Kuvendi Shqiptar miraton rezolutën historike në mbështetje të komunitetit LGBT

Tiranë, 7 Maj 2015 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në mbrëmje Rezolutën “Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të pesonave që i përkasin komunitetit LGBT”, i cili u miratua me 75 vota pro dhe vetëm 2 kunder e 1 abstenim. Miratimi i kësaj Rezolute është një fitore e jashtëzakonshme për komunitetin LGBT, pasi që prej miratimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në fillim të vitit 2010, në Kuvend kishte kaluar shumë pak nisma legjislative apo politike në mbështetje të të drejtave të njeriut të çdo individi LGBT në Shqipëri.

Rezoluta u sponsorizua dhe u mbështet nga Nën-komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut i Kuvendit me mbështetjen e posaçme të deputetes Vasilika Hysi, deputete dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut në Shqipëri, si dhe të deputetëve Pandeli Majko, Fatmir Xhafa dhe Gramoz Ruçi. Ajo fokusohet në identifikimin e arritjeve që Shqipëria ka shënuar gjatë 5 viteve të fundit, rolit pozitiv që ka luajtur shoqëria civile në drejtim të ndërgjegjësimit publik për të drejtat e njeriut dhe rolin që institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut, në veçanti Avokati i Popullit ka luajtu në këtë drejtim.

Ndërkohë rekomandimet dhe drejtimet kryesore të Rezolutës së Kuvendit përfshijnë:

  • Hartimin e nj Plani Kombëtar Veprimi për masat dhe mbrojtjen e të drejtave të personave LGBT.
  • Miratimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, pjesë e Udhërrëfyesit mbi 5 prioritetet për hapjen e negociatave të anëtaresimit në BE.
  • Miratimin e rekomandimeve legjislative të Avokatit të Popullit, për shtesat e ndryshimet në Kodin të Punës.
  • Nxitje për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve që të trajnojë stafit mësimor për mbrojtjen më të mirë të të drejtave të personave LGBT me qëllim për mos-lejimin e çdo formë diskriminimi.
  • Inkurajimin për institucionin e Avokatit të Popullit, për monitorim të drejtave dhe lirive kushtetuese dhe ligjore të personave LGBT në Shqipëri, si dhe të masave që duhen të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse për respektimin e tyre.
  • Mbështetje për organizatat e shoqërisë civile për ndërgjegjësimin publik dhe nxit Qeverinë shqiptare  të bashkëpunojë për parandalimin e diskriminimit  ndaj komunitetit LGBT.

Ambasada Pink si një ndër organizatat kryesoe që punon për promovimin e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT (lezbike, gej, biseksual dhe transgjinor) në Shqipëri, përshëndet këtë vendim historik të Kuvendit të Shqipërisë dhe inkurajon të gjithë deputetet që javën e ardhshme të bëhen pjesë e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe aktiviteteve që Ambasada PINK po zhvillon në 6 qytete të Shqipërisë.  

Mbështetësit Dhe Partnerët