SHQIPËRI: NGA SOT NJË PLATFORMË KOMBËTARE PËR TË RAPORTUAR GJUHËN DHE KRIMET E URREJTJES
- May 20, 2022
- crca-author
Studimet tregojnë se vetëm 3% e rasteve të gjuhës së urrejtjes raportohen!
Tiranë 20 Maj 2022 - Sot në mëngjes, Platforma Kombëtare ISIGURT.AL dhe Ambasada PINK prezantuan Platformën Kombëtare “RAPORTO: Gjuhën dhe Krimet e Urrejtjes”, në një event publik të mikëpritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Takimi u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Festivalit të 13-të të Diversitetit, për shkak se komuniteti LGBTI në Shqipëri mbetet një ndër më të prekurit nga gjuha dhe krimet e urrejtjes.
Gjuha e urrejtjes, ka nisur të haset kudo, në shkolla, ambiente pune, argëtimi e sportive, media, etj, ndërsa vitet e fundit edhe on-line. Gjuha dhe krimet e urrejtjes, janë kthyer tashmë në disa nga qëndrimet e veprimet më dëm-sjellëse ndaj qytetarëve dhe komuniteteve, shpesh atyre më të disavantazhuara në Shqipëri. Ato denigrojnë, fyejnë apo shkaktojnë dëm të konsiderueshëm jo vetëm ndaj individëve që preken drejtëpërsëdrejti nga to, por ndaj të gjithë shoqërisë.
Bazuar në raportin më të fundit të Platformës Kombëtare ISIGURT.AL, “Gjuha e Urrejtjes në Shqipëri”, i cili mbledh të dhënat 2018-2022, rreth 61 % e incidenteve on-line i përkasin Gjuhës së Urrejtjes, një shifër shumë e lartë kjo që tregon se ky fenomen është i përhapur kudo. Platforma sociale e cila e shfaq më shumë gjuhën e urrejtjes, është Instagrami me 52% të rasteve, ndjekur nga Facebook, Youtube dhe Tik Tok.
Por nga ana tjetër, duket se ky fenomen mban një shifër të papërfillshme të raportimeve në institucione përkatëse apo edhe ndihmuese e mbështetëse, vetëm në masën 3%. Sipas studimit të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës[1], rastet e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri në masën 97% nuk raportohen.
Nga ana tjetër, personat më të rrezikuar ndaj gjuhës së urrejtjes, LGBTI, duket se preferojnë më tepër të raportojnë këtë fenomen. Sipas studimit, pothuajse 40% e të anketuarve viktima të gjuhës së urrejtjes,pretendojnë se i janë kundërpërgjigjur personit që i ka sulmuar, rreth 30% kishin zgjedhur ta fshijnë mesazhin e urrejtjes, dhe vetëm 10 për qind e të anketuarve zgjodhën të raportojnë në institucione publike si policia, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjykata, etj.
Studimi ‘Përtej Kufizimeve: Thirrje kundër gjuhës së urrejtjes”, i Këshillit të Europës”, ndër të tjera evidentoi se: - 58% e e të anketuarve mendonin se gjuha e urrejtjes ishte e përhapur në masë të madhe ose shumë të madhe; - 72% e personave LGBTI të intervistuar raportuan se kanë qenë viktima të dhunës, sulmeve me armë apo me objekte të forta.
Një raport i Komisionit Europian Kundër Racizmit dhe Tolerancës[2], vëren për Shqipërinë se në 10 vitet e fundit janë gjykuar e denoncuar shumë pak raste të krimeve dhe gjuhës së urrejtjes. ECRI, deklaron se sipas Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Shqipëria gjithashtu nuk ka raportuar sistematikisht numrat e krimeve të urrejtjes të regjistruara nga policia. Sipas këtij Komisioni në Shqipëri mungon një sistem gjithëpërfshirës i mbledhjes së të dhënave për incidente raciste dhe homo- /transfobike të gjuhës së urrejtjes.
Drejtori Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, theksoi se: “Hapja e një platforme për raportimin e rasteve të gjuhës dhe krimeve të urrejtjes, është tashmë një domosdoshmëri për realitetin shqiptar. Kjo platformë, është një nga zgjidhjet, por jo zgjidhja e vetme. Zgjidhja e vetme e gjuhës dhe krimeve të urrejtjes, është parandalimi i tyre.”
ISIGURT.AL, si Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt që gëzon statusin e partnerit me Facebook, Instagram, Tik-Tok, Snapchat, WhatsUp, Youtube etj, do të ofrojë për të gjithë ata që preken nga gjuah e urrejtjes, identifikimin dhe heqjen e materialeve nga të gjitha platformat dhe rrjete socviale, si dhe do të referojë të gjitha ngjarjet tek autoritetet përgjegjëse. Një tjetër detyrë që Platforma ISIGURT.AL do të përmbushë, është edhe mbledhja e të dhënave dhe ndërgjegjësimi e informimi I publikut për këtë situatë në Shqipëri.
Platforma Kombëtare në Internet “Raporto Krimet dhe Gjuhën e Urrejtjes nis punën e saj pikërisht në 20 Maj në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Lezbofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë si dhe Festivalit të 13-të të Diversitetit në Shqipëri.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri
E-mail: isigurt@isigurt.al
Ambasada PINK
e-mail: pink@pinkembassy.al