Zhvillohet në Vlorë trajnimi një ditor për të drejtat LGBTI

26 Mars 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri zhvillon sot pranë Bashkisë së Vlorës trajnimin një ditor me temë “Te drejtat LGBTI dhe ofrimi i shërbimeve miqësore”. Ky trajnim u ndoq nga zyrtarë dhe punonjës të Bashkisë Elbasan, ekspertë të drejtorive të ndryshme të administratës rajonale si ato të arsimit, shëndetësisë, punësimit, shërbimeve sociale, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, policisë së shtetit, mediave etj.

Trajnimi synon që të paraqesë konceptet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor, të diskutojë shkaqet dhe pasojat e diskriminimit që qytetarë të ndryshëm vuajnë për shkak të këtyre karakteristikave. Në një pjesë të dytë së bashku me ekspertët, diskutohen dhe identifikohen fushat ku mund të ketë përmirësime në ofrimin e shërbimve ndaj qytetarëve. Më kryesore janë çështjet që kanë të bëjnë me të mirat dhe shërbimet, arsimin, sigurinë, shëndetin, çështjet ligjore etj.

Ky trajnim zhvillohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel komunitar” dhe po zbatohet në bashkëpunim me qeveritë lokale të qyteteve Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Vlorë.  

Në muajt në vazhdim Ambasada PINK në bashkëpunim me institucione të ndryshme të qytetit  të Vlorës do të zhvillojnë edhe aktivitete ndërgjegjësuese, përfshi këtu leksione të hapura, diskutime, ekspozita etj mbi këtë tematikë sidomos me të rinjtë, për të luftuar paragjykimet dhe diskriminimin e personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Mbështetësit Dhe Partnerët