ZHVILLOHET NË TIRANË TRAJNIMI NJË DITOR MBI NGACMIMIN DHE BULIZMIN HOMOFOBIK DHE TRANSFOBIK

26 Shkurt 2016, Tiranë - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri zhvilloi ditën e sotme një sesion informues për tematikën LGBTI me psikologë dhe punonjës socialë të Linjës Kombëtare të Telefonit të Fëmijëve dhe të rinjve – ALO 116 mbi këshillimin dhe ndihmën për të rinjtë dhe adoleshentët viktima të ngacmimit dhe bulizmit homofobik dhe transfobik. 

Aktiviteti i cili zhvillohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal/komunitar” i mbështetur nga Bashkimi Europian, u ndoq nga stafi i profesionistëve të ALO 116, një shërbim 24/7 në dispozicion të të gjithë fëmijëve dhe të rinjvë që kanë nevojë për mbështetje dhe një zë që ti degjojë në momentet më të veshtira të jetës.

Trajnimi u nda në dy pjesë dhe u fokusua në njohjen e detajuar të koncepteve LGBTI, orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Pjesa e dytë shërbeu për trajtimin e problemeve të ndryshme që burojnë nga diskriminimi, ngacmimi dhe bulizmi me bazë homofobinë dhe transfobinë, dhuna bashkëmoshatare, etj. Një pjesë e mirë e kësaj hapësire shërbeu edhe për diskutime me pjesëmarrësit mbi adresimin e shqetësimeve të të rinjve dhe adoleshentëve që gjatë jetës së tyre në shkollë mund të përballen me ngacmim bashkëmoshatar apo edhe forma të ndryshme dhune. Për disa prej tyre pyetjet kryesore ishin në lidhje me çështje të tilla si identiteti gjinor, heteronormativiteti, dalja hapur, prindërimi, etiketimi, etj.

Në trajnim pjesëmarrësit patën mundësi të dëgjonin nga afër edhe eksperiencën Suedezë nga aktivisti i të drejtave të njeriut, Z. Linus Lungby i cili është duke zhvilluar internshipin e tij pranë Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut. Ai ndau me të pranishmit modelin e fushatave ndërgjegjësuese mbi tematikën e ngacmimit homofobik dhe transfobik. Ai u ndal në mënyrat se si profesionistët e ALO 116 mund të këshillonin sa më mirë të rinjtë mbi incidentet diskriminuese dhe homofobike që mund të ndodhin në shkollë me bashkëmoshatarët. 

Stafi i PINK falenderon Linjën ALO 116 për bashkëpunimin në realizimin e këtij trajnimi dhe uron që aktivitete të tilla të mund të zhvillohen edhe në të ardhmen me pjesëmarrjen e sa më shumë profesionistëve dhe institucioneve jo-publike në ndihmë të adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri.

Për më shume informacion kontaktoni në: [email protected]; Tel: 04 2265741

Mbështetësit Dhe Partnerët