Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut bashkon partnerët për të folur për të drejtat LGBTI në Shqipëri dhe për të nxitur veprime në mbështetje të komunitetit

Tiranë 14 Dhjetor 2017 – Një tryezë e rrumbullakët: "Flasim hapur për të drejtat LGBTI" solli së bashku aktivistët e shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut, komunitetin LGBTI, institucionet publike në Shqipëri, përfaqësuesit e medias dhe Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për të diskutuar sfidat, arritjet dhe ndërhyrjet e ardhshme për të rritur respektin për të drejtat LGBTI në Shqipëri.

Pavarësisht hapave pozitivë, mbetet shumë për t'u bërë, margjinalizimi në vendin e punës, dhuna në familje, ngacmimi në klasë dhe ligjet përjashtuese ende vazhdojnë dhe sot ka ardhur koha që të përfundojnë. Diskriminimi për përsonat LGBTI fillon herët dhe shkon thellë. Përfundimi i margjinalizimit dhe përjashtimit të personave LGBTI është prioritet i të drejtave të njeriut - dhe një imperativ zhvillimi. Arritja e respektit të plotë të të drejtave të personave LGBTI është thelbësore për arritjen botërore në Axhendën Globale 2030. Ekzistojnë 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm të bazuara në një parim të vetëm, udhëzues: të mos lëmë askënd prapa. Ne do ta përkthejmë këtë parim në aksion vetëm në qoftë se i arrijmë të gjithë njerëzit pavarësisht orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor ", tha Brian Williams, koordinator i përhershëm i OKB-së në Shqipëri. Gjatë këtij eventi u prezantuan edhe gjetjet e raportit "Të qenit LGBTI në Evropën Lindore - rasti i Shqipërisë". Ky raport është përgatitur nga UNDP me mbështetjen e USAID-it.

Sipas Raportit, qëndrimet publike ndaj personave LGBTI ende janë më së shumti jo tolerantë. Për shembull, në Shqipëri 92 përqind e të anketuarve deklaruan se nuk do të bashkëveprojnë me njerëzit LGBTI, 48% e të anketuarve besojnë se homoseksualiteti është sëmundje dhe gjysma e të anketuarve besojnë se homoseksualiteti është imponuar nga Perëndimi.

Raporti bën thirrje për përfundimin e menjëhershëm të të gjitha formave të dhunës dhe praktikave diskriminuese kundër personave LGBTI, duke institucionalizuar njohjen ligjore, shfuqizuar ligjet ndëshkuese, duke siguruar që krimet e urrejtjes të ndiqen penalisht dhe duke shumëzuar kanalet e avokimit për të shkaktuar ndryshime të thella në qëndrime. Raporti parashikon që institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe avokatët LGBTI të rekomandojnë se si të avancohet më tej në këto fusha.

Vitin e kaluar, Shqipëria u bë vendi i 28-të në botë për t'u bashkuar dhe për të nisur fushatën "Të lirë dhe të Barabartë" të mbështetur nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe zbatuar në partneritet me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën dhe diskriminimin me bazë homofobinë dhe transfobinë dhe për të mobilizuar njerëzit në Shqipëri për të ndaluar dhunën dhe diskriminimin ndaj personave lezbike, gej, biseksualë dhe transeksualë (LGBT). Personat LGBTI kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre pa frikë, dhunë, diskriminim dhe pabarazi.

Si pjesë e fushatës janë shpërndarë dhe një numër produktesh multimediale, të cilat u bëjnë thirrje të gjithë njerëzve të respektojnë të drejtat e komunitetit LGBTI. Rreth 40 gazetarë janë trajnuar për mënyrën e raportimit etik dhe adekuate të çështjeve të lidhura me të drejtat LGBTI. Fushata gjithashtu përfshinte mbajtjen e workshop-ve me të rinjtë në të gjithë Shqipërinë për të përcjellë një mesazh kyç: Të drejtat LGBTI janë të drejta të njeriut.

UNDP Shqipëri dhe Agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara përmes disa programeve po ndihmojnë Shqipërinë për të adresuar sfidat, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese, legjislative dhe politike, forcimin e institucioneve kombëtare, arsimin, trajnimin dhe iniciativat e tjera për të respektuar, mbrojtur, promovuar dhe përmbushur të drejtat e të gjithë personave LGBTI në vend.

Ky event u organizua në kuadër të fushatës së OKB-së të Lirë dhe të Barabartë të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me UNDP-në, Komisionerin për Anti-Diskriminimin dhe Ambasadën PINK në Shqipëri.

Mbështetësit Dhe Partnerët