Presentations - Recommendations

Dhjetor 2012 - KONKUZIONET DHE REKOMANDIMET E TRYEZЁS SЁ RRUMBULLAKËT

“Respektimi i të drejtave të komunitetit LGBT: Arritje dhe Sfida”

Organizuar nga:                      Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipёri
Në bashkëpunim me:             Avokatin e Popullit, Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Me mbështetjen e:                 Programit MATRA të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulta.

  • Legjislacioni për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe për të drejtat LGBT në veçanti, ka ardhur vazhdimisht duke u përmirësuar, por sfidë mbetet zbatimi i ligjeve. Më shumë hapa duhen ndërmarre në drejtim të forcimit të kapaciteteve të institucioneve që kanë për detyrë të zbatojnë ligjet për të drejtat e njeriut;
  • Tryeza evidentoi faktin se një sёrë ligjesh kanë nevojë për t’u përmirësuar dhe për të adresuar më mirë çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të komunitetit LGBT. Ligjet specifike që kërkojnë ndërhyrje janë:
  • Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë (krimet dhe gjuha e urrejtjes)
  • Kodi i Punës (ndalimi i diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në marrëdhëniet e punës);
  • Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (aspektet proçedurale, ankimimi etj)
  • Përgatitja e Planit të Veprimit të Qeverisë shqiptare është një arritje e rëndësishme, jo vetëm institucionale, por edhe sepse ai u përgatit falë bashkëpunimit dhe dialogut me komunitetin LGBT në Shqipëri. Megjithatë sfidë mbetet mbështetja me buxhet e zbatimit të Planit, e cila për momentin nuk është ende e qartë se nga cilat burime do të financohet.
  • Sfidë mbetet zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskrimimini në sistemin arsimor para-universitar në Shqipëri. Niveli i njohjes së Ligjit mbetet ende shumë i ulёt nga institucionet arsimore dhe përfaqësuesit e tyre dhe në shumë raste vihet re zbatim ose interpretim jo i drejtë i ligjit nga ana e tyre. Ministria e Arsimit duhet të tregojё më shumë vemendje në drejtim të bërjes së njohur të ligjit nga stafet e saj në të gjitha nivelet, përfshirë edhe ngritjen e mekanizmave që bëjnë të mundur mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, dhe përfshirjen e njohurive mbi të drejtat e individëve LGBT në programet mësimore të të drejtave të njeriut.
  • Me prioritet duhet parë vendosja e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit për të organizuar kurse trainimi mbi Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi me drejtues të Drejtorive Arsimore dhe mësues në të gjithë Shqipërinë si dhe trajtimit të drejtë të aspekteve të të drejtave seksuale, orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
  • Avokati i Popullit dhe Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi në bashkëpunim me organizatat LGBT duhet të shohin mundësinë e organizimit të orëve të hapura në Shkollat e Mesme, për informimin e adoleshentëve dhe të rinjve mbi çështjet LGBT, diskriminimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
  • Media ka bërë një punë shumë të mirë në drejtim të ndërgjegjësimit të publikut të gjerë mbi gjendjen dhe të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri. Megjithatë sugjerohet që organizatat LGBT dhe mediat të punojnë më nga afër duke sjellë në vemendjen e publikut modele pozitive të individëve LGBT brenda dhe jashtë Shqipërisë.
  • Tryeza vlerësoi bashkëpunimin e ngritur midis vetë organizatave LGBT dhe propozon që ky bashkëpunim të forcohet duke përfshirë organizimin e nismave dhe aksioneve të përbashkëta në drejtim të mbrotjes, forcimit dhe avancimit të komunitetit LGBT në Shqipëri. 

Shtator 2013 - Prezantim në Workshopin e realizuar për komunitetin e personave trangjinorë në Shqipëri:

  • Gjendja e personave trans në Shqipëri është shumë larg gjendjes së përgjithshme të komunitetit LGB. Përjashtimi i komunitetit trans nga jeta familjare, shoqërore dhe ekonomike ka qenë dhe mbetet një nga pasojat me kritike të homofobisë dhe transfobisë në Shqipëri.
  • Në përpjekjet për të forcuar komunitetin LGBT në këto vite, është parë se nevojat e personave trans, janë të një spektri shumë më të gjerë dhe të një natyre shumë më të komplikuar se sa ato të komunitetit LGB. Kjo nuk i bën ato më pak të zgjidhshme se sa problemet dhe nevojat e komunitetit LGB por kërkon një impenjim serioz dhe të dedikuar ndaj kësaj çështje. Këtu kemi parasysh numrin e madh të problemeve të komunitetit trans si pasojë e vizibilitetit të tyre në shoqëri dhe mosnjohjes së çështjeve të identitetit gjinor në vend.   

Në njërin krah janë nevojat primare si

  • mbrojtja nga dhuna, diskriminimi i shumëfishtë;
  • ndërhyrjet për raste emergjente pranë institucioneve të ndryshme;
  • komunikimi i përditshëm për tu njohur me problemet e tyre, apo qoftë edhe për të folur me ta;
  • diskriminimi dhe veçimi i personave trans brenda vetë grupit LGB etj
  • dhe në anën tjetër studimi dhe njohja e çështjeve ligjore, psiko-sociale dhe ato që lidhen me shëndetin, politikat dhe praktikat më të mira në lidhje me integrimin e plotë të personave trans në shoqëri.

Siç mund të merret me mend dhe kuptohet situata sot me komunitetin trans është ende shumë problematike dhe ka ende shumë për të bërë. Në 20 vitet e fundit, një grup shumë i vogël njerëzish kanë shfaqur një sens të të qënurit mashkull apo femër që nuk ka korresponduar me pamjen e tyre të jashtme. Për pasojë ata kanë vuajtur hapur diskriminimin e shumëfishtë, dhe gjithë pasojat e imagjinueshme të tij. Një nga pasojat më të rënda është që shumë persona trans detyrohen të jenë punonjës seksi si të vetmen mënyrë fitimi dhe mbijetese.  Raportet e tre viteve të fundit të Ambasadës PINK mbi shkeljen e të drejtave LGBT tregojnë se mesatarisht 8 në 10 raste diskriminimi janë të raportuara nga ky komunitet.

Aktet kanë qenë të ndryshme të tilla si:

  • Rrefuzimi për tu ofruar shërbim mjekësor, (theksojmë këtu raste urgjente);
  • Sulme fizike nga grupe të rinjsh, punonjës të policisë dhe klientë të tyre;
  • Arrestime të shpeshta dhe praktika jo të përshtatshme hetimi nga forcat e policisë;
  • Dëmtim i pronës apo mjediseve ku jeton ky komunitet; (Prill 2011);
  • Gusht 2011, një person trans vuajti dhunë të pajustifikuar nga 6 punonjës policie në rrugë dhe më pas në rajon pasi refuzioi ti bindej një punonjësi të policisë;
  • Dhunë në mjedisin familjar dhe dëbim nga shtëpia;
  • Vendime gjyqësore të padrejta - Një person i vetëidentifikuar si transgjinor, pas divorcit më bashkëshorten e tij iu lejua koha minimale për të parë vajzën e tij, pra vetëm 2 herë në muaj edhe pse ai kishte shprehur dëshirën për ta takuar çdo jave dhe pavarësisht se ai nuk përbënte rrezik për vajzën e tij.
  • Këtë dimër PINK reagoi për dënimin jo-proporcional dhe diskriminues të dy personave trans nga Gjykata e Tiranës.
  • 2009 është rregjistruar edhe vrasja e parë kundër një personi trans, të cilin autoritetet nuk e gjykuan si rast krimi urrejtje.

CFARË MUND TË BËHET:

  • Ashtu siç janë përpjekur organizatat LGBT në 4 vitet e fundit, duhet që masat të fillojnë me një program të gjerë ndërgjegjësues dhe informues specifik për komunitetin trans dhe të drejtat trans. Policia, shërbimet sociale dhe shëndetësore, gjyqësori, mediat dhe shkollat duhet të jenë të gjitha pjesë e tij;
  • Parandalimi i diskriminimit është i rëndësishëm: Siç kuptohet diskriminimi dhe paragjykimi mbeten probleme të medha dhe për këtë arsye duhet një implementim i plotë i ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, respektimi dhe promovimi i të drejtave të komunitetit trans. Institucionet përgjegjësë për implementimin e ligjit duhet të ndërgjegjësohen ndër të tjera edhe për te drejtat e personave trans;
  • Situata ligjore duhet të ndryshojë për njohjen e të drejtave të komunitetit trans përmes studimit të situates ligjore aktuale dhe implementimit të praktikave më të mira nga vende të tjera. Koordinimi me organizatat LGBT në Shqipëri dhe Europë me qeveri apo institucione ndërkombetarë që kanë punuar në këtë fushë.  
  • Pushteti lokal duhet të punojë për identifikimin e problemeve dhe nevojave primare të komunitetit trans të cilat vijnë për shkak të diskriminimit dhe veçimit të kahershëm në mënyrë që ky komunitet të gëzojnë shërbimet parësore që lidhen me nevojat e tyre. Rëndom personave trans u mohoen shërbimet minimale si aksesi në lokale dhe bare, shërbime mjekësore, ato të mbrojtjes nga dhuna dhe diskriminimi etj. Për këtë arsye stafet e bashkive dhe ato të policisë duhet të informohen dhe ndërgjegjësohen për çështjet trans, nevojat e këtij komuniteti dhe praktikat më të mira anti-diskriminim.
  • Bashkia e Tiranës duhet të miratojë urgjentisht një plan pune ku të adrresojë problemet kryesore të personave trans dhe të ofrojë zgjidhje të përshtatshme dhe afatgjata të tilla si:
    • Sigurimi i një qëndre pritesë dhe strehuese;
    • Ofrimi i shërbime psikosociale dhe mbështetëse brenda këtyre qendrave me punonjës socialë të trajnuar dhe përgatitur posaçërisht për nevojat e këtij komuniteti;
    • Sigurimi i strehimit afatgjatë të personave trans duke nisur nga rregjistrimi i tyre si persona të pastrehë;
    • Caktimi në buxhetin vjetor i shumave specifike duke marrë për bazë gjendjen aktuale dhe nevojat e komunitetit trans;
    • Bashkëpunim dhe koordinim me organizatat LGBT dhe institucionet qëndrore për programe trajnimi, ndërgjegjësimi dhe implementimi të një plani strategjik realist, afatgjatë dhe vizionar nga Bashkia e Tiranës, në mënyrë që ai të shërbejë si një plan pilot dhe të jetë i përdorshëm edhe nga bashki më të vogla në rastet kur të lindë kjo nevojë;
    • Përveç përpjekjeve aktuale për mosdiskriminimin në mjedisin e punës për shkak të identitetit gjinor duhet punuar që komuniteti trans të fuqizohet duke marrë dy hapa të rëndësishme:
  • Caktimin e punësimit të personave trans si prioritet
  • inkurajimin dhe mbështetjen e iniciativave për vertpunësim të komunitetit trans.
  • Personat trans duhen asistuar dhe ndihmuar për të marrë në dorë fatin e tyre, me programe për rritjen e kapaciteteve organizative dhe advokuese në mënyrë që ata vetë të kërkojnë të drejtat e tyre. Duke marrë parasysh faktin se ky komunitet është shumë i vogël në Shqipëri dhe ekzistencën e  tre organizatave LGBT duhet punuar që të ketë një koodinim për fuqizimin e këtij grupi në mënyrë efektive, më pak kosto dhe rezultate afatgjata;
  • Rekomandimi ynë është gjithashtu që puna e bërë deri tani në kuadër të planit të masave të jetë sa më i detajuar dhe specifik në raport me nevojat dhe kërkesat e komunitetit trans duke patur parasysh vizibilitetin dhe qartësinë e kërkesave të tyre dhe të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi dhe konventat ndërkombëtare të Shqipërisë.

Supporters and Partners