LETËR E HAPUR- Partia Socialiste të distancohet nga qëndrimet homofobike dhe diskriminuese të z. Artan Lame përkundrejt të drejtave të personave LGBT në Shqipëri

Tiranë, 26 Mars 2013
Drejtuar: Z. Edi Rama
Kryetar i Partisë Socialiste

I nderuar z. Rama,

Ambasada Pink /LGBT PRO Shqipëri është një organizatë që punon për promovimin e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT (lezbike, gej, biseksual dhe transgjinor) në Shqipëri, për të përmirësuar situatën e këtij komuniteti dhe forcuar zbatimin e ligjit që mbron dhe garanton të drejtat e njeriut, duke advokuar e lobuar pranë institucioneve shtetërore dhe private që kanë rol në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut të personave LGBT.

Në duam të ndajmë me ju shqetësimin, por edhe indinjatën tonë, për shkrimin e z. Artan Lame, në gazetën Shqip, të datës 23.03.2013, me titull ‘Dështimet e Shtetit’, i cili është një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste dhe me shumë mundësi një kandidat për deputet i forcës suaj politike.

Në këtë shkrim, z. Lame i konsideron personat LGBT si devijantë të lindur, perversë dhe i personifikon ata me pedofilët, çka tregon inorancën e tij të theksuar lidhur me këtë çështje. Ndër të tjera ai shprehet me terma fyes dhe paragjykues për këtë komunitet (duke përdorur fjalën pederasti), terma të përdorur nga diktatura komuniste, të një kohe kur askush nuk mund të ëndërronte për respektim të drejtave dhe lirive të njeriut. I gjithë artikulli, ndonëse duket se është nisur nga qëllime pozitive për të debatuar mbi një fenomen kaq negativ dhe me pasoja të rënda, siç është pedofilia, për shkak të konfuzionit të dijeve, homofobisë së vetë autorit, paditurisë dhe mungesës së kontrollit të fakteve, është kthyer në një shpifje të madhe kundër njerëzve të thjeshtë. Për t’ju ndihmuar po ju dërgojmë bashkangjitur edhe konceptet bazë mbi orientimin seksual dhe komunitetin LGBT në fund të kësaj letre të hapur.

Pavarësisht bindjeve apo perceptimeve personale të z. Lame, përmes kësaj letre ne duam t’ju kërkojmë si Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të distancoheni publikisht prej qëndrimeve të tij, duke ditur se ai ështe një nga anëtarët e strukturave drejtuese të PS. Qëndrime të tilla të shprehura nga një figurë publike së pari keqinformojnë publikun e gjerë, së dyti nxisin urrejtjen ndaj qytetarëve, dhe së treti lehtësisht mund të perceptohen si qëndrim zyrtar i forcës politike ku ai aderon, në këtë rast Partia Socialiste e Shqipërisë.

Do të ishte e tepërt t’ju kujtonim se Internationalja Socialiste, nën-kryetar i të cilës ju jeni, mbështet publikisht dhe mbron fuqishëm të drejtat e komunitetit LGBT. Rastet më të fundit në Francë dhe Danimarkë, ku partitë socialiste aty udhëhoqën përmirësimet ligjore për martesën në gjini të njejtë, janë tregues i vlerave të partive të majta. Vlerat ideologjike të social-demokracisë europiane (liri, barazi dhe vëllazëri) janë të barabarta dhe kanë vlerë si në Bashkimin Europian ashtu edhe në Shqipëri. Forca juaj politike nuk mund të ketë dy vlera, një për qytetarët e Bashkimit Europës dhe një tjetër diskriminuese për qytetarët shqiptarë.

Qytetarët LGBT shqiptarë aderojnë dhe kontribuojnë në çdo sferë të jetës publike, institucionale, ekonomike, shoqërore dhe politike të Shqipërisë. Asnjë parti nuk duhet t’i lejojë një anëtari të saj t’i drejtohet qytetarëve shqiptarë me këtë lloj gjuhe diskriminuese dhe fyese, për më tepër kur dihet që pjesë e partive dhe jetës politike, e mbi të gjitha votues, janë edhe pjestarët e komunitetit LGBT.

Ne mendojmë se “Rilindja Shqiptare” nuk mund të ndërtohet mbi vlerat e paragjykimeve, mungesës së tolerancës, diskriminimit apo shkeljes të të drejtave të njeriut të komunitetit LGBT. Përkundrazi në bindjen tonë ajo mund të ndërtohet vetëm duke respektuar vlerat tona si qytetarë të denjë të këtij vendi. Ne jemi të zhgenjyer që “Rilindja Shqiptare” në rastin e z. Lame qenka një rilindje për dhunë, diskriminim dhe përjashtim të një komuniteti të tërë, që cdo ditë punon për të ndërtuar Shqipërinë, si çdo qytetar tjetër i këtij vendi.

Në emër të komunitetit LGBT në Shqipëri, i cili beson tek vlerat demokratike dhe të tolerancës së shoqërisë sonë, beson tek familja dhe morali i të drejtave të njeriut, duke qenë se jemi edhe përpara zgjedhjeve parlamentare, ju kërkojmë të distancoheni nga qëndrime të tilla dhe të shprehni publikisht qëndrimin e forcës suaj politike lidhur me çështjen LGBT.

Artikulimi i çështjeve, nevojave dhe problemeve të komunitetit LGBT duhet të kenë për Partinë Socialiste të njëjtën përparësi dhe rëndësi siç kanë edhe grupet e tjera sociale të shoqërisë, pasi e kundërta do të ishte një tregues se partia më e madhe opozitare është një parti me qëndrime homofobie dhe që punon kundër respektimit të të drejtave të njeriut.

Ambasada PINK beson se Partia Socialiste duhet që shprehimisht të përfshijë komunitetin LGBT në programin e saj elektoral dhe duhet të ofrojë zgjidhje konkrete dhe të prekshme për këtë grup social ashtu si për çdo grup tjetër të shoqërisë shqiptare.


* *
*

KONCEPTE MBI ORIENTIMIN SEKSUAL DHE IDENTITETIN GJINOR

Orientimi seksual përshkruan një model/strukturë të qëndrueshme tërheqjeje – emocionale, romantike dhe seksuale ose kombinim i tyre – kundrejt seksit të kundërt, seksit të njejtë, të dyja sekseve ose asnjërit prej sekseve dhe gjinive që i shoqërojnë ato. Këto tërheqje qëndrojnë përgjithësisht nën emërtimet heteroseksualitet, homoseksualitet, biseksualitet dhe aseksualitet. Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, orientimi seksual i referohet gjithashtu ndjenjës së “identitetit personal dhe shoqëror” të personit, bazuar në një nga këto tërheqje, sjelljeve që i shprehin ato dhe anëtarësimit në komunitete me persona që i ndajnë ato.

Koncepti i orientimit seksual, ka të bëjë me shumë më tepër sesa thjesht sjelljen seksuale. Në të
përfshihen si ndienjat ashtu edhe identiteti. Disa individë mund ta identifikojnë veten e tyre si gei, lesbike ose biseksualë edhe pa u përfshirë në ndonjë aktivitet seksual. Disa njerëz besojnë se orientimi seksual është i lindur dhe i përcaktuar; ndërsa studime të tjera tregojnë se orientimi seksual zhvillohet përgjatë jetës së njeriut. Shumë njerëz vet-identifikohen si heteroseksualë, gei, lesbike ose biseksualë në momente të ndryshme të jetës së tyre.

Orientimi seksual është një term që përdoret shpesh për të përshkruar tërheqjen romantike, emocionale apo seksuale të një personi ndaj një personi tjetër. Dikush që tërhiqet nga persona të të njëjtit seks ka orientim homoseksual dhe mund të quhet gei ose lesbike. Individët që tërhiqen nga persona të seksit të kundërt kanë orientim heteroseksual. Orientimi seksual është një proçes që thellohet vazhdimisht me kalimin e kohës dhe individët që tërhiqen si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat quhen biseksualë. Orientimi seksual është i ndryshëm nga identiteti gjinor, i cili i referohet ndjesive të brendshme që tregojnë se dikush është mashkull ose femër.

Identiteti gjinor është mënyra se si një njeri vet-identifikohet me një kategori gjinore, si përshembull të jesh burrë ose grua, apo në disa raste asnjë prej tyre, i cili mund të jetë i dallueshëm nga seksi biologjik. Identiteti gjinor bazë, formohet zakonisht rreth moshës tre-vjeçare dhe është jashtëzakonisht e vështirë për tu ndryshuar pas kësaj moshe. Të gjitha shoqëritë kanë një grup të kategorive gjinore që mund të shërbejnë si bazë e formimit të një identiteti social në raport me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Në shumicën e shoqërive, ekziston një ndarje bazë ndërmjet atributeve gjinore të caktuara për meshkujt dhe femrat. Megjithatë, në të gjitha shoqëritë njerëzore, disa individë nuk identifikohen me gjininë që u është caktuar nga seksi i tyre biologjik.

Termi LGBT është shkurtimi kolektiv i fjalëve lesbike, gei, biseksual/e dhe transgjinor/e. Termi LGBT përdoret në nivel ndërkombëtar. LGB ka të bëjë me një orientim seksual gjinor (LG) ose të dyja (B). Ndërsa T ka të bëjë para së gjithash me identitetin gjinor. Shpesh përdoret edhe termi LGBTIQ. Gërma I (intersex) përdoret për personat interseks, një term i përgjithshëm që i referohet personave të cilët kanë lindur me një anatomi riprodhuese ose seksuale që duket se nuk i përshtatet përcaktimit tipik, femër ose mashkull. Dhe së fundmi termi (questioning) me gërmën Q i cili përdoret për persona ende të paqartë për orientimin seksual ose identitetin gjinor të tyre.

Mbështetësit Dhe Partnerët