Zhvillohet në Elbasan trajnimi një ditor për të drejtat LGBTI

23 Mars 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro zhvilloi pranë Bashkisë së Elbasanit trajnimin një-ditor me temë “Të drejtat LGBTI dhe ofrimi i shërbimeve miqësore”. Trajnimi u ndoq nga një numër shumë i madh përfaqësuesish të institucioneve të qeverisjes vendore të tilla si Drejtori të ndryshme pranë Bashkisë, Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social, organizata të shoqërisë civile, Policia e Shtetit, studentë nga Fakulteti i Shkencave Sociale dega Punë Sociale etj.

Mbi 40 pjesëmarrës ndoqën trajnimin i cili po zhvillohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel komunitar” dhe që po zbatohet në bashkëpunim me Bashkitë e qyteteve Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Elbasan.

Falë numrit të madh të pjesëmarrësve dhe diversitetit profesional trajnimi u nda në disa pjesë përmes të cilave trajnuesi dha informacion të bollshëm dhe pjesëmarrësit dhanë komentet, sugjerimet dhe idetë e tyre. Kështu në pjesën e parë u diskutuan gjerësisht paragjykimet që bien ndaj komunitetit LGBTI, konceptet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor dhe diskutuan problematikat me integrimin e këtij komuniteti. Ndërkohë në pjesën e dytë pjesëmarrësit u ftuan të japin sugjerimet e tyre mbi vështirësitë që hasin personat LGBTI në marrjen e shërbimeve si dhe rekomandime për të përmirësuar shërbimet ndaj tyre. Konkretisht ata dhanë inpute në fushat e sigurisë, shërbimeve, arsimit dhe shëndetësisë.

Sipas vlerësimit të tyre këto trajnime duhet të jetë të shpeshta dhe të alternuara. Ata vlerësuan mundësinë për të dhënë përshtypjet dhe opinionet e tyre. Në shumë pjesë të trajnimit u krijua mundësia që pjesëmarrësit të diskutojnë lirshëm për paragjykime dhe koncepte si dhe të flasin për tematikën LGBT në kontekst komunitar.

Në muajt në vazhdim Ambasada PINK në bashkëpunim me institucione të ndryshme të qytetit  të Elbasanit do të zhvillojnë edhe aktivitete ndërgjegjësuese, përfshi këtu edhe leksione të hapura, debate dhe diskutime mbi këtë tematikë sidomos me të rinjtë, për të luftuar paragjykimet dhe diskriminimin e personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Ambasada PINK falenderon Bashkinë Elbasan për bashkëpunimin në zhvillimin e këtij trajnimi dhe uron që ky aktivitet të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve me përqasje edhe komunitetin LGBTI.

Mbështetësit Dhe Partnerët