Je i sapodalë nga dollapi?

Dalja nga “dollapi”

Të pranosh veten si person gei, lezbike, biseksual, transgjinor (LGBT) etj, mund të tingëllojë si diçka shumë e lehtë, por në fakt nuk është. Për personat LGBTI dalja nga dollapi është proçesi i kuptimit, pranimit dhe vlerësimit të orientimit seksual apo identitetit gjinor të tyre. Dalja përfshin si eksplorimin e identitetit personal ashtu edhe të ndarjes së tij me të tjerët. Këtu përfshihet edhe përshtatja me reagimet dhe sjellen e shoqërisë ndaj personave LGBT.

Personat LGBT janë të detyruar të përballen me faktin se çdo të thotë të jesh i ndryshëm në një shoqëri e cila prezumon se të gjithë individët janë heteroseksualë dhe i gjykon negativisht ndryshimet nga norma. Proçesi i daljes është shumë personal dhe ndodh në mënyra të ndryshme dhe mosha të ndryshme për njerëzit. Disa njerëz janë të vetëdijshëm për identitetin e tyre seksual dhe gjinor prej një moshe shumë të hershme. Të tjerë arrijnë nivelin e duhur të ndërgjegjësimit pas një kohe të gjatë.

Dalja është një proçes që mund të zgjasë gjatë gjithë jetës. Ndërkohë që gjatë adoleshencës dhe rinisë pjesa më e madhe e njerëzve kanë probleme të ndryshme, personat LGBT përballen me sfida shumë më të mëdha se të tjerët. Për shkak të diskriminimit të gjatë dhe mungesës së modeleve pozitive, shumë persona LGBT ndihen vetëm dhe të pasigurt. Frika e refuzimit është edhe më e madhe mes personave LGBT për shkak të paragjykimeve shoqërore ndaj tyre.

Përse dalja hapur është e rëndësishme?

Njohja e identitetit seksual apo gjinor është hapi i parë drejt pranimit të vetvehtes dhe hapat e parë të daljes. Si fillim, për të kuptuar identitetin seksual, ndihmon të mendoni për të si një vijë lineare e cila varion nga tërheqja ekskluzivisht heteroseksuale tek ajo ekskluzivisht homoseksuale. Për këtë mund të kërkoni në internet the Alfred Kinsey Scale. Duke eksploruar identitetin tuaj seksual do mund të vendosni se ku jeni ju në atë shkallë.

Përsa i takon vetëpranimit, mund t’ju ndihmojë të përqëndroheni në aspektet pozitive të kulturës LGBT të tilla si muzika, arti, teatri, letërsia, subkulturat e saj etj. Gjithashtu ju ndihmon të kërkoni për modele pozitive mes komunitetit LGBT. Duke u përqëndruar në modelet pozitive nuk do të thotë se ju po injoroni faktin që shoqëria vazhdon të jetë diskriminuese apo se sjelljet diskriminuese nuk kanë asnjë efekt tek personat LGBT. Gjithsesi, ndihmon të kuptoni se këto paragjykime janë të jashtme dhe nuk burojnë nga identiteti juaj seksual apo gjinor. Pjesë e zhvillimit të një mendimi personal për veten është të kuptoni se homofobia juaj është gjithashtu e bazuar nga faktorë të jashtëm, se ato janë produkt i këtyre paragjykimeve dhe se ato kanë krijuar impakt te ju me kalimin e viteve.

Benefitet e daljes hapur:

Nëse merrni në konsideratë të bëni daljen duhet të keni parasysh disa gjëra. Disa nga rezultatet e daljes nga “dollapi” mund të jenë rritje e vetë-besimit, më shumë sinqeritet në jetën tuaj dhe një ndjesi më e lartë integriteti personal.  Gjithashtu, tek ju mund të zhvillohet një ndjesi çliruese dhe ulje tensioni kur ndaloni së mohuari apo fshehuri një pjesë kaq të rëndësishme të jetës suaj. Dalja mund të çojë në një liri më të madhe për të shprehur veten tuaj, një ndjesi pozitive ndaj vetes si dhe marrëdhënie më të shëndetshme dhe të sinqerta.

Ndihmë dhe hapat që mund të ndërmerni për një dalje të suksesshme

  • Vizitoni faqet e ndryshme online dhe lexoni historitë e personave të tjerë;
  • Bisedoni me njerëz LGBT të cilët kanë bërë këtë hap dhe mësoni më shumë për eksperiencat e tyre;
  • Mos e izoloni veten në grupe ekskluzivisht heteroseksuale. Përpiquni të njihni persona të tjerë LGBTI dhe afrohuni me kulturën LGBT;
  • Komunikoni me organizatat LGBT në vend, ndiqni aktivitetet dhe publikimet e tyre;
  • Shfletoni letërsinë queer dhe ndiqni kinematografinë me filma tematikë LGBTI;
  • Mos paragjykoni dhe ofendoni personat LGBTI të cilët janë vet-deklaruar si të tillë;
  • Interesohuni për të takuar një psikolog apo këshillues social që nuk është homofob dhe që do t’ju ndihmojë të kaloni momentet e dyshimit, vetmisë, stresit apo edhe depresionit;
  • Mos e rrethoni veten nga persona negativë të cilët do mund t’ju dekurajojnë në këtë proçes. Identifikoni miqtë dhe personat mbështetës në rrethin tuaj dhe komunikoni sa më shumë me ta;
  • Kini parasysh se jo të gjithë personat të cilëve do u tregoni për veten do t’ju pranojnë. Përgatituni emocionalisht edhe për pranimin ose refuzimin. Mos u dekurajoni nëse një shok apo shoqe ju braktis. Nëse ata nuk ju pranojnë për atë çka ju jeni atëherë ata nuk kanë qenë asnjëherë miqtë tuaj.
  • Mos e izoloni veten nëpër rrjetet sociale LGBTI. Edhe pse ato ndihmojnë për të njohur njerëz të rinj, shpesh kthehen në rrethe vicioze ku njerëzit përpiqen të mbajnë sa më sekret identitetin e tyre. Mos harroni që në rrjete sociale ka edhe njerëz që jo gjithmonë kanë qëllime të mira;

Shënime: Termi “dalje nga dollapi” është përshtatje e termit në anglisht “coming out of the closet”. Ky term është pershtatur edhe në gjunjë të tjera europiane dhe është zgjedhur në shqip për të ruajtur kuptimin origjinal.  Termat homofobi dhe transfobi janë frika irracionale ndaj personave lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë dhe shoqërohen me sjellje negative, mospranuese, paragjykuese dhe diskriminuese ndaj personave që janë pjesë e këtij komuniteti ose mund të perceptohen si pjesë e tij.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët