Festivali i Diversitetit 2022

 

Gati Festivali i 13-të i Diversitetit dhe Tirana Pride 2022 nën moton “Ne Jemi Familje”


PINK udhëton nëpër Shqipëri me leksione të hapura, Ekspozitën "Të Jesh Transgjinor në Shqipëri" si dhe plot aktivitete ndërgjegjësuese. Ne 21 Maj ndërkohë do të mbahet edhe Tirana Pride 2022!

 

Në datën 16 Maj, Ambasada PINK Shqipëri hap Javën e Diversitetit, një fushatë ndërgjegjësuese në nivel kombëtar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT). Ky aktivitet përkujton vendimin historik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të datës 17 Maj 1990 për të hequr homoseksualitetin nga klasifimimi i çrregullimeve mendore.

Java e Festivalit të 13-të të Diversitetit do të zhvillohet në datat 16 Maj – 21 Maj nën moton “Ne jemi Familje”.

Duke pasur parasysh këtë temë si dhe faktin që IDAHOT është një ditë e rëndësishme në kalendarin vjetor, këtë vit Ambasada PINK po do të zhvillojë një turne leksionesh të hapura nëpër mjedise e ndryshme të vendit, Universitete, shkolla dhe institucione të tjera publike. Ne mendojmë se informimi i duhur i të rinjve mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor dhe pasojat e rënda të diskriminimit është shumë i rëndësishëm për të ndryshuar mentalitetin dhe perceptimet shoqërore. Ndërkohë ekspozita "Të jesh Transgjinor" e hapur vjet për herë të parë, një ekspozitë që pati impakt si në Shqipëri ashtu edhe jashtë, këtë vit do të hapet si ekspozitë e lëvizshme në 6 qytete të vendit, falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së Këshillit të Europës në Strasburg.

Aktivitetet do të përmbyllen në datën 21 Maj me Paradën e Krenarisë në Tiranë.

Më poshtë gjeni të plotë listën e aktiviteteve:

17 Maj         ora 11.00 - Ngritja e Flamurit – event i përvitshëm (Sheshi Nënë Tereza, Kolonat)

 

17 Maj         ora 11.00 - Ekspozita: Të jesh Trans në Shqipëri”: Durrës, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë – bazuar në suksesin e saj gjatë vitit të kaluar, ekspozita do të udhëtojë në 6 qytete të Shqipërisë për të ndërgjegjësuar komunitetet lokale për të drejtat e personave transgjinorë.

 

20 Maj         ora 11.00 - Prezantimi i Platformës Kombëtare në Internet “Raporto Krimet dhe Gjuhën e Urrejtjes” – në bashkëpunim me Linjën Kombëtare ISIGURT.AL dhe CRCA/ECPAT Shqipëri.

 

21 Maj         ora 11 - TIRANA LGBTI PRIDE - MARSHIMI I KRENARISË – këtë vit të gjitha organizatat LGBTI bashkë-organizojnë Marshimin e Krenarisë.

 

Ambasada PINK falenderon Bashkite e Qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për bashkëpunimin në zhvillimin me sukses të këtyre aktiviteteve si dhe gjithe institucionet e tjera që do të përfshihen në këtë proçes përgjatë muajit Maj 2022. 

Mbështetësit Dhe Partnerët