Shqip
English
Jeta e një homoseksuali në Libinë e çliruar nga Gadafi Intervista me një aktivist të lëvizjes LGBT tregon për jetën e homoseksualëve pas revolucionit në Libi.
- Mar 03, 2012
- Ambasada Pink
3 Mars 2012
Sot ka shpresë në shoqërinë libiane pas revolucionit, sidomos për personat LGBT, por të gjithë pranojnë faktin se progresi mund të jetë i ngadaltë. Në një diskutim me Khaleed, një aktivist libian, mësojmë më tepër për jetën e homoseksualëve pas rënies së rregjimit të Gadafit.
Pas rënies së Gadafit nga pushteti, Khaleed, ashtu si shumë libianë të tjerë, ka shumë shpresa por edhe shqetësime për të ardhmen. Vendi i tij, shoqëria dhe kulturat e shumta do duhet të ndërtojnë një identitet të ri i cili deri para pak kohësh ishte lidhur ngushtësisht me Gadafin dhe familjen e tij.
Khaleed, ashtu si shumë libianë të tjerë shpreson se duke shfrytëzuar burimet e shumta të gazit dhe naftës, libianët do mund të riparojnë dëmet e luftës shtatë mujore dhe të nisin punën drejt një zhvillimi të shpejtë ekonomik.
Por është e qartë se ky nuk do të jetë një udhëtim i lehtë. Shumë nga ato grupe militantësh që kontribuan në rrëzimin e Gadafit, refuzojnë të dorëzojnë armët, kanë plan të ruajnë autonominë e fituar dhe të influencojnë vendimet e ardhshme politike, si “ruajtës të revolucionit”. Raportet tregojnë se në total këto grupë milicish janë rreth 250.000 vetë.
Ky është një nga problemet kryesore të Libisë së sotme dhe i qeverisë së saj të tranzicionit. Khaleed dakordohet se ky problem pasohet nga çështje si ngritja e shoqërisë civile, ligjit dhe rendit dhe stabilizimi i ekonomisë.
Khaleed jeton në Libinë lindore, shumë larg kryeqytetit Tripoli, në një zonë e dominuar nga rezistenca që në ditët e para. Për rrjedhojë zona është më e qëndrueshme dhe më e mbrojtur prej luftës civile. Në zona të tjera, vrasjet dhe dhuna kanë shkaktuar tmerre mes qytetarëve. Shumë raportime flasin për përdhunime në grup nga ushtarët e Gadafit si ndaj femrave ashtu edhe meshkujve.
Gjatë revolucionit, Khaleed tregon se mediat kanë raportuar shumë histori skandaloze mbi familjen e Gadafit. E para, ka të bëjë me urinë e pashtershme të Gadafit për seks, si me meshkuj ashtu edhe femra dhe përdorimi i përhershëm i Viagrës. Së dyti, në shtëpinë e Al-Saadi’t, një nga djemtë e Gaddafit, u gjetën filma porno me tematikë gay. Të gjitha këto u përdorën si metoda për të de-legjitimuar regjimin e vjetër por edhe për të trembur personat lesbike, gay, biseksuale dhe transgjinore në Libi.
Sipas Khaleed, pas revolucionit, personat LGBT kanë nisur të takohen përmes rrjeteve sociale, kjo edhe sepse në vend nuk ka bare, lokale ose mjedise takimi. Frika më e madhe e personave LGBT në Libi është zbulimi i identitetit të tyre seksual dhe të rënit pre e thashethemeve.
Shqetësimi kryesr për Khaleed, mbetet deklarata e liderit të qeverisë në tranzicion, i cili Tetorin e kaluar tha se ligji i sharias (ligje që mbështeten në parimet e islamit) do të frymëzojnë kushtetutën e ardhshme të Libisë. Deri tani duket se nuk ka asnjë rrezik për jetën e personave LGBT por duhet punuar për të hequr ligjet anti-gay të vëna në fuqi nga Gadafi.
Një tjetër frikë, shoqërohet nga debatet e ditës, midis grupeve që mbështesin një Libi liberale dhe sekulare dhe atyre që mbështesin islamin dhe traditën. Ndodh shpesh që në debatet e politikës të përdoret homoseksualiteti për ti trembur njerëzit nga sekularizmi dhe laiciteti i shtetit.
Në këtë kuptim, Khaleed mbetet realist ashtu si pjesa më e madhe e personave LGBT në Libi të cilët nuk presin ndonjë përmirësim të situatës së tyre në të ardhmen e afërt. Ndër të tjera Khaleed thotë: “ne nuk ënderrojmë për parada apo për të treguar dashurinë tonë në mjedise publike. Kjo do të kërkojë ndryshime shumë të mëdha dhe një shoqëri civile të qëndrueshme të cilën ne vetëm sa kemi nisur ta ndërtojmë. Ne nuk po kërkojmë për hënën, ajo çka duam është më shumë respekt për privatësinë tonë dhe ligje që nuk na dënojnë për shkak të orientimit tonë seksual.”
Nga Dan Littauer














