Zhvillohet në Korçë trajnimi një-ditor për të drejtat e personave LGBTI

18 Mars 2015 - Ambasada PINK / LGBT Pro në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Korçës zhvilloi pranë Qendrës së re Ndërkomunitare Kulturore trajnimin një ditor “Konceptet LGBTI dhe Ofrimi i Shërbimeve Miqësore”.

Aktiviteti i cili zhvillohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal/komunitar” u ndoq nga një grup ndër-sektorial me përfaqësues të Drejtorive të ndryshme pranë Bashkisë Korcë, Policisë së Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social, Drejtorisë së Shëndetit Publik, Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, organizata të shoqërisë civile aktive në Korçë dhe mediat lokale

Trajnimi u nda në disa pjesë. Në pjesën e parë pjesmarësit u njohen me konceptet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor, dhe biseduan gjerësisht për vështirësite sociale dhe kulturore në mirëkuptimin e diversitetit seksual dhe kulturor. Kjo pjesë e parë shërbeu për të diskutuar në mënyrë më kritike perceptimet kolektive mbi orientimin dhe identitetin gjinor duke vënë theksin tek mungesa e informacionit në programet arsimore si dhe në keqinformimin dhe keqinterpretimin e identiteteve LGBT.

Në pjesën e dytë, pjesëmarrësit mundën të diskutojnë më konkretisht çështje të tilla si heteronormativiteti, heteroseksizmi dhe diskriminimi i shumëfishtë.

Gjatë pjesës së tretë pjesëmarrësit diskutuan në mënyrë konstruktive çështje si martesa, adoptimi, lindja e fëmijëve përmes fekondimit in-vitro, diskriminimi i vajzave dhe grave në tërësi dhe pasojat e rënda të diskriminimit dhe përjashtimit. Përmes pranisë së ekspertëve të shëndetësisë u vunë në pah edhe problemet që lindin në shëndetin fizik të personave, çka shkaktohet gjerësisht për shkak të frikës për tu identifikuar, mungesës së informacionit, paragjykimet etj. Falë edhe diversitetit dhe eksepertizës së pjesëmarrësve, diskutimi u bë ndërsektorial dhe u diskutua në veçanti tema e diskriminimit dhe dizavantazheve të shkaktuara nga shkaqe të shumëfishta.

Në vlerësimin e tyre për trajnimin ekspertët pjesëmarrës vlerësuan kombinimin midis informacionit të dhënë dhe debatimit konstruktiv në tryezë. Për shumë prej tyre ofrimi i shërbimeve më cilësore për personat LGBT ishte një nga benefitet e këtij trajnimi

Stafi i PINK falenderon Bashkinë Korçë për bashkëpunimin në realizimin e këtij trajnimi dhe uron që aktivitete të tilla të mund të zhvillohen edhe në të ardhmen me pjesëmarrjen e sa më shumë grupeve dhe institucioneve publike dhe jo-publike.    

Mbështetësit Dhe Partnerët