Shqip
English
Ambasada PINK zhvillon tryezë diskutimi për dhunën ndaj komunitetit LBT në Shqipëri
- Dec 07, 2011
- Ambasada Pink
7 Dhjetor 2011
Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Gruas, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri organizoi një Diskutim të Hapur pranë Fakultetit të Shkencave Sociale me mbi 80 studentë të nivelit master, degët Sociologji dhe Punë Sociale.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale, dhe Shanseve të Barabarta, përfaqësues nga Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi, përfaqësues nga Bashkia e Tiranës dhe Përfaqësuesi për Shqipërinë i Këshillit të Europës Z. Marco Leidekker.
Diskutimi u drejtua nga Znj. Bruna Dervishi përfaqësuese e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Profesoresha Merita Poni, dhe Asistentja e Komunikimit të Ambasadës PINK. Në fillim u prezantua çështja e dhunës ndaj gruas, një fenomen i përqëndruar brenda familjes dhe hapat që Ministria ka ndërrmarë për të ndalur këtë fenomen. Në këtë kuadër u prezantua shkurtimisht raportimi i vitit 2010 i Shqipërisë pranë CEDAW. Raporti alternativ është bërë nga një grup OJQsh ku Ambasada PINK dha kontributin e saj për dhunën e ushtruar ndaj lesbikeve, transgjinorëve dhe biseksualeve në kuadrin e dhunës me karakter gjinor.
Ambasada PINK ndau me studentët informacionin dhe eksperiencën e dhunës së ushtruar ndaj komunitetit LBT. Për këtë komunitet, përtej dhunës gjinore është shtuar mospranimi dhe diskriminimi për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit të zgjedhur gjinor. Studentët ishin të informuar për gjendjen e komunitetit dhe treguan ndjeshmëri ndaj këtyre problematikave. Përfaqësuesja e Ambasadës PINK prezantoi dhe bashkëpunimet për të zgjidhur këtë problem, si dialogu dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me Ministrinë dhe Komisioneren, me forcat e rendit me partnerë të shoqërisë civile dhe vetë komunitetitn LGT.
Në pyetjet e studentëve reflektohej një nevojë informacioni për përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore për të ndalur dhunën ndaj grave në përgjithësi dhe komunitetit LBT në veçanti. Këto pyetje ishin mjaft specifike dhe iu drejtuan përfaqësuesve të Komisionerit dhe Ministrisë. Ndërsa Ambasadës iu drejtuan më shumë pyetje informuese për komnuitetin LGBT, sesa për temën e dhunës në veçanti. Kjo tregon një dëshirë të tyre për të pasur më shumë informacione rreth çështjes LGBT.
Diskutimi ishte një sukses si për studentët, pedagogët dhe istitucionet e pranishme. Në fund studentët iu afruan stafit të Ambasadës duke i falenderuar dhe duke marrë më shumë informacione mbi punën që bëhet për komunitetin LGBT. Gjithashtu materialet informuese të prezantuara ng Ambasada PINK u morën të gjitha nga studentët të cilët po i lexonin me shumë interes.
Ambasada PINK vlerson interesin e treguar të studentëve, fakultetit dhe institucioneve për çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT. Ky diskutim ishte një dialog i nevojshëm për të kuptuar punën e deritanishme të ndërrmarë nga Ambasada PINK dhe një vlersim për të vazhduar më tej. Ambasada PINK falenderon të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe mirëpret bashkëpunime të tilla edhe në të ardhmen.














