2012 Cmimi i Gazetarise
JAM HOMOSEKSUAL DHE JAM I LIRE T’A THEM!!
Nga Beti Njuma
Po shkruante faqen më të rëndësishme të këtij ditari, të nisur plot 15 vjet të shkuara, dhe për të parën herë në jetë, gjeti kurajon ti thotë botës: po, unë jam homoseksual. Sa mund, sa vite të gjata lufte me vetveten, sa vuajtje dhe dëshpërim, sa pak kurajo për të gjetur të vërtetën brenda një shpirti të trazuar. U desh të festonte 30 vjetorin e lindjes që Tiziano Ferro të hidhte hapin e parë të dashurisë ndaj vetes, të clirohej. Foli me të atin! Dhe njeriu me i shtrenjte që kishte në jetë e kuptoi, pa kërkuar asnjë shpjegim, asnjë pse, me të vetmet fjalë ngushëlluese, që ngjasojnë me një leksion jete: Mëso të respektosh vetveten!
Këngëtari nga Latina vendosi t’u rrefehet deri në fund, prinderve e miqve ne fillim, dhe tani edhe adhuruesve të tij, kesaj here jo me një këngë apo album të ri, por përmes faqeve te një libri. “Trent’anni e una chiaccherata con papa” (“30 vjec dhe një bisedë me babain”) është libri autobiografik, ku Tiziano shpalos mendimet më intime, ato që mund të shkruhen vetëm në një ditar, për sa kohë ai është miku yt më i mirë. Një vetërrëfim që merr udhë në 1995 e që ndalet në një stacion te rendesishem për cdo njeri, atë të të 30-ve. Ndaj mos u cudisni kur përtej yllit që shkëlqen, artistit të famshëm, njeriut tashmë të pasur, në 400 faqet e këtij libri të lexoni rresht pas rreshti, historinë e një djali që është si ne, me të njejtat probleme, dyshime, shqetësime dhe pikëpyetje. Shto këtu problemet me buliminë në adoleshencë, mospranimin e homoseksualitetit, depresionin, pamundësinë për të dashuruar.
Publikimi i librit në Itali u bë më 20 tetor 2010, njekohësisht me vetëdeklarimin e Tizianos si homoseksual përmes faqeve të revistes “Vanity Fair”, një gjë që pëshpëritej prej kohësh, por asnjëherë nuk ishte pranuar publikisht nga këngëtari. Titulli bombastik “Dua të dashurohem me një burrë” nuk do të linte indiferentë edhe më të painteresuarit! Dhe në fakt intervista shkaktoi një shok të përgjithshëm, tek adhuruesit e tij por sidomos mediatik, ku gazetat do të kishin më në fund material për “gossip”.
Tiziano Ferro, nuk ishte i pari në radhët e këngëtarëve të famshëm që deklaroi homoseksualizmin. Freddie Mercury, Elton John, George Michael, apo Ricky Martin, sa për të rreshtuar disa, kane ngritur të njëjtën re mediatike. Por koha kalon dhe çdo deklarim shkakton bujë si të ishte hera e parё.
Kopertina e librit “Trent’anni e una chiaccherata con papa” është e bardhë, me vetëm titullin në të zeze dhe emrin e firmën e këngëtarit me të kuqe. Dhe asgje tjetër. Asnjë foto, asnjë detaj komercial, edhe pse Tiziano është një luan i industrisë diskografike.
Tiziano ka qenë gjithmonë një njeri i rezervuar, për gjithcka ka pasur të bëjë me jetën e tij private. Për herë të parë në një intervistë televizive Tizianon e kam parë disa vite me pare tek emisioni “Verissimo”. Thjeshtesia e tij dhe sinqeriteti ç’armatosës më lanë pa fjalë. Personi i mrekullueshem që zbulova gjithashtu. Ky libër është vecse një konfirmim i asaj ndjesie. Por vetëm kaq!
Ashtu si unë do të zbuloni se rruga drejt muzikës ka qenë e gjatë, po aq sa dhe e vështirë. Ajo nis në moshën 5 vjecare kur prindërit i dhuruan një pianio për Krishtlindje, dhe do t’ju cojë nëpër të gjitha shtigjet e këtij artisti. Do t’ju zbulojë historitë e të gjitha albumeve dhe këngëve të kompozuara prejt tij. Do të lexoni për udhëtimet e gjata nëpër botë, studimet në Meksikë, vendimin për të jetuar në Londër ku shkoi për tu fshehur nga ata që e deklaruan GAY shumë më përpara se ai t’ia pranonte vetes! Tani Tiziano ka dalë nga hija, dhe kjo ishte një zgjedhje personale, edhe për të hequr atë koracë që e rrethonte prej vitesh.
Tiziano nuk është djaloshi që keni parë në televizion. Nuk është ai për të cilin kanë shkruar dhe kanë folur të tjerët. Fletët e këtij ditari nxjerrin në dritë se “111” nuk është thjeshtë titulli i njërit prej albumeve të tij, por pesha maksimale që arriti në adoleshencë. Ky është një libër të cilin nuk e ka menduar, nuk e ka kompozuar, nuk e ka strukturuar. Ka lindur vetvetishëm, duke ëndërruar, duke qarë, duke qeshur, duke vuajtur, duke parë, duke ndryshuar, duke shpresuar, duke dëgjuar.
Të befason sinqeriteti i këtij djali. Ndjeshmëria e tejskajshme por edhe kurajo për t’ua treguar të tjerëve të vërtetën. Të vërtetën e një njeriu, një artisti, e më pas edhe atë të një homoseksuali. Jemi fare pranë Italisë, por vite dritë larg mentaliteteve që na rrethojnë. Kur qasem të bëj një krahasim, ndihem ngushtë, si e zënë në faj, tek mendoj se sa pak të lirë jemi për të qenë të vërtetë. Është një liri që deri pak kohe më parë na e kishin rrembyer me forcë, ndersa tani e kemi dorëzuar me ndërgjegje të plotë. Dhe tek e fundit s’kemi c’bëjme. Rrezikojmë të përfundojmë si Klodi i Big Brother 3. Të lincuar nga një shoqëri e tërë, mbështetëse për sa kohë është fasadë, goditëse po i re në dorë.
Të të përbuzin në heshtje është një gjë, por të të fyejnë teksa ecën në rrugën tënde, pa i prishur punë askujt dhe të të kërcënojnë publikisht, sic bënë bashkëqytetarët lezhianë të Klodit (që vetëm me qytetarine s’kishin lidhje) është mjeruese. Kjo për fat të keq, ishte dhe mbetet shprehje e një klime të përgjithshme antigay! Nuk besoj se në Shqipëri edhe për shumë kohë ndonjë tjetër Klod, e aq më pak ndonjë këngëtar, si në rastin e Tiziano Ferros në Itali, do të guxonte të publikonte ditarin e tij, mendimet më personale, ndjenjat më intime, e aq më pak të shfaqte hapur ndonjë prirje homoseksuale. Mjafton të kujtoj reagimin e Sinan Hoxhës dhe mikut të tij Seldi, pas akuzave të Domenikës se ata ishin homoseksualё, për të kuptuar se si funksionon Shqipëria. Ne akuzojmë! Ne nuk pranojmë! Ne fyejmë! Ne nuk mirëkuptojme! S.Hoxha nxitoi të sqarojë se nuk ishte homoseksual, a thua se kjo ishte një sëmundje e rrezikshme e shfarosjes në masë, apo damka me e madhe e turpit që mund të mbajë një njeri! E cfarë pastaj sikur të ishte gay!
E keqja, sidoqoftë nuk qëndron këtu. Mëkati ynë i madh qëndron në faktin se sjellja jonë ndaj homoseksualeve është me dy fytyra. Shfaq një herë fytyrën e qeverisë që miraton në parlament ligjin ndaj diskriminimit edhe të këtij grupi njerëzish, dhe si një medalje e shëmtuar, ka edhe anën tjetër, tallëse, fyese të po kësaj qeverie, që teksa ngre kartonin jeshil për të votuar ligjin, sikur të ishte nën efektin e marihuanës përqesh e nënqesh me xhestikulacione para një populli të tëre këtë kategori, që s’ka mekat tjeter, vec atij te te dashuruarit me një si vetja.
Dyfytyrësia ka edhe pamjen e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, i cili një herë krenohet kur trumbeton përpara të huajve se në ushtrinë tonë do të pranohen edhe homoseksualët, e një herë tjetër shan me mllef në televizion protestuesit e demonstratës së 21 janarit 2011 se pervec se horra, janë edhe homoseksualë. A thua se homoseksualizmi eshtë ekskluzivitet vetëm i socialistëve.
Ky lincim nuk është shumë i ndryshëm nga ai i 30 e kusur viteve më parë. Dikur homoseksualet burgoseshin, vertet! Ndërsa sot, dënimi qeveritar është tallja, e dënimi qytetar është dhuna. Homofobia është një ves, që ne e shfaqim hapur, me po atë lehtësi që tymosim një cigare, është një sport kombëtar që e luajmë pa dallim moshe e seksi!
Ndaj kësaj dhune verbale, që nuk është cudi të shndërrohët edhe në fizike , nuk dëgjova ndonjë shtetar të lartë, qoftë edhe lokal të rreshtohej përkrah Klodian Celës, cili tashmë është simbol mbarëshqiptar i fenomenit. Përkundrazi, të vetmit miq që i erdhën në ndihmë ishin ambasadorët e huaj, ai gjerman, amerikan e holandez. Mu duk sikur fliste për një vend jashtëtokësorësh kur ky i fundit shpesonte që: nuk do të jetë e largët dita kur edhe në Shqipëri individë të ndryshëm nuk do kenë më frikë të jenë gej, nuk do ndihen keq të ecin nëpër rrugë të kapur pas dore me personin që dashurojnë”. Ky kopësht me lule për të cilin ambasadori holandez foli, ende nuk ka celur dhe duket se do të kalojë një dimër të gjate ngrice! Do të kalojnë ende shumë vite para se të emancipohemi, e të pranojmë të tjerët ashtu sic janë, edhe homoseksualë. Publikisht, pa i talluar, pa i fyer në emër të një pseudomorali! Natyrisht Klodi foli, sepse prej shumë vitesh kishte jetuar jashtë Shqipërisë, ku ishte mbrujtur me një tjeter kulturë, shumë më tolerante e më mirëkuptuese ndaj lirisë seksuale. Të kuptohemi. Ndoshta edhe jashtë në shumë raste nuk i duan, por respektojnë, i mirëkuptojnë dhe mbi të gjitha nuk guxojnë t’i diskriminojnë. Përvec kulturës dhe ndërgjegjes qytetare, atje ka ligje! Mjerë kush i shkel! Në një moment durimsosjeje Klodi e tregoi të vërtetën e tij. Klodi foli në kurriz të tij dhe të të gjithë atyre që kanë heshtur. Fatkeqsisht, pas asaj letre emocionuese, e tronditëse, që personalisht më ka bërë për të qarë, zor se do të dalë ndonjë Klod tjetër për të na thënë të vërtetat që ne i shohim, që ne i dimë e që konsumohen para syve tanë. Ne nuk flasim! Ne parapëlqejmë ligjin e heshtjes! Ate ligj të pashkruar, por të ngjashëm me atë te hedhur të bardhë mbi të zeze të ish presidentit amerikan Bill Klinton në 1993 “Don’t ask, don’t tell”, kur urdhëroi nga Shtëpia e Bardhë që ushtarët GAY të pranoheshin në US Army.
Jetojme në kohën e paradave dhe modës GAY, në epokën kur ciftet homoseksuale lindin apo birësojnë fëmijë. Sot askush nuk habitet. Jetojmë në kohën e zgjedhjeve dhe hapsirave të lira. Por jo gjithmonë dhe jo për të gjithë!
Shumë homoseksualë në Shqipëri, edhe pse jo të shpallur zyrtarisht ne i dimë, i njohim, dhe i kemi pranuar pa komplekse në shoqërinë dhe jetët tona. Dhe ky nuk është krim!
I shkrova këto radhë sepse më erdhën vetvetishëm duke lexuar librin e Tiziano Ferros “30 vjec dhe një bashkëbisedim me babane”. Duke qenë se ky libër shumë shpejt do të vijë edhe në shqip nga shtëpia botuese “Toena”, do të doja ta lexonit e të reflektonit. Të kuptoni botën e një homoseksuali, që është si ne, ndoshta më i brishtë se ne, por mbi të gjitha atë të një artisti të madh, që armë të vetme ndaj atyre që e sulmojnë ka talentin dhe gjenialitetin e muzikës që bën!. Pasi t’a keni lexuar, jam e sigurt që edhe këngët e tij do t’i dëgjoni ndryshe!
Ky shkrim fitoi çmimin e parë në Konkursin e Gazetarisë të realizuar nga PINK /LGBT Pro Shqipëri dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në Korrik 2013.
Tё rifitosh fёmijёn nё bregun e gurtё
Nga Laureta Roshi
Ajo grua mё kёrkoi tё pinim njё kafe, dhe dhimbshёm mё pёrfshiu nё njё bisedё qё zakonisht kolegёt e mi i rrёshkasin ose dalin me njё batutё fyese nga diskutimi. E dёgjoja atё grua dhe mendoja se cdo tё kisha bёrё unё po tё isha nё vendin e saj? A do tё zgjidhja ikjen nga ky vend apo do tё rezistoja si ajo?
E kthyer nga emigracioni ajo fajёson pafundёsisht veten pёr problemet me tё cilat pёrballet i biri. Nё barin e saj tё vogёl vendos foto tё djalit nё ring, “I fortё” mbi njё stol fituesi me dorezёn e boksit lart, aty ku shkrepja e apartit ka fiksuar njё moment dominimi me egёrsi mbi paragjykimin.
Stiljano, ёshtё emri i tij i pagёzimit, tё buzёqesh dhe drejtёpёrdrejtё tё pyet “Tё ka thirrur mamaja ime, ti je psikologia..”. Flasim pak pёr pasi ndёrpreja e emigrimit i ktheu sёrish nё Shqipёri, mё pas divorci i prindёrve, largimi nga miqtё..kur e pyet rreth shoqёrisё ai hesht, tё ngul sytё e blertё butё dhe pastaj tё cel njё tjetёr bisedё. Flasim pёr motin, ai ka zё tё butё, ka lexuar shumё dhe ka peng mos pёrfundimin e shkollёs. Ka njё shenjё mbi buzё, tё vjetёr nuk ёshtё e boksit, boksin e kish zgjedhur mё pas..Tani ёshtё 24 vjec, dhe dёshiron njё jetё tjetёr, ashtu si ai tё ndihet I lirё. Sapo gjen njё pikё tё pёrbashkёt pёr librat flet plot pasion, flasim pёr Paolo Choelo, pёr “Veronika vendos tё vdesё” ai e ka lexuar nё Greqi unё nё Tiranё, flasim e flasim dhe pastaj heshtim Qetё ai thotё se ka patur shumё çaste si tё Veronikёs…
Ka miq tё rastёsishёm, i pranon njohjet me njё instikt pёrzgjedhёs tё cuditshёm pёr tё ёmёn, largohet rrallё nga kafeneja e vogёl, aty ndihet I mbrojtur. Nёna e tij Dinore nxiton tё thotё se ai tani ёshtё bёrё I cuditshёm, se dikur, mё parё ishte miqёsorё po pastaj asaj I ishte dashur tё ndryshonte shtёpinё, punёdhёnёsin, shkollёn e tё birit deri nё kthimin sёrish nё Sarandё, ku ёshtё shumё e vёshtirё tё pёrballoj krizat e tё birit. Janё kriza tё vetmisё dhe pashpresёs sё atё do ta pranojnё ashtu sic ndihet, me baluket e lёna shpenguar mbi njёrin sy, zёrin e butё dhe heshtjen pёr atё qё ka kaluar. “Nganjёherё ndiej faj qё si kam kushtuar kohё shumё, mu desh tё punoja shumё atje, nuk di c pёsoi rrinte nё shtёpinё e nunit tё tij kur unё punoja, pastaj mё kёrkoi tё iknim nga aty, u bё e paduruar situate, askush nuk donte tё rrinte pranё tij nga fёmijёt e nunit i largoheshin dhe ai u mbyll shumё, lёviza nё njё qytet tjetёr, pastaj u kthyem sёrish kёtu pёr shkak tё punёs pёr shkak se unё dhe burri po ndaheshim..” Ajo hesht, nuk flet pёr partnerёt e ndryshuar, nxiton tё thotё se i biri sёrish fle me tё dhe se i kanё kaluar mosmarrveshjet. Ajo i ka sytё me lot, e shtrin dorёn qё i dridhet dhe thotё se ёshtё e vёshtirё shumё mё e vёshtirё qё u kthyen kёtu. Ajo nё heshtje ka pranuar sё fundmi preferencёn e ndryshme tё tё birit pёr miq tё rinj, qё s’kanё lidhje me qytetin ku jetojnё. Nёse do tё kishte mundёsi ajo grua do ikte nga aty ku ёshtё vendlindja e saj, puna e vogёl me tё ardhurat e sё cilёs jetojnё. “dua tё bёj dicka pёr tё, thotё sё fundmi, kёtu ёshtё e vёshtirё, darkave mё zё frika se nuk do kthehet mё…”. Nga dritarja shoh lёvizjet e tij nё tavolinat e klientёve tё paktё nё ballkonin e drunjtё, ata e njohin janё punёtorёt e peshkimit qё ankorojnё varkat dhe kthehen pёr njё gotё birre, portrete tё rreshkura nga dielli qё buzёqeshin dhe flasin pёr hallet e tyre..Ditore i njeh pothuaj tё gjithё dhe ata sic thotё ajo “ma dijnё hallin”. E nё kёtё dorёzim tё fjalёve unё nuk besoj shumё pasi ajo grua di ta shohё me dashuri djalin e saj, sё paku e ka nёn sy..
Homofobia nё vendin tonё ёshtё e ashpёr, pёrvecse paragjykuese ёshtё nxitёse e mohimit tё çdo ndryshueshmёrie dhe aq mё shumё kur bёhet fjalё pёr tё pranuar pa pyetje. E ajo tashmё e njeh sekretin e nёnёs, si tё shpёtojë tё birin.. “Nga se? “e pyes, unё …Dhe kalvari rrёfimit rinis nga e para kёtё herё mё i plotё, orёt kalojnё, dielli zhytet nё ujёrat e Jonit, silueta e Stiljanos shfaqet mbi valё rrethuar nga njё floknajё drite, dhe nja hapёsire bosh rreth e qark… dhe ajo grua mё pyet nё fund “Po tё ishe ne vendin tim ca do bёje ti?”… E gёlltis fort pёrgjigjen se do tё ikja, larg nё njё vend pa kaq shumё paragjykime, nё njё vend ku njerёzit nuk kёmbejnё fyerje, nё njё vend ku… hesht dhe i them “Nuk e di... po do flisja me nёna si ti, qё nuk e humbasin fёmijёn e tyre…”.
Ndihem mё e çliruar nga shikimi i saj, lёmё njё takim tjetёr, Stiljano noton i qetё pak metra mё larg bregut dhe unё kundroj me hapat e largimit guret e ndryshёm tё bregut, forma e madhёsi tё ndryshme, dallgёt ua kanё ngrёnё cepat e nё paqtim I lёnё si grumbuj gurёsh…
Ky shkrim fitoi çmimin e dytë në Konkursin e Gazetarisë të realizuar nga PINK /LGBT Pro Shqipëri dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në Korrik 2013.
Kush fitoi nga debati, shoqëria apo homoseksualët ?...
Orientimi seksual, e drejtë humane e patjetërsueshme…
Nga Gëzim Tushi
Në një bisedë e zhvilluar në një prej ekraneve në zë të televioneve tona, dikush në mënyrë naive, provokative apo për “qëllime vojeristike”, e pyeti bashkëbiseduesin mbrojtës së të drejës së homoseksualëve, për natyrën personale të orientimit seksual. Sikur kjo të kish ndodhur në rrugë, nuk do bënte shumë përshtypje. Por e bërë publiksht para ekranit, është dëshmi brutale e mentalitetit homofobik, që nuk mund dhe nuk duhet toleruar nga askush. Sepse më së paku është shkelje e rëndë e lirisë dhe të drejtës së njeriut për të patur orientimin e vet seksual. Fakti që njerëzve të vecantë u bën përshtypje ekzistenca e njerëzve homoseksualë dhe që kanë dëshirë patologjike për të ditur se cilët janë, e dëshirë për t’i “numëruar statistikisht” është shënjë e nivelit të emancipimit personal dhe tregues i nivelit kulturor të shoqërisë. Ndaj, jo vetëm është por dhe duhet ta kundërshtojmë si të patolerueshme kureshtjen e “njerëzve të sëmurë” për të ditur për qëllime pezhorative orientimin seksual të njeriut. Që në kohën moderne është gjëja më intime, e përveçme, e personalizuar.
Ndaj beteja kundër orientimit homofobik nuk është sic mendojnë disa që e konsiderojnë betejë për cështje anësore të shoqërisë apo humbje kohe duke u marrë me pakicat seksuale, por është luftë për të pranuar konceptet e plota të jetës moderne dhe krijimin e kushteve për respektimin e dëshirave të pakicës nga “tirania e shumicës”. Është e vërtetë që natyra homofobike e shoqërisë shqiptare për shkaqe që dihen dhe nënkuptohen në këtë aspekt është e plotë dhe dominante. Kjo do të thotë se shoqëria jonë ka nevojë që të ndryshojë paradigmën tradicionale për konceptimin e homoseksualizmit, të pranojë “pa kushte” të tjera idenë universale të qytetërimit dhe modernitetit, që homoseksualët janë njerëz me të drejta të barabarta, qytetare dhe ekzistenciale. Sipas Jurgen Habermasit qëllimi i kohës moderne është krijimi kushteve për të ndërtuar “shoqërinë e drejtë” e cila …i garanton secilit lirinë e barabartë, të zhvillojë imazh etik për vetveten, për të realizuar më pas një koncepsion personal për jetën e mirë…” (J. Habermas, “Ah Europë”, f 47)
Orientimi i tyre seksual i vecantë, nuk është argument për diskriminim apo ca më keq nuk i jep të drejtën askujt që homoseksualët të trajtohen si njerëz të vecantë, qenie të “dorës së dytë” apo të konsiderohen njerëz që “fataliteti biologjik” dhe orientimi seksual i detyron të shikohen si “nënklasë e shoqërisë”. Njerëzit tanë kanë nevojë të orientohen kulturalisht dhe moralisht drejt, sipas standarteve morale qytetëruese të kohës. Sepse në qëndrimin ndaj homoseksualëve dy kanë qënë historikisht zgjidhjet ndaj tyre. Ose zgjidhjet mesjetare që i trajtonin në mënyrë antinjerëzore, duke i mbyllur në spitale psikiatrike, burgje apo dhe vrarë në kasapanat e “puritanizmit seksual”, ose trajtimi i tyre në kohën moderne si qënie njerëzore me të drejta të barabarta.
Padyshim, për këto cështje në shoqërinë tonë është duke u zhvilluar seriozisht debati ideologjik, fetar dhe moral. Kjo është arsyeja e natyrshme që është rritur intensiteti i debatit për cështjet e orientimit seksual. Është e natyrshme që situata është bërë inkandeshente, nga që ka një përplasje opinionesh dhe parapëlqimesh personale. Njerëzit janë ndarë midis atyre që kërkojnë legalizimin e të drejtës së njeriut, që të ketë por dhe të realizojë i lirë dhe i mbrojtur orientimin e vet seksual, dhe një pjesë vërtetë e konsiderueshme të opinionit shoqëror e moral, i cili duke konsideruar vetëm heteroseksualitetin të moralshëm dhe homoseksualizmin amoral, kërkon të bëjë sundues të drejtën e shumicës heteroseksuale, duke shpërfillur dhe nëpërkëmbur të drejtat e pakicës së njerëzve me orientim homoseksual.
Personalisht kam marrë pjesë dhe e konsideroj të dobishëm debatin, sepse është një mundësi kulturore, rast shumë i mirë sociologjikisht për të bërë në shoqëri lëvizjen e duhur sociale. Qoftë edhe ca të detyruar, por që në thelb po ndikon pozitivisht për të zbutur natyrën homofobike të njerëzve dhe për ndryshuar dicka që ka qënë tabu. Shoqëria jonë nga ky debat për orientimin seksual, të drejtat integralisht humane të homoseksualëve, ka krijuar një shtrat më të gjërë për opinionin publik. Në fakt ai tregon se tashmë më shumë se në këtë cështje individuale apo “problem i pakicës”, pjesëmarrja e opinionit publik është angazhim social tejet parimor dhe ndikues në perceptimin e drejtë të orientimit seksual të individit të lirë, që nuk është nën këmbët e “moralit sundues” apo që nuk nënështrohet përballë tiranisë së opinionit social homofobik. Pra, debati nuk është thjesht “test” i qëndrimit social ndaj homoseksualëve dhe të drejtës së tyre, por është një nga “testet sociale”, që flet qartë për qëndrimin e shumicës ndaj pakicës, dhe tregues për nivelin e pjekurisë së demokracisë shqiptare. Kjo gjë nuk duhet parë në mënyrë sempliste. Sepse është koha kur duhet treguar se janë kushtet e duhura demokratike që të gjithë pakicat në këtë vend, përfshirë edhe ato me natyrë seksuale kanë të drejtë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të krijojë klimë të re sociale.
Në këtë kontekst debati që po zhvillohet afër 17 majit edhe mund të tensionohet nga pikëpamja sociale, por megjithatë ka rëndësi jo thjesht dhe vetëm që ndikoi për të reformuar apo ndryshuar tiraninë e opinionit dominant heteroseksual, por akoma më shumë është në kohën e duhur dhe shërbeu si “sinjal social” që të mësohemi të luftojmë së bashku për të ndryshuar disa paradigma tradicionale që janë në dëm të pakicave, që ndonjëherë janë reminishente dhe në rastin e qëndrimit ndaj homosekaulizmit kuazi “totalitariste”. Sepse, në disa lloj reagimesh që kanë qënë të veshura me “ambalazhe” të vjetra morale janë shfaqur fare hapur qëndrime personale homofobike. Nuk është fjala që në shoqëri nuk duhet të ketë homofobë.
Por nuk mund nga ana tjetër të pranojmë që ato të bëhen “pranga sociale” apo “instrumente ideologjike” që mbajnë të fortë në shoqërinë tonë një parim social të shëmtuar dhe kundërhuman, të cilin filozofi i shquar i liberalizmit Izaiah Berlin, e quan “parim i përbindshëm”, nga që ka pushtet në shoqërinë tonë, në të cilën akoma për fat të keq mendohet sipas paradigmës, që “opinioni shoqëror është ligj për individin”. (I Berlin, “Idetë filozofike të shekullit XX dhe katër ese për lirinë”, f 289) Jetojmë në kohë të reja dhe besoj se është momenti kur duhen pranuar idetë liberale për “jetë të larmishme” (sipas Xh. S. Mill-it) dhe sidomos për individualitet. Unë besoj se debati i kohëve të fundit për homoseksualizmin më shumë se u ka bërë mirë homoseksualëve në mbrojtjen e të drejtës së orientimit të tyre seksual, i ka bërë shumë mirë shoqërisë shqiptare e cila gradualisht po mësohet të bashkëjetojë me të vërtetat e reja dhe të mësojë dhe pranojë ideologjinë e lirisë dhe individualizmit, që është e koncentruar filozofikisht në idenë se “njerëzimi do të ishte më i fituar po të linte cdo njeri të vepronte ashtu sic i dukej vetë më mirë, se sa ta detyrojmë që të jetonte ashtu sic u duket më mirë të gjithë të tjerëve”.
Në këtë kontekst, e drejta e njeriut për orientim seksual nuk mund të gjykohet dhe paragjykohet nga shoqëria, nga asnjë moral apo tirani seksuale të opinionit mazhoritar të shoqërisë shqiptare. Homoseksualët nuk duhet t’i shikojmë si mjet për të bërë moral apo eksperimente sociale, por si qëllim dhe njerëz që në shoqëri kanë vendin dhe të drejtat e tyre. Kjo është rruga pa kthim e modernitetit që na detyron të njohim dhe pranojmë realitetin e “pluralitetit seksual”, ekzistencën e orientimit seksual me dallueshmëri të personave. Edhe në shoqërinë tonë dikur totalisht homofobike, ka mundësi që të pranohet dhe realizohet situata sociale dhe kushtet morale për të bashkëjetuar në harmoni dhe normalisht njerëzit që kanë orientime të ndryshme seksuale. Në shoqërinë moderne nuk ka më “qënie unike” në kuptimin totalitar, por njerëz me shije dhe orientime të ndryshme, të cilat filozofi Noizik i quan “ekzistenca të ndara”.
Padyshim, në debatin për homoseksualizmin kanë të gjithë të drejtë të ndërhyjnë dhe të marrin pjesë. Por megjithatë që të futesh i sigurt dhe që të ndikosh si duhet në të, së pari duhet të kesh kulturën e qartë dhe nivelin e duhur. Sepse në se hyn me “koncepte të ngurta” morale, sociale dhe filozofike që nuk i përshtaten kohës dhe jo me “konceptet e lëngëzuara” (Jurgen Habermas) atëherë nuk ndihmon dhe nuk sjell gjë të re. Kjo do të thotë që së pari duhet të bësh marrëveshjen e fjalës, duke e konsideruar njeriun me orientim seksual të vecantë së pari dhe mbi të gjitha individ të lirë, i cili e kërkon të drejtën e tij, duke mos pranuar pengesat e moralit sekual shoqëror dhe është kundër detyrimit për denatyrimin e orientimit seksual vetjak, duke u nisur nga parimet e rrënjosura thellë me karakter antihomoseksual dhe teologjik.
Asnjë nuk mund te thotë se homoseksualizmi është dukuri “moderne” apo “primitive”, e natyrshme apo e panatyrshme pa përdorur në këtë rast, gjykime të “parafabrikuara”, që vijnë nga doktrina dhe bindje personale të caktuara, sociale, morale apo fetare. Patjeter, kushdo ka të drejtë të gjykojë dukurinë e homoseksualizmit nga këndshikimi personal i shijeve të veta seksuale. Mbi këtë bazë mund të jetë ose jo dakord, që në jetën e tij të ketë apo jo lidhje me ta. Kjo është cështje krejt private. Por kur gjykojmë për të drejtën e njeriut për të patur orientimin e vet seksual, doemos që largohemi ca nga shijet tona seksuale personale. Aq më pak ato nuk mund të pretendojmë, t’i kthejmë në “norma morale” për të tjerët që mendojnë ndryshe. Kushdo ka të drejtë, të ketë mendimin e vet lidhur me këtë dukuri, që tani edhe në shoqërinë tonë po tenton të fitojë “qytetarinë”, të drejtën e ekzistencës legale, duke e konsideruar si një nga format alternative të realizimit seksualisht të një pakice njerëzish. Në këtë “luftë morale” dhe “betejë ideologjike” secili të përdorë i lirë “armët e tij”, të niset nga një pozicion dhe bindje personale e caktuar. Kështu që ndryshe e gjykon homoseksualizmin dhe është e drejta e tij, një hetroseksual që natyralisht është fare i kundërt, fetari, ateisti, komunisti, puritani, moralisti vulgar, liberali i thekur, konservatori, një i ri apo i moshuar.
Ndaj cfardo epiteti që të perdorim në këtë debat për njëri tjetrin duke akuzuar reciprokisht në emër të debatit, si “liberal” apo “konservator”, nuk bëjmë gjënë e duhur në interpretimin e drejtë dhe të duhur të dukurisë së homoseksualizmit që tashmë është temë e realitetit social dhe problem që është në mesin tonë. Qoftë edhe në nivelin “minoritar”. Në qoftë se do të qëndrojmë në pozicionin që të pengojmë dukurinë e shfaqur, duke e “mbajtur kalin nga bishti” nuk besoj se do të bejmë gjë pozitive. Është më mirë sipas mendimit tim, t’i dalim përpara dhe të mundohemi të ndikojmë të ecë “në rrugën e tij”, pa penguar ne të tjerët të ecin në rrugën e tyre.
Padyshim që dukuria e “homoseksualizmit” po sjell konfuzion moral, jo vetëm tek fëmijët por tek te gjithë heteroseksualët, që janë shumica absolute dhe që me siguri që ka për të qënë nga “mazhorancat më të pandryshueshme në kohë”. Por kjo nuk do të thotë që ne të kemi të drejtë të ndalojmë njerëzit me orientim homoseksual. Kjo është shoqëria moderne. Cështjet e “sjelljes seksuale” gjithënjë e me pak po bëhen pjesë e ndërhyrjes së shoqërisë dhe akoma më pak e shtetit. Ato tani po bëhen dhe në të ardhmen e afërt akoma më shumë cështje e perceptimit, shijes dhe moralit personal. Ndoshta e kam gabim, por tendenca duket e qartë, e fortë , e pa kthyeshme. Një gjë nuk duhet harruar. Në këtë cështje sjellja e shumicës nuk është “kriter i së vërtetës”, as kriter moral për të gjithë njerëzit në formë deterministe, absolute. Nuk është normal ngatërrimi i qëllimshëm i homoseksualizmit me format e panatyrshme të perversitetit seksual. Por kjo nuk i jep askujt të drejtën që për të goditur të drejtën e njeriut për të patur orientim seksual të vecantë, të bëjnë qëllimisht paralelizma të panatyrshme të homoseksualizmit me forma të tjera të relacioneve seksuale, që janë me natyrë kriminale dhe anti sociale. Për të cilat shoqëria dhe shteti kanë detyrë dhe të drejtë ndaluese, për shkak të dëmeve shëndetësore, morale dhe civile që ato shkaktojnë. Në këtë aspekt është e vërtetë që e drejta seksuale e njeriut nuk është e pakufizuar. Për format patologjike të seksualitetit shoqëria dhe shteti ka të drejtë të ndërhyjë edhe me ligje dhe në mënyrë morale. Por homoseksualizmi nuk bën pjesë në këto forma…
Ky shkrim fitoi çmimin e tretë në Konkursin e Gazetarisë të realizuar nga PINK /LGBT Pro Shqipëri dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në Korrik 2013.