Zhvillohet në Tiranë seminari ndërkombëtar për të luftuar fjalimet e urrejtjes

Rrjeti BABELNOR solli në Tiranë 30 aktivistë të rinj dhe ekspertë nga e gjithë Europa

Tiranë – Aktivistë nga rrjeti i organizatave rinore, BABELNOR, u mblodhën për tre ditë në kryeqytetin shqiptar, për zhvillimin e seminarit ndërkombëtar “I/E lirë për tu shprehur – të luftojmë fjalimet e urrejtjes homofobike dhe transfobike”.

Seminari tre ditor, 25-27 Shtator, i cili u mirëprit nga Ambasada PINK / LGBT Pro, si anëtare e rrjetit BABELNOR, solli aktivistë nga Ballkani, Europa Lindore dhe Vendet Nordike.

Ceremonia e Seminarit u përshëndet nga Avokati i Popullit, Z. Igli Totozani, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Znj. Irma Baraku, përfaqëesuesja e Ministrisë së Mirëqenies dhe Rinisë, Znj. Enkelejda Lopari dhe dretuesja e Departamentit SOGIE, që punon për komunitetin LGBT pranë Këshillit të Europës në Strasburg Znj. Eleni Tsesekou. Në fjalën e saj, Znj. Tsesekou ftoi aktivistët e rinj ti përdorin mekanizmat e ofruara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të avancuar të drejtat e tyre dhe për të luftuar fjalimet e urrejtjes.

Ceremonia u pasurua më tej edhe me hapjen e Ekspozitës “Shija e Lirisë”, një koleksion fotografish nga momente të ndryshme demonstratash dhe protestash në Shqipëri dhe disa vende të Ballkanit gjatë viteve të fundit. Ekspozita u përshëndet nga Z. Yngve Enstroem, Shef i Bashkëpunimit pranë Komisionit Europian në Tiranë. Komisioni mbështeti realizimin e kësaj ekspozite, e cila shumë shpejt do të udhëtojë nëpër disa qytete të Shqipërisë, në kuadër të projektit “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 2 Tetor, pranë Bar PUR-PUR, tek hyrja e Liqenit Artificial në Tiranë.

Seminari synoi të riste kapacitetet e pjesëmarrësve për të gjetur mënyra si ti përgjigjen fjalimeve të urrejtjes e cila shpesh përdoret kundër personave LGBT dhe shumë grupeve të tjera vulnerabël. Ekspertë të Këshillit të Europës zhvilluan trajnime për një njohje më të mirë të fjalimeve të urrejtjes dhe zhvillimin e kuadrit ligjor dhe mekanizmave kundër këtij fenomeni.

Ndër aktivitetet më interesante të seminarit ishte realizimi i një grafiti “NO HATE” në Tiranë, përgatitja e një posteri në mbështetje të Paradës së Beogradit, që u zhvillua në 28 Shtator si dhe aksione të tjera ndërgjegjësuese nëpër qytet. Aktivistët ranë gjithashtu dakord për të implementuar dy aktivitete të tjera ndërgjegjësuese brenda muajit Nëntor nga vendet e tyre.

Fjalimet e urrejtjes janë një problem i madh në të gjithë Europën dhe shumë punë mbetet ende për të bërë. Përpjekjet e aktivistëve LGBT janë të shumta për t’ju kundër-përgjigjur këtij fenomeni në mediat tradicionale dhe të reja, rrugë, shkolla, lagje etj. Seminari synoi të identifikojë mënyra krijuese për ta luftuar fenomenin dhe për të ndryshuar perceptimet e shoqërisë mbi personat e komunitetit LGBTIQ. 

Mbështetësit Dhe Partnerët