Mos u tmerroni prej martesave brenda gjinisë!

Më poshtë do të lexoni një shkrim të Stephanie Coontz-it. Tema e shkrimit merret vesh qysh në titull (në origjinal është ndryshe). E kam përkthyer këtë shkrim dhe po e publikoj online edhe pse (pikërisht ngaqë) e di mirë, se ky argument është një gjellë që nuk mund të mbahet nga stomaku i mentaliteteve mainstream këtejpari. E di nga ana tjetër, se shkrimi do të lexohet këtu online, dhe në ndryshim nga shumë shkrime të tjera të këtij website-i, nuk do të copy-paste-ohet nga gazetat tona të përditshme për ta botuar në faqet e tyre të komenteve e të opinioneve. Kjo është e sigurtë, si kafja që keni pirë sot në mëngjes.

Një shkrim të tillë nuk e publikoj, ngaqë gay-të i kam xhan. S’ka kuptim t’i kesh xhan gay-të, por aq më pak ka kuptim t’i kesh zët. Në këtë çështje nuk kemi pse të motivohemi nga qëndrimi ndaj ‘kategorisë’, pasi nuk kemi pse ta kemi një qëndrim ndaj tyre; do të ishte njësoj sikur të kishim një qëndrim ndaj të gjithë heteroseksualëve, pavarësisht nga fakti në janë goxha burra apo janë qen e bij qensh. Ne duhet të motivohemi, sipas meje, nga respekti për të drejtat e njeriut, të cilat në një rast janë të drejta për të protestuar, në një rast tjetër janë të drejta për të mbrojtur identitetin etnik, politik, fetar, racor, gjinor të secilit prej nesh (e për të mos u diskriminuar e ndëshkuar për shkak të këtij identiteti), e në një rast tjetër akoma – jemi te rasti konkret – janë të drejta për të shkuar në shtrat me atë që na e ka qejfi, për të rënë në dashuri me atë që bjemë, për të patur atë partner, me të cilin ndihemi më mirë pavarësisht nga seksi, e për t’u martuar me këtë të fundit, nëse e shohim të udhës këtë gjë.

Kjo çështja e fundit as që mund të shtrohet në Shqipëri. Këtu të linçojnë po ta shtrosh. Kam hasur dhe njerëz që bëjnë pjesë në elitën intelektuale-kulturore, të cilët nuk e fshehin pështirosjen prej gay-ve, duke komprometuar rëndë, sipas meje, në fillim dispozicionin e tyre civil e civik, e pastaj edhe atë intelektual. Dhe me të vërtetë, si nuk kuptojnë vallë se në këtë mes është çështje e qëndrimit ndaj të drejtave të njeriut? Duke i dhënë munxët një të drejte të caktuar, ti nuk ke të drejtë të shesësh dëngla se nuk je kundër të drejtave të njeriut, apo akoma më keq, se je kampion i mbrojtjes së këtyre të drejtave. Të drejtat e njeriut respektohen e mbrohen të gjitha. Në momentin që je kundër një të drejte, je kundër të gjitha të drejtave. Dua të them se nuk mund të thuash, nuk ka kuptim të thuash, fjala vjen, se “duhet të luftojmë për të drejtat e njeriut, por jo për të drejtat e romëve”. Dua të them në esencë, se kush nuk mësohet dot me të drejtat e gay-ve, nuk është se e ka me gay-të. Jo, jo, e ka me të drejtat e njeriut. Të jeni të sigurtë se një njeri i tillë po njësoj urren ata që kanë një identitet politik e fetar të ndryshëm nga i tij.

Unë përmenda njerëz të elitës. Por kam patur kontakte dhe me mosha të reja, fare të reja, të cilët njësoj me prindërit e tyre, të lëshojnë shprehje të llojit: homoseksualët nuk i duroj dot, ma shpifin. Në të vërtetë, po të të kufizoheshin me kaq, do të ishte gjysma e së keqes. Në fund të fundit, edhe në SHBA (shkrimi i mëposhtëm ka të bëjë me SHBA-të) ka plot njerëz, që nuk duan të kenë të bëjnë me gay-të. Puna është se të rinjtë tanë homofobikë do ishin dakord të zhdukeshin për fare nga faqja e dheut homoseksualët (ma kanë shprehur disa syresh), duke u dalë nga mendja se ata vetë nuk janë heteroseksualë (nëse janë realisht të tillë, pasi ka një tezë që thotë se britmat e mëdha anti-gay i lëshojnë për t’ia mohuar e fshehur vetes homoseksualitetin e tyre) ngaqë kanë zgjedhur të jenë të tillë; mund të ishin dhe ata homoseksualë, dhe krejt rastësisht nuk janë. Po ç’them dhe unë? Edhe sikur kjo punë të ish me të zgjedhur, asgjë nuk do të ndryshonte në këtë mes. Të drejtat e njeriut do duhej të respektoheshin po njësoj.

E thashë dhe më sipër. Argumenti i martesës mes gay-ve, që është argument i shkrimit të Stephanie Coontz-it, nuk shtrohet fare për diskutim në Shqipërinë e sotme. Dhe me të drejtë. Dikush do të thosh “për të keqen e gay-ve”. Jo, nuk është për të keqen e gay-ve shqiptarë. Të luftosh për të drejtat e këtyre të fundit për t’u martuar me persona të një seksi të njëjtë është po aq absurde sa të luftosh për të drejtat e të varfërve shqiptarë për të patur avionë charter. Gay-të shqiptarë nuk kanë akoma të drejtën për të bërë një outing të thjeshtë, që do t’i çlironte, siç u çlirua së fundmi këngëtari italian Tiziano Ferro (vërtet, sa i lumtur ishte pasi e nxorri atë sekret, me të cilin jetonte qysh në lindje!).

Megjithatë, këtë shkrim po e publikoj, pasi ky është vendi për t’u publikuar shkrime të tilla. Një nga synimet e kësaj gazete virtuale është përfaqësimi kulturoro-politik i atyre shqiptarëve, që nuk ndihen të përfaqësuar nga mediumet zyrtare në shërbim të establishmentit sundues. Ka pak shqiptarë të tillë? Apo nuk ka hiç? Epo mirë, ky website do të vijojë të bëjë të njëjtën gjë në respekt të qëllimit të vet për të mbrojtur e propaganduar një vizion liberal-progresist të ndërtimit e funksionimit të shoqërisë e të botës.

Më në fund, nga shkrime të tilla të gjithë mësojnë. Mësojnë dhe ata, të cilët nuk janë dakord fare me idetë e përcjella. Madje, shumë shpesh qëllon të mësojmë më shumë pikërisht nga shkrime e nga libra, mesazhet e të cilave bjenë ndesh me botëkuptimin tonë.

Mustafa Nano

Ata që kundërshtojnë martesat mes njerëzve me seks të njëjtë kanë shqetësimin se, duke i lejuar këto lloj martesash, do të ndodhë një transformim radikal i një institucioni, që është respektuar e nderuar qysh nga kohë që s’mbahen mend. Por ky është një shqetësim i vonuar ca si shumë. Martesa si institucion është transformuar tanimë; dhe bash në mënyrë radikale, dmth në një mënyrë që i bën martesat mes gay-ve, jo vetëm të pashmangshme (kështu është shprehur zv.presidenti Biden në një intervistë të dhënë nga fundi i vitit të shkuar), por edhe tepër logjike.

Ne, përsa u takon mendësive sociale dhe përkufizimit legal të martesës, jemi duke iu afruar fundit të një revolucioni dy-shkallësh. Ky revolucion ka përmbysur funksionet më tradicionale të këtij institucioni, si fjala vjen theksimin me ligj të diferencave në terma të pasurisë e të pushtetit, dhe të roleve të shqueshme e të pabarabarta të burrit e të gruas. Për mijra vjet, martesa ka qënë e lidhur me pasurinë e me pushtetin, e jo me dashurinë. Kanë qënë prindërit që kanë kopsitur e vendosur fatin e fëmijëve të tyre në këtë drejtim, dhe këtë e kanë bërë me synimin për të zgjeruar fuqinë punëtore të familjes, për të qëmtuar nuse e dhëndurë me status e me emër të mirë, dhe për të vulosur pakte përfitimi si në një biznes. Në ndonjë rast, prej merakut për të lënë trashëgiminë e tyre në duar të sigurta, prindërit i kanë dhënë karar punës duke i mbajtur pa martuar fëmijët e tyre. Për shumë njerëz, martesa ka qënë një detyrim i pashmangshëm. Për shumë të tjerë, ka qënë një privilegj, dhe jo një e drejtë. Shpesh, shërbëtorët, skllevërit dhe të varfërit nuk lejoheshin të martoheshin.

Mirëpo pak më shumë se sa dy shekuj më parë, gjërat zunë të ndryshonin; njerëzit filluan të besonin, se ata kishin të drejtë të zgjidhnin gruan/burrin e tyre mbi bazën e dashurisë, e jo më mbi bazën e mbrojtjes së interesave familjare apo shtetërore. Dashuria, dhe jo paraja, u bë motivimi kryesor i lidhjes së dy vetëve në një martesë, e në mënyrë logjike, ky ndryshim u pasua me ligje të një natyre më liberale përsa i përket divorcit. Në fund të fundit, arsyetonin njerëzit, nëse dashuria vjen një moment dhe ikën, s’është më, vdes, pse u dashka të ruhet martesa e ngritur pikërisht mbi dashurinë? Numri i divorceve u rrit në mënyrë konstante prej vitit 1850 deri në vitin 1950. Dhe vini re: s’ka ardhur ende vala e madhe e divorceve që shoqëroi fillimisht shfaqjen e grave si fuqi puntore.

Martesa e ngritur mbi bazën e dashurisë nënkuptonte ndryshime të tjera, gjithashtu, fjala vjen mirëkuptimin e miratimin më të madh të idesë, sipas së cilës burrat/gratë kanë një të drejtë themelore për t’u martuar me gra/burra, pa pyetur fare për faktin se ç’mendon familja e tyre – dhe shoqëria – për këta të fundit. Në vitet ‘940 e ‘950, një numur gjykatash të shteteve të ndryshme zunë të shfuqizonin ligje, të cilat ndalonin shtresa të caktuara njerëzish për t’u martuar. Në vitin 1967, Gjykata e Lartë e SHBA-ve nxorri vendimin, me anë të të cilit thosh se ndalimi nga ana e shteteve të federatës i martesave të personave me raca të ndryshme ishte jokushtetues. Në vitin 1978, e njëjta gjykatë nulifikoi një ligj të shtetit të Ëisconsin-it, i cili ua ndalonte martesën atyre prindërve, që nuk kishin përmbushur detyrimet ndaj fëmijëve të vet deri në atë moment. Në vitin 1987, gjykata e lartë u njohu edhe të burgosurve të drejtën për t’u martuar.

Ndonëse rrjedhojat e revolucionit të martesës me dashuri ishin të jashtëzakonshme, ato nuk arritën ta bënin të pashmangshme martesën mes dy vetëve të të njëjtit seks. Pse? Sepse martesa vijonte të bazohej në rolet e të drejtat e ndryshme të burrit e të gruas: gruaja ishte ligjërisht nën varësinë e burrit të saj, dhe asaj i takonte të përmbushte një numër detyrimesh prej gruaje brenda familjes. Kjo ishte pasojë e koncepteve që martesa kish rrënjosur thellë në shoqëri; kjo ishte dhe arsyeja pse martesa ishte mes një burri e një gruaje. Ne zumë të mendonim për të legalizuar lidhjet mes dy burrave e dy grave vetëm kur rolet e ndara mbi bazën e gjinisë nuk po shërbenin më si parime të realizimit të një martese (gjatë dyzet viteve të fundit).

Gjatë kohëve të shkuara, martesa ka nënvizuar një ndarje ta pabarabartë të punës, pasurisë dhe pushtetit midis burrave dhe grave. Ligjet tradicionale angleze e amerikane u jepnin burrave kontrollin e plotë mbi prikën e grave (dmth mbi pasurinë që gratë sillnin me vete në shtëpinë e burrit në momentin e martesës) dhe mbi të ardhurat që gratë nxirrnin në saj të veprimtarisë e talentit të tyre ndërkohë që ishin të martuara. Burrat kanë patur të drejtën ligjore – dhe detyrimin – që ta impononin vullnetin e tyre edhe me forcë. Një burrë nuk mund të lëshojë asnjë nga të drejtat e veta në duart e gruas, “sepse kjo gjë do të nënkuptonte egzistencën e saj jashtë kontrollit të burrit”, thuhet në Komentarin e famshëm të Blackstone-it mbi Ligjet.

Në fillim të shekullit të XIX-të, idetë e qëmotshme, sipas të cilave gratë kishin nevojë të ishin nën kontrollin e autoritetit mashkullor, ngaqë ato ishin më të prirura se burrat për t’iu dorëzuar ngasjeve të pasionit seksual e për t’iu përvjedhur moralit fetar, e ngaqë burrat e qeverisin shtëpinë bash ashtu si monarkët qeverisin mbretëritë e tyre, këto ide pra i hapën rrugë një ideologjie më pak shtypëse për gratë. Ishte fjala për një ideologji, e cila kërkonte e legjitimonte një ndarje rigoroze të të drejtave të burrave e grave, dmth burrat u ripërkufizuan si ata që siguronin zemërmadhësisht jetesën e familjes, e që ushtronin autoritetin në familje, jo sepse ishin boss-të patriarkalë, por sepse ata ishin në mënyrë natyrale ata që u ofronin grave mbrojtje e mundësi për të jetuar në paqe brenda familjes. Gratë ishin të brishta, dhe predispozioni i tyre i lindur së pari për të nxjerrë në dritë e rritur fëmijët, së dyti për një dlirësi seksuale, i bënte ato në mënyrë natyrale objekt të nënshtrimit të ëmbël nga ana e burrit.

Ky ripërkufizim i gjinisë u dha mundësinë amerikanëve të shekullit të XIX-të pajtonin idealin e ri të martesës me dashuri me një pretendim të vazhdueshëm, sipas të cilit burrat dhe gratë kanë të drejta dhe detyrime krejt të ndryshme. Dhe kështu në shekullin e XX-të, edhe pse e drejta e individëve për të zgjedhur partnerin e tyre ishte bërë tanimë një standard kulturor dhe një realitet ligjor, ideja se martesa ish bashkim i dy stereotipeve të dallueshme gjinore ishte e pakontrastueshme. Gjatë viteve ‘940, '950 dhe '960, sociologët dhe psikiatrët nuk hoqën dorë nga ideja, se martesa ka të bëjë me besnikërinë rigoroze ndaj roleve tradicionalë të mashkullit e të femrës. Në vitin 1964, një vit pasi Betty Friedan publikoi "The Feminine Mystique (Mistika e Femrës)", një artikull në një revistë të Shoqatës Mjekësore Amerikane e përshkruajti rrahjen si një përgjigje ‘pak a shumë’ të kënaqshme ndaj një gruaje ‘agresive, eficiente, mashkullore’ nga ana e burrit, që duhet të demonstrojë vazhdimisht në këto rrethana ‘identitetin e vet mashkullor’.

Ende në vitet ‘970, martesa ishte e përkufizuar si një bashkim që bart e nënkupton të drejta e detyrime martesore që ndryshojnë në varësi të gjinisë. Burri ishte përgjegjës për të mbajtur familjen financiarisht, por ai gjithashtu duhet të vendoste se deri në ç’nivel duhet të shkonte kjo mbështetje financiare, si t’i përdorte pronat e pasuritë, dhe në ç’vend duhej të jetonte familja. Gruaja nga ana tjetër ishte ligjërisht përgjegjëse për kryerjen e të gjitha shërbimeve në shtëpi, por të drejtat e saj nuk kishin të krahasuar me ato të burrit, megjithatë. Burri mund të kërkonte të shpërblehej nga gruaja në rrugë gjyqësore në rrethanat, kur verifikohej një loss of consortium (paaftësim seksual për shkaqe nga më të ndryshmet) i gruas së tij, gjë që gruaja nuk mund ta bënte në një situatë me role të ndryshuara. Përveç kësaj, duke qënë se seksi ishte një shërbim që pritej të ofrohej nga gruaja, kjo e fundit nuk mund ta padiste burrin për përdhunim.

Në vitin 1970, të frymëzuar nga një vendim i gjykatës së lartë federale, që thosh se lidhjet e dy personave të racave të ndryshme kishin, gjithashtu, të drejtë për t’u martuar, dy burra nga Minnesota kërkuan të bënin celebrimin. Kur një gazetar i kronikës i pyeti, se cili prej tyre do të ishte gruaja, ata iu përgjigjën: “ne nuk i luajmë këto lloj rolesh”. Kësaj ngjarjeje nuk iu kushtua vëmendje e madhe atëmot. Shumica e amerikanëve nuk ishin në gjendje të përfytyronin një martesë, në të cilin askush prej partnerëve nuk pranonte të merrte rolin dominant të burrit apo rolin e subordinuar të gruas. Gjatë viteve ‘970 dhe ‘980, megjithatë, u vu re një transformim revolucionar i konceptit të martesës. Feministet po ngrinin me të madhe nevojën për të shfuqizuar ligjet e ashtuquajtura "head and master" (ligje që i njihnin vetëm burrit të drejtën për të marrë vendime lidhur me pasurinë e familjes), të cilat shenjtëronin autoritetin e burrit në terma të ekonomisë së familjes, dhe shumë shpejt ia arritën qëllimit; u formuluan dhe u miratuan kode të reja ligjore, të cilat e zhduknin pabarazinë në të drejtat dhe detyrimet mbi bazën e gjinisë brenda familjes. Me kalimin e kohës, njerëzit zunë ta shihnin martesën si një marrëdhënie midis dy individëve, të cilët ishin të lirë – kuptohet, mbi bazën e orientimeve e prirjeve të tyre personale, dhe jo mbi bazën e roleve gjinore të paracaktuara – të organizonin partneritetin e tyre dhe të vendosnin se a do të bëheshin, e kur do të bëheshin prindër. Në ditët e sotme, siç nënvizoi dhe gjyqtari Vaughn Ëalker në vendimin e tij të shfuqizimit të një ligji kalifornian të njohur si ‘Proposition 8’, i cili ndalonte martesën mes personave me seks të njëjtë, “gjinia nuk është më një pjesë esenciale e martesës; me ligj, martesa është bashkim midis të barabartësh”. Asnjanësia gjinore i ka bërë shumë martesa të shfaqen si marrëdhënie më të ndershme e më të qëndrueshme partnerësh, gjë që ka ndikuar në uljen e numrit të divorceve dhe në rënien lineare të dhunës gjatë 30 viteve të fundit. Madje, studimet thonë, se kur bashkëshortët janë tok mbi baza të barazisë, niveli i lumturisë martesore është më i lartë se ai mesatari.

Fushatat kundër martesës mes personave me seks të njëjtë, edhe pse janë ende të fuqishme, nuk janë më dhe aq të suksesshme. Në muajin tetor të vitit që sapo shkoi, agjencia ‘Peë Research Center’ raportoi se për herë të parë në veprimtarinë e saj anketuese, numri i atyre që ishin kundër martesës brenda së njëjtës gjini ishte më pak se sa 50%. Nga ai anketim doli, gjithashtu, se 42% e opinionit publik amerikan mbështet në mënyrë aktive të drejtën e njerëzve për të kryer martesa të kësaj natyre; është më pak se sa gjysma, por është një alamet përqindjeje.

Është interesante të vihet re, se ata që janë në favor të martesës mes personave me seks të njëjtë janë më të shumtë në numër se sa ata që mbështesnin martesat mes personave me origjinë racore të ndryshme në vitin 1970, vetëm tre vjet pra, pasi gjykata e lartë shfuqizoi ligjet kundër të drejtës së çifteve ndër-raciale për të bërë fëmijë. Duke qënë se njerëzit e moshave 18-29 përbëjnë pjesën më të madhe të grupit që mbështet të drejtën e martesës brenda gjinisë, mbetet të themi se rreshtimi masiv në favor të kësaj të drejte është çështje kohe, e nuk ka më lidhje me kondicionime të tjera socio-kulturore. Kundërshtarët e martesave “gay” thonë se kjo tendencë do të na çojë në shkatërrimin e martesës tradicionale. Mirëpo, për mirë a për keq, martesa tradicionale është shkatërruar tanimë, dhe procesi i shkatërrimit filloi shumë kohë përpara se ndokujt t’i shkonte në mendje legalizimi i martesave mes të njëjtit seks. Njerëzit tani vendosin vetë se me kë, se kur, dhe se nëse, duhet të martohen. Dhe kur martohen, janë ata që vendosin nëse do të kenë fëmijë dhe se si ta bëjnë ndarjen e punëve të shtëpisë. Nëse s’merren vesh, ata janë të lirë të heqin dorë nga martesa e tyre

Nëse martesa “gay” njihet ligjërisht në këtë vend, impakti i këtij akti në institucionin e martesës do të jetë minimal. Në fakt, konsensusi në rritje në favor të martesave mes së njëjtës gjini është një simptomë, e jo një shkak, i transformimit revolucionar të konceptit e praktikës së martesës, që tanimë ka ndodhur.

Përktheu: M. Nano

Mbështetësit Dhe Partnerët