Manifesti LGBT
MANIFESTI PËR TË DREJTAT E KOMUNITETIT LGBT NË SHQIPËRI!
1. PARANDALO DISKRIMINIMIN!
Diskriminimi dhe paragjykimi mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballet komuniteti në familje, shkollë, shoqëri, vendin e punës etj. Për këtë arsye komuniteti rekomandon:
- Zbatimi i plotë i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi;
- Respektimi dhe Promovimi i te Drejtave të Komunitetit nëpërmjet:
- Caktimit të pikave të kontaktit në Bashki për çështjet LGBT;
- Realizimit të fushatave lokale ndërgjegjësuese kundër diskriminimit;
- Miratimi të politikave të brendshme në Bashki për parandalimin dhe eleminimin e diskriminimit;
- Realizimi i aktiviteteve të përbashkëta mes Bashkive dhe komunitetit;
2. SIGURI!
Mungesa e sigurisë dhe pranimit lehtësisht të të qenit homoseksual, lezbike, biseksual dhe transeksual nga shoqëria, bëjnë që komuniteti të ndihet i pambrojtur dhe të privohet nga të drejtat, që si qytetarë të këtij vendi iu takojnë me ligj. Për këtë arsye rekomandohet:
- Trajnimi i stafeve të Bashkive dhe Komunave për të njohur të drejtat e komunitetit LGBT;
- Trainimi i forcave policore në nivel lokal për t’u aftësuar në respektimin e të drejtave të komunitetit dhe për të garantuar mbrojtjen e tyre.
- Vendosja e një numri telefoni falas për çdo rast emergjence;
- Të rritet siguria në rrugë dhe mjetet e transportit publik;
3. SHËRBIME SOCIALE DHE PËRKUJDESJE!
Personat LGBT hasin një mungesë të theksuar apo inefiçencë të sherbimeve sociale. Shërbimet sociale për komunitetin ndikojnë në cilësinë e jetës dhe mirëqenies së tyre. Për këtë arsye rekomandohet:
- Ofrimi i shërbimeve psiko-sociale dhe shërbimeve mbështetëse për komunitetin me fokus të veçantë komunitetin transgjinor;
- Hapja e Strehëzave për komunitetin në nevojë , Qendrave të Këshillimit, Klubeve sociale, etj;
- Buxhetimi me pjesmarrje dhe në konsultim me komunitetin pranë çdo Bashkie;
4. STREHIM!
Një nga problemet më të mëdha për komunitetit është strehimi, që prek personat që dëbohen nga familja dhe veçanërisht komunitetin transgjinor. Për këtë komuniteti rekomandon:
- T’i jepet përparësi politikave të strehimit për komunitetin, duke promovuar strehimin e sigurtë të personave në situata emergjence, nga skema e strehimit pranë Bashkive;
- Sigurimi i strehimit të përkohshëm dhe të përhershëm për komunitetin transgjinor, sidomos në Tiranë;
5. PUNËSIM!
Një problem esencial që ndikon në garantimin e mirëqenies sociale të komunitetit LGBT është papunësia. Punësimi i komunitetit forcon mirëqenien e tyre dhe të familjeve. Për këtë arsye rekomandohet:
- Shmangia e diskriminimit në punësim duke ofruar mundësi të barabarta për komunitetin;
- Të shikohet me përparësi punësimi i komunitetit transgjinor;
- Të nxitet dhe të mbështeten nismat e vetë-punësimit të komunitetit LGBT.