History
Historiku i zhvillimit të lëvizjeve LGBT në Shqipëri
Gjatë periudhës së regjimit komunist dhe deri në vitin ’95 marrëdhëniet homoseksuale dënoheshin me ligj në Shqipëri, si vepër penale.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe ratifikimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, solli si rezultat përmirësimin e kuadrit ligjor dhe heqjen e dënimit për marrëdhëniet homoseksuale.
Përpjekjet e para të aktivizmit, u shfaqën në formë spontane në aktivitetet e përbashkëta që organizoheshin nga komuniteti “Gay” në disa ambiente publike apo “cruising areas” (vend takime).
Në vitin 1994 një gazetë shqiptare boton intervistën e parë të një pjestari të komunitetit gay.
Në fillim të viteve 2000 “Gish Albania” dhe “Alga” ishin të parat organizata që parashikonin në statutin e tyre specifikisht mbrojtjen e të drejtave të LGBT dhe bënë përpjekje serioze në lidhje me promovimin e të drejtave të tyre dhe ngritjen e një bërthame të vogël njerëzish që do të inkurajonin formimin e një komuniteti LGBT. Por në 2007 GISH u mbyll pa mundur të vijonte promovimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Gjithashtu GSHDNJ ka qenë një nga organizatat e para në Shqipëri që ka mbështetur dhe ka dalë shpesh në mbrojtje të personave të komunitetit LGBT.
Më pas vjen dalja e parë publike e një vajze shqiptare të komunitetit të lesbikeve që studionte në Angli, në një program live në TV (Top Shoë);
Kjo inciativë në atë kohë u mbështet fuqimisht nga drejtuesit e medias, duke ndërmarrë masa ekstreme për ruajtjen e identitetit të vajzës dhe më pas të një djali i cili po ashtu mori pjesë në të njëjtin program.
Gjatë vitit 2003-2010 një numër nismash janë ndërmarrë nga shoqëria civile shqiptare dhe aktorë ndërkombëtarë në drejtim të adresimit të çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri.
Dy Debate për të Drejtat e Njeriut të realizuara në Dhjetor 2008 dhe 2009 nga CRCA në bashkëpunim me disa organizata të shoqërisë civile si Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim, Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, të mbështetura nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri, adresuan për herë të parë çështje që kanë të bëjnë më komunitetin LGBT në Shqipëri, duke i kërkuar njëkohësisht Qeverisë Shqiptare marrjen e masave konkrete që garantojnë të drejtat e këtij komuniteti.
Në Debatin e Dytë Kombëtar krahasuar me të Parin, pjesëmarrja dhe aktivizmi i komunitetit LGBT ne panelin e minoriteteve seksuale, ishte me i lartë dhe më i dukshëm.
Ne Dhjetor 2009 del Raporti “Mbi Përmbushjen e Rekomandimeve të Deklaratës së Debatit të 1-rë Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri”, nje raport ky i përgatitur nga CRCA me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta, me qëllim monitorimin e përmbushjes së konkluzioneve dhe rekomandimeve të bëra ne Deklaratën e Debatit të Parë.
Deklarata e të Drejtave të Homoseksualëve e miratuar në dhjetor 2008 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, e cila u kërkon shteteve anëtare të bëjnë më shumë për respektimin e të Drejtave të këtij komuniteti, u firmos edhe nga Shqipëria.
Në dhjetor 2008 Shqipëria firmosi Parimet e Xhakartës.
Në mediat shqiptare përfaqësues të shoqërisë civile shqiptare dhe të organizmave ndërkombëtare, si z. Boris Ditrich, i Human Rights Ëatch, kanë adresuar publikisht çështje të këtij komuniteti. Leksione të hapura dhe debate me studentë të Universitetit të Tiranës dhe të Neë York janë realizuar, si një prej mënyrave për të nxitur edukimin mbi orientimin seksual dhe të drejtat e njeriut.
Në shkurt të vitit 2009 përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të mbështetura nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë ngritën një Grup Pune, si një përpjekje e përbashkët për të luftuar diskriminimin dhe mungesën e respektitimit të të drejtave të LGBT në Shqipëri.
Për dy vjet rresht Shqipëria, në sajë të angazhimit të shoqërisë civile, i është bashkuar 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, duke ndërmarrë fushata publike kundër homofobisë.
Një sërë organizatash të shoqërisë civile si PLËHA, Aksion Plus, Stop AIDS, etj, kanë ofruar shërbime dhe vazhdojnë të jenë në mbështetje të personave të komunitetit LGBT.
Në 13 Mars 2010, hyri në fuqi ligji Kundër Diskriminimit, një nga instrumentat thelbësor ligjor që mbron të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe që përfshin gjithashtu ndalimin e diskriminimit mbi bazën e orientimit seksual. Shqipëria ka tashmë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Dy organizata të/dhe për komunitetin LGBT, janë ngritur tashmë në Shqipëri: Aleanca kundër Diskriminimit LGBT dhe LGBT Pro Shqipëri. Ato synojnë të mbrojnë të drejtat e minoriteteve seksuale në Shqipëri dhe të nxisin një lëvizje kombëtare të mobilizimit social për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e këtij komuniteti në Shqipëri.
Gjatë këtij viti, LGBT Pro Shqipëri dhe Aleanca kundër Diskriminimit LGBT punuan bashkarisht për të përgatitur një raport të përbashkët që adreson problemet dhe nevojat e Komunitetit LBT në Shqipëri, raport i cili u bë pjesë e Raportit Alternativ të Shoqërisë Civile të prezantuar në Komitetin CEDAË të Kombeve të Bashkuara në Korrik 2010.
Pink Embassy, një Program i ri që nis të zbatohet në Shqipëri, në Maj 2010, përmes një partneriteti mes organizatave COC Netherland, CRCA dhe LGBT Pro Shqipëri, me mbështetjen financiare të Programit të Transformimit Social (MATRA) të Ministrisë së Jashtme të Hollandës, synon të jetë një instrument i/për komunitetin LGBT në Shqipëri. PINK Embassy do të përdor ekspertizën, rrjetet dhe burimet e saj dhe të organizatave partnere zbatuese të këtij Programi për të përmirësuar situatën e këtij komuniteti në Shqipëri, duke advokuar e lobuar pranë të gjithë atyre institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore që kanë rol në drejtim të respektimit të të drejtave të këtij Komuniteti duke u bërë kështu zë i hapur publik i komunitetit LGBT, si dhe duke punuar me këtë komunitet që ai vetë të arrijë kapacitetin për të formuluar kërkesat dhe shqetësimet e tij dhe për ti adresuar ato pranë institucioneve përkatëse.
Gjatë vitit 2010, për herë të parë, një djalë i ri deklaroi publikisht në një emision televiziv homoseksualitetin e tij. Pas kësaj pati një numër të madh reagimesh pro dhe kundër si në median e shkruar edhe atë vizive.