteronormativiteti, heteroseksizmi etj. Një pjesë e mirë e kësaj hapësire shërbeu edhe për diskutime me pjesëmarrësit. Për disa prej tyre pyetjet kryesore ishin në lidhje me çështje të tilla si martesa, prindërimi etj. Në bazë të këtyre diskutimeve edhe trajnuesi shpjegoi çështje të tilla si principet e institucionit të martesës, modele të prindërimit etj.

Në vlerësimin e tyre pjesëmarrësit dhanë komente të ndryshme. Në pjesën më të madhe ato gjykonin se aktivitete të tilla duhet të jenë sa më të shpeshta. Ato vlerësuan përmbajtjen teknike dhe shembujt e ofruar si dhe mundësinë për të shprehur opinionet e tyre. Njëra nga pjesëmarrëset sugjeroi “një pjesëmarrje më të madhe të gjinisë mashkullore në trajnim duke menduar që ata janë më paragjykues sësa femrat”. 

Stafi i PINK falenderon Bashkinë Durrës për bashkëpunimin në realizimin e këtij trajnimi dhe uron që aktivitete të tilla të mund të zhvillohen edhe në të ardhmen me pjesëmarrjen e sa më shumë grupeve dhe institucioneve publike dhe jo-publike.

Mbështetësit Dhe Partnerët